Sport

Van Gaal po e shijon jetën si pensionist

Louis van Gaal ka njoftuar se është pensionuar nga futbolli, gati tre vjet pasi që është shkarkuar nga Manchester Unitedi.

Holandezi pati dy stinorë në krye të Manchesterit, por u largua dy ditë pasi skuadra fitoi FA Cup më 2016.

Me Van Gaalin, Manchester Unitedi kishte përfunduar në pozitën e katërt përkatësisht të pestë në Premier League.

Që nga atëherë 67-vjeçarit i janë ofruar disa vende pune, përfshirë edhe mundësinë për të drejtuar Feyenoordin si trajner stinorin e ardhshëm, por ai ka vendosur të largohet nga futbolli.

“Unë jam pensionist tashmë. Nuk kam ambicie të bëhem drejtor teknik apo analist televiziv. Bashkëshortja ime Truus la punën 22 vjet më parë dhe më ndoqi kudo që shkova jashtë për të drejtuar skuadra”, ka thënë Van Gaal për emisionin televiziv holandez “VTBL”, shkruan “The Sun”, transmeton “Koha Ditore”. “Unë i thashë asaj se do të heq dorë nga zeja e trajnerit kur mbusha 55 vjet, por vazhdova deri në 65 vjet. Ajo ka të drejtën të ketë një jetë me mua jashtë futbollit. Mund të them se është shumë e lumtur me këtë vendim që kam marrë. Mendoj se kam mundur të punoj si drejtor teknik. Por, është një rol ku nuk mund të paraqitesh në stërvitje apo të thuash ndonjë gjë nga frika se mund të mos jetë e përshtatshme për trajnerin, drejtorët apo mediat. Nuk dua një punë të tillë”.

Van Gaal kishte drejtuar përfaqësuesen e Holandës në dy periudha të ndryshme. Ai, po ashtu, ka drejtuar skuadrat si Ajax, Barcelona, AZ Alkmaar dhe Bayern Muenchen, para se të merrte drejtimin e Manchester Unitedit në vitin 2014.

Van Gaal kishte udhëhequr Ajaxin drejt titullit të kampionit në Ligën e Kampionëve në vitin 1995 dhe po ashtu udhëhoqi Holandën drejt vendit të tretë në Botërorin 2014.

Një numër i tifozëve nga ish-skuadrat e tij i kanë uruar Van Gaalit çdo të mirë në jetë.

“Pensionim të lumtur Louis van Gaalit. Nuk ka funksionuar siç duhet tek ne, por e kam dashur. Nuk mund të them të njëjtën me David Moyesin apo Jose Mourinhon”, ka shkruar një tifoz i Manchester Unitedit.

“Kam vetëm respekt për Van Gaalin”, ka shkruar një tifoz tjetër i skuadrës angleze.

Ndërsa një tifoz i Bayernit ka shkruar në Twitter: “Njeriu që e bëri Bayernin sërish top-skuadër. Faleminderit Louis van Gaal”.

Me Ajaxin, Van Gaal kishte fituar tri herë titullin e Holandës, një herë Kupën e Holandës, një herë Ligën e Kampionëve, një herë Kupën UEFA, një herë Superkupën e Evropës dhe një herë Kupën Inter-Continentale, ndërkohë me Barcelonën fitoi dy herë La Ligan, një herë Kupën e Spanjës, ndërkohë me AZ Alkmaarin fitoi një herë ligën e Holandës, derisa me Bayernin fitoi Bundesligën, Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë në vitin 2010. Trofeu i vetëm me Manchester Unitedin ishte FA Cup në vitin 2016.