SOT

Përmes fotografisë, Xhemail Sllovinja sjell të jetuarit me Down Syndrome në Kosovë

Secila prej këtyre fotografive të Xhemail Sllovinjës mban në vete një histori të veçantë, sjell në pah jetën e përditshme, talentet dhe kontributet e personave me Sindromën Down në vend.

Fotografi Sllovinja i përmblodhi të gjitha këto histori në një ekspozitë të vetme, “Një botë për të gjithë”, e cila synon të dëshmojë edhe njëherë nevojën e gjithëpërfshirjes së këtyre personave në shoqëri.

“Kam 25 vjet që merrem me fotografi dhe ka kohë që kërkoj një tematikë të rëndësishme për ekspozitën e parë, e cila do të mbahej mend nga publiku. Rastësisht, ideja më lindi kur takova një fqinj me të cilin jam rritur, moshatar i imi dhe shkova te një kafene. Kur hyra aty, e pashë fqinjin tim Besnikun duke përgatitur kafe. Jemi takuar edhe më herët, por nuk e kisha parë duke punuar. Aty më treguan se Besniku është barist shumë i mirë. Pikërisht aty u inspirova për ta bërë një ekspozitë me persona me Sindromën Down, për t’ia kushtuar rutinës së tyre, punës, aktiviteteve çka do qofshin që i pasqyrojnë ata gjatë ditës. Më pas, në qendrën Down Syndrome, ua tregova idenë dhe u pëlqeu shumë. Kjo punë filloi që nga vera me fotografi dhe vazhdoi deri tani në tetor”, thotë Sllovinja.

Ai tregon se për këtë ekspozitë ka udhëtuar në qytete te ndryshme të Kosovës dhe në bashkëpunim me shoqatën kanë gjetur 15 personazhe ku u ekspozuan më pas në 17 fotografi.

“Nuk ka qenë e lehtë, sepse unë kam dashur që në momentin kur realizohet një fotografi, secili personazh të jetë i përfshirë me aprovimin e familjarëve. Nëpërmjet shoqatës e kam arritur këtë. Më kanë ndihmuar shumë, më kanë lidhur me familjarët dhe ata më kanë treguar për secilën punë që ata bëjnë. Asnjë fotografim nuk e kam bërë vetë, gjithçka e kemi bërë në bashkëpunim”, thekson Sllovinja.

Fotografi thotë se ka njoftuar personazhe të veçanta gjatë këtij rrugëtimi, Iliri është njëri prej tyre, tani shitës i frutave në një nga dyqanet në Komunën e Vitisë.

“Prindërit më kanë mirëpritur shumë mirë. Kam hezituar në fillim, se ndoshta do të keqkuptohesha, por kur jam takuar me ta në qytete të ndryshme të Kosovës, më kanë dalë përpara, më kanë pritur, pastaj kemi biseduar dhe kemi pirë kafe bashkë. Secila fotografi është e veçantë, siç janë edhe vetë ata. Kam biseduar edhe me vetë anëtarët për punën që bëjnë. Si personazh i veçantë është Iliri nga Pozherani i Vitisë punon në një market, shet pemë, ashtu siç i ka qejf edhe vetë. Edhe pas përfundimit të orarit të punës, nuk dëshiron të ikë, por të vazhdojë punën, sepse është shumë i lidhur me kolegët”, thekson Sllovinja.

Për autorin Sllovinja kjo ishte ekspozita e parë, për të cilën thotë se është krenarë me temën që ka trajtuar dhe fotografitë e shkrepura.

“Kjo është ekspozita ime e parë personale. Jam jashtëzakonisht i përmbushur shpirtërisht dhe profesionalisht që ia kam kushtuar këtyre personazheve. Si qëllim, me këtë ekspozitë kam dashur që përmes artit vizual të fuqizojmë rolin e këtyre personave në shoqërinë kosovare”, deklaron ai.

Pas ekspozitës, fotografi thotë se dëshiron fushatën sensibilizuese ta vazhdoj në shkollat e Kosovës, që fëmijët të jenë të njoftuar që nga mosha e hershme Sindromën Down dhe me personat që mund të jenë në të ardhmen pjesë e klasës së tyre.

“Për këtë vit nuk kam plan diçka tjetër, por vitin e ardhshëm, me këto fotografi, do të kem ekspozita të tjera. Kam menduar edhe për fushata sensibilizuese për këtë temë në shkolla. Ende nuk ka diçka konkrete, por shpresoj që vitin e ardhshëm ta realizoj. Edhe djali im është i përfshirë në disa aktivitete, ka qenë edhe në ekspozitë. Erti i ka 7 vjet, por i njeh këta personazhe dhe i do shumë. Bëj thirrje edhe familjarëve të tjerë t’i njoftojnë fëmijët e tyre me këta persona, që të vetëdijesohen sa më herët”, thotë Sllovinja.

Ekspozita e Sllovinjas erdhi pikërisht në muajin e ndërgjegjësimit ndaj personave me Sindromës Down dhe bënë thirrje të i bashkohen fushatës së fundit të shoqatës ku secili prej nesh mund të kontribuoj në mirëqenien e anëtarëve të shoqatës.

“Në këtë muaj të ndërgjegjësimit, iu kam bashkuar fushatës së “Down Syndrome”. Kam dashur që edhe ekspozita të jetë në këtë muaj. Fushata është “Çka po bon për neve”, prandaj pikërisht për këta persona unë kam bërë ekspozitën time. Qytetarët, nëse kanë mundësi, mund të kontribuojnë në fushatën e shoqatës, me çfarëdo mënyre që mundin, sepse ata kanë nevojë për mbështetje”, thekson Sllovinja.

Fotografitë nuk do shitën por ato do të jenë të ekspozuara në Shtëpinë e Evropës deri më 31 dhjetor e më pas ato do zhvendosën në Qendrën e Down Syndrome.

“Fotografitë nuk janë për shitje, kam dashur vetëm të tregoj përmes tyre rutinën e këtyre personave. Kam përfshirë moshat nga 1 deri në 40 vjeç, që nga fëmijëria e hershme, shkolla e deri te punësimi. Falënderoj Shtëpinë e Evropës ku po ekspozohen këto fotografi. Pas muajit të ndërgjegjësimit, fotografitë do të vendosen në objektin e Qendrës “Down Syndrome Kosova”, thekson Sllovinja.

Tetori është muaji për ndërgjegjësim ndaj Sindromës Down. Me iniciativa të tilla synohet përfshirja më e madhe e personave me Down Syndrom në shoqëri.