Qyteti i Prishtinës këto ditë është përfshirë nga një numër i madh i mushkonjave, sidomos në hapësirat e gjelbra dhe parqe, ku qëndrimi i qytetarëve po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Shkak për këtë situatë është vonesa e fillimit të dezinsektimit, një problem që po përsëritet edhe këtë vit. Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se dezinsektimi duhet të nisë shumë më herët për të parandaluar përhapjen masive të insekteve dhe rreziqet që ato sjellin për shëndetin. Ndërkohë, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tregon arsyet pse ky proces po vonohet edhe sivjet.
Kështu duket Parku i Gërmisë këto ditë qëkur vala e të nxehtit ka goditur Kosovën.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në hapësirat e tjera të gjelbra të Prishtinës, ku qëndrimi i qytetarëve po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Kjo për shkak i vonesës së Komunës së Prishtinës në kryerjen e dezinsektimit të këtyre zonave.
“Ka qenë dashur. Çfarë gjelbërimi i bukur çfarë natyre për një dezinfektim të lehtë. Por këtu të tregon se çfarë shteti jemi. Po e shihni qeverinë se çfarë po bëhet”, ka theksuar një qytetar.
“Çdo person ka probleme me insekte sidomos ata që kanë probleme me alergjinë e vizitoj Germinë por jo shumë shpesh. Edhe aty ka insekte. Kur po vjen pika e nxehtësisë s’po ka efekt as spërkatja”, ka shtuar ai.
Alergologia Luljeta Ahmetaj thotë se dezinsektimi duhet të nisë më herët, në mënyrë që të parandalohet përhapja masive e insekteve në periudhat kritike.
“Duhet të fillojë patjetër më herët sepse shumëzimi i insekteve përkon me periudhën kur kemi koncentrim më të lartë të polenit në atmosferë. Do të thotë te gjithë pacientët tani kanë filluar simptomatologjinë e polenit. Këto kemikate jo që bëjnë sensibilizimin e organizmit tonë por bëjnë por bëjnë agravimin e simptomatologjisë ndaj simptomave që precipitojnë me sëmundje alergjike”, deklaron ajo.
Sipas saj, Komuna duhet ta ketë parasysh kohën e dezinsektimit.
“Duhet të jetë një komunikatë me deklaratën se me çfarë kemikatesh bëhet së pari dezinsketimi i tillë a janë preparate me bazë organike e qytetarët duhet të kenë informacione se me çfarë preparate bëhet. Edhe duhet të përcaktohet koha dhe ora. Asesi nuk bën të bëhet në periudha kur ka frekuentim të shpeshtë të njerëzve”, thekson Ahmetaj.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, thotë se janë në pritje të përfundimit të procedurave për kontratë të re.
“Kontratë nuk kemi e nuk kemi pasur as vitin e kaluar sepse kontratat po shkojnë në OSHP. Edhe vitin e kaluar kemi shkuar me kontratë të negociuar. Vazhdimisht ka ankesa edhe nga bletarët pasi dezinsektimi ndikon edhe në shkatërrimin e bletëve dhe duhet t’i njoftojmë edhe ata. Të gjithë do i njoftojmë për kohën e dezinsektimit pasi preferohet që prej orës 20:00-21:00 duhet të mbyllen dritaret për shkak se produktet e dezinsektimit mund të përmbajnë materiale që ndikojnë te personat me alergji. Këtë javë do ta qesim edhe njoftimin se kur dhe në cilat ditë do të kryhet deznisektimi”, thekson ai.
Sadiku përmend edhe motin me reshje si një tjetër faktor që ka ndikuar në vonesat.
“Dezinsektimi është një proces që bën zhdukjen e mushkonjave dhe insekteve dhe ka për qëllim që përmes zhdukjeve të tyre të eliminohen edhe mundësitë e sëmundjeve të ndryshme gjatë temperaturave të larta. Ky proces zhvillohet çdo verë, fillon në fillim të muajit qershor dhe duhet të ketë sa më pak shi. Kushtet me shi e stimulojnë dhe nxisin procesin e krijimit të insekteve të reja”, shton ai.
Pavarësisht thirrjeve të bëra edhe vitin e kaluar për një fillim më të hershëm, dezinsektimi në kryeqytet edhe këtë sezon po nis me vonesë.