Në sheshet e Prishtinës, çdo ditë, nga ora 12:00 deri në 14:00, një grup prej 12 pensionistësh takohen për kafe.
Ndër ta është edhe Zeqir Buzuku, 75-vjeçari, i cili, pas 42 vitesh pune në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit, tani prej një dekade e shijon pensionin me shokët e tij.
Ai është nga Kamenica, por që 70 vjet jeton në Prishtinë.
Buzuku thotë se pensionimi e ka bashkuar me një shoqëri të ngushtë, dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon me ta.
“Disa e marrin pensionimin me shpirtngushtës, por unë iu sugjeroj të tjerëve që ta përgatisin veten pak para pensionimit. Është diçka natyrale, njeriu lind, rritet, punon dhe në fund pensionohet. Duhet të jemi të gatshëm, që kur të dalim në pension, të mos pyesim veten: 'Çfarë bëra?' Kur dolëm në pension, unë iu bashkova kësaj shoqërie, e cila tashmë ka 10 vjet që është e pandashme. Dalim, pimë kafe, bisedojmë për tema të ndryshme: politikë, sport, kulturë e kështu me radhë. Dita na kalon shumë lehtë. I preferoj të gjithë pensionistët që të mos rrinë vetëm në shtëpi, sepse e keqja më e madhe është kur një pensionist rrinë vetëm brenda. Ata që dalin dhe kanë shoqëri, e ndiejnë veten të rinovuar. Kemi një problem – pensionet tona janë të vogla, por fëmijët dhe familja na ndihmojnë. Për vite, ndonjëherë kemi pasur vështirësi, por ndjehemi mirë”, thotë Buzuku.
Një tjetër anëtar i grupit, Pashk Desku, ish-profesor i fizikës dhe teknologjisë nga Gllogjani, e gjeti këtë shoqëri pas vdekjes së bashkëshortes dhe pas ardhjes në Prishtinë.
Ai është 73 vjeç, por thotë se ndihet mirë dhe me shëndet, falë familjarëve dhe kësaj shoqërie.
“Kur erdha në Prishtinë, takova për herë të parë Smail Kosomun, të cilin e njihja nga studimet. Më pas, në sheshet e Prishtinës, takova Ibrahim Abazin, Zeqen e të tjerët. Jemi 12 persona në këtë shoqëri. Siç tha dhe Zeqiri, çdo ditë takohen nga ora 12:00 deri në 14:00. Është një kënaqësi dhe privilegj i madh të arrish pensionimin. Ata që e kanë arritur pensionimin, duhet ta shijojnë. Patjetër që çdo njeri ka diçka që i mungon, por duhet të shijojmë pensionimin, është diçka natyrale”, deklaron Desku.
Për këta pensionistë, shoqëria është më shumë se një rutinë – ajo është një formë e ndërsjellë respekti, duke përfshirë dhe aspektin fetar.
Një karakteristikë e veçantë e 12 shokëve është se vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Ata festojnë gjithashtu ditëlindjet bashkë, gjithsej 12 festa në vit, ku njëri-tjetrin e qarrosin me drekë.
“Unë jam i vetmi shqiptar katolik nga ky grup shoqërie. Nuk kemi asnjë problem në aspektin fetar. Kemi shumë festa, por zakonisht kur jam me shokët, i qeros me kafe. U kam thënë se për Bajramin, 10 ditë duhet të më qerosin. Unë mund të qeros 10 kafe menjëherë, por do marr vetëm dy ose tre kafe nga ta. Kemi një grup në Facebook, ku i informoj shokët për pensionimin, Ramazanin dhe të tjera. Ka diçka interesante, që çdo vit festojmë 12 ditëlindje. Në ditën e ditëlindjes së dikujt, pimë kafe dhe hamë drekë bashkë”, shton Desku.
Sipas Zeqir Buzukut dhe Pashk Deskut, pensionimi është një fillim i ri kur puna zëvendësohet me përkushtimin ndaj familjes dhe miqësisë.
Përtej kafesë dhe bisedave, kjo shoqëri shijon edhe udhëtime të përbashkëta në bregdetin shqiptar, e qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.