Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrugëtimi i Ismajlit: Nga futbolli i Kosovës në atë të Italisë

Ardian Ismajli aktualisht ndodhet në Kosovë, vendin ku edhe i mori hapat e parë si futbollist. Ismajli ka ardhur për të qëndruar shkurt në vendlindje pasi këtë javë do të niset drejt Italisë për të firmosur kontratën me ekipin e ri.

“Kam ardhur për t’i vizituar familjarët. Të premten do të udhëtoj për t’i kryer testet mjekësore”, thotë Ismajli të mërkurën për KOHËN.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mbrojtësi i Shqipërisë të premten do të prezantohet nga Spezia, ekip që në edicionin e ri, që nis më 19 shtator, do të bëjë gara në Serie A. Ai është i bindur se testet do t’i kalojë me sukses për ta vazhduar karrierën në një prej pesë ligave më të forta në Evropë - Itali. Ai te Spezia do të transferohet nga Hajduku i Splitit, që iu bashkua para katër vjetësh. Por, deri te mundësia për t’u paraqitur në Serie A, rruga e Ismajlit nuk ishte e lehtë, pasi nisi nga futbolli i Kosovës. Futbollisti i lindur në Majac të Podujevës, karrierën si i ri e ka nisur te 2 Korriku i Prishtinës, skuadër ku po ashtu hapat e parë i mori edhe Etrit Berisha. Berisha në të kaluarën ka luajtur në Serie A me Lazion, Atalantan dhe SPAL-in. Me këtë të fundit nuk arriti të siguronte mbijetesë në elitën e futbollit italian. Te skuadra e 2 Korrikut, Ismajli luajti në Kategorinë e Dytë të Kosovës. Si senior i skuadrës nga Prishtina debutoi në stinorin pranveror të edicionit 2013/2014.

“Sigurisht që është ngritje e madhe nga 2 Korriku në Serie A. Është e arritur e madhe për mendimin tim. Nuk ka qenë aspak e lehtë që prej Kosovës të arrish në këtë nivel, por unë nuk do të ndalem me kaq. Do të punoj për t’i dëshmuar vlerat e mia”, tha ai.

Ismajli nuk ka treguar për detajet e marrëveshjes, por nuk e fsheh gëzimin që do ta ketë rastin të paraqitet në ligën që e kishte ëndërruar që nga fëmijëria.