Fli, gurabije e shumë ushqime të tjera tradicionale i ka vendosur mbi tende e po pret që t'i shesë.
Është hera e parë për Ganimete Sejdiun që po përfiton nga ajo që çdo ditë e bën në shtëpinë e saj.
Me vullnetin më të madh ajo thotë se ka qëndruar gjithë natën zgjuar për të përgatitur ushqimet për panairin 2-ditor që po organizohet për gratë e Podujevës, në sheshin e këtij qyteti.
Ajo thotë se gratë kanë nevojë për më shumë përkrahje nga institucionet, në mënyrë që të mund të bëjnë punën që ato e dëshirojnë më së shumti.
Ushqimet bio nga bahçja e saj, e shumë produkte të tjera të punuara në kushte shtëpie së bashku me familjen, i ka vendosur mbi tendën e panairit "Kujtime nga atdheu" edhe Gjyla Vllahiu nga Sekiraca e Podujevës.
Gjithë këtë organizim e ka bërë shoqata "Lady" nga Prishtina si mundësi për integrimin e grave në punë dhe në biznes.
Drejtoresha e kësaj organizate, Sania Murati thotë se kjo ide ka ardhur si shkak i organizimeve të pakta që bëhen për gratë e zonës së Llapit.
Në kuadër të kësaj organizate janë të regjistruara shumë gra, të cilat marrin kurse e shtyhen përpara për të gjetur punë.
Njëra ndër to është edhe Lavdije Restelica, e cila ka pasur mundësinë që të paraqesë veshjet me motive tradicionale dhe kombëtare në Panairin dyditor.
Panairi ku po vihet në pah puna e mrekullueshme e këtyre grave gjeti mbështetje edhe nga gra të tjera, të cilat tashmë kanë biznes të vetin.
Sabrie Bislimi, e cila ka një kompani të dekoreve, ka mundësuar organizimin e kësaj tende, si mbështetje për gratë e vendit nga ajo vjen.
E si nevojë për ngritjen e vetëdijesimit të grave në përfshirjen sa më shumë në punë, tash është themeluar edhe organizata "Fillo sot” që po iu jep përkrahje grave të kësaj zone.
Panairi i Grave të Llapit "Kujtime nga atdheu" u mbajt më datën 1 dhe 2 gusht, ku pati interesim të madh sidomos nga mërgimtarët që patën mundësi të blejnë ushqime e veshje tradicionale.