Eliot Uka e njeh goxha mirë Ardian Ismajlin, mbrojtësin e Përfaqësueses së Shqipërisë dhe Spezias, ekip që garon në Serie A të Italisë. Uka e di që rruga e Ismajlit deri në Serie A nuk ishte e lehtë dhe nisi nga 2 Korriku i Prishtinës. E rrugën e Ismajlit synon ta ndjekë edhe mbrojtësi i ri i talentuar, Uka. Por, Uka e di shumë mirë se pa punë, ëndrra për një karrierë në Evropë mund t’i ndalet në gjysmë.
Në klubin e 2 Korrikut e vlerësojnë të jashtëzakonshëm talentin e Ukës. Pritjet janë të mëdha, meqë thonë se ka talent të madh. Këtë e dëshmoi edhe në stërvitjen e së mërkurës. E, Uka është vetëm një prej tyre. Talentet te 2 Korriku nuk kanë munguar. Vlerësohet si vatër talentesh.
“Besoj se me punë mund t’ia arrij që të luaj në ndonjë klub të Evropës. Por, e di që pa punë nuk mund t'ia dal t’i realizoj ëndrrat e mia. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e shkollës së futbollit 2 Korriku. Trajnerët janë të shkëlqyeshëm dhe jemi të kënaqur me punën që bëjnë. Dëshira apo ëndrra ime është të luaj për Real Madridin”, ka thënë Uka për KOHËN.
Uka ka bindjen se 2 Korriku do t’ia hapë dyert që në një të ardhme të afërt ta vazhdojë karrierën te ndonjë klub i madh evropian.
Në fakt, si sukses shumë i madh dhe ngjarje me rëndësi për klubin konsiderohet themelimi i shkollës së futbollit në vitin 1992. Qysh nga ajo kohë, 2 Korriku ka qenë i hapur për të mbledhur rreth vetes një numër të madh fëmijësh të talentuar dhe të vendosur për një karrierë të madhe.
Trajneri që punon në shkollën e futbollit “2 Korriku”, Ardit Gashi, mburret me talentet dhe punën që bën me ta.
“Në këtë moshë ka mjaft numër të madh të talenteve. Ne punojmë të kemi talente sa më shumë, si për ekipin e parë tonin, ashtu edhe për klubet në Evropë. Ne kemi dëshmuar se nga shkolla jonë kanë marrë rrugë për në Evropë. Ne nuk do të ndalemi me kaq, do të vazhdojmë të punojmë për t’ua mundësuar zhvillimin këtyre të rinjve që kanë shumë ëndrra”, ka theksuar trajneri Gashi.
Gashi thotë se shumë prej tyre në të ardhmen do të bëjnë karrierë të madhe. Është i lumtur që ka mundësinë të punojë në, siç thotë ai, shkollën më të suksesshme të futbollit në vend.
“Jam i kënaqur me punën e trajnerëve dhe besoj se me punën tonë dhe angazhimin tonë mund t'ia dalim që një ditë të luajmë për ndonjë skuadër në Evropë”, ka thënë futbollisti Omer Shala.
Përveç Ardian Ismajlit, rrugën për në Evropë nga 2 Korriku e ka ndjekur edhe portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha. Berisha ka luajtur në Serie A te Lazio dhe tek Atalanta, ndërsa tash është pjesë e SPAL-it që garon në Serie B.
2 Korriku është edhe furnizues i madh i ekipeve të Kosovës. E ka zhvilluar edhe futbollistin katër herë më të mirë në Kosovë, Mentor Zhdrella.
“Gjithmonë kam dashur të bëhem apo edhe t'ia kaloj Etrit Berishës. Prandaj, jam këtu tash e gjashtë vjet. Kam dëshirë që të jem pjesë e ekipit të Barcelonës”, ka thënë portieri Denis Gegaj.
Drejtori i shkollës së futbollit është i kënaqur me numrin e fëmijëve të regjistruar në klubin 2 Korriku. Ai ka zbuluar edhe planet që kanë në klub me talentet.
“Edhe ne po mundohemi ta vazhdojmë punën që kanë bërë trajnerët më herët, pra nxjerrjen e talenteve për ekipin e parë, por jo vetëm në Kosovë, sepse qëllimi ynë primar është që këta futbollistë t'i shtyjmë para dhe t'i shohim në ndonjë klub jashtë Kosovës. Në shkollën tonë janë rreth 300 nxënës të regjistruar, ndërsa marrin pjesë edhe në garat e rajonit të Prishtinës me plot sukses”, ka thënë Ademi.
Ademi gjithashtu është edhe trajner i ekipit të parë të 2 Korrikut, që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, Grupi B.