Veshjet kombëtare, punimet artizanale dhe ushqimet tradicionale e kanë zbukuruar sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, përmes panairit “Me zemër për diasporën”, i cili u hap të enjten.
Aty ku tradita takohet me dashurinë për atdheun, në çdo kënd gjen diçka që lidhet me vlerat, kulturën dhe traditën shqiptare.
Ata që vijnë nga diaspora, kanë mundësi të blejnë produkte vendore, e që njëkohësisht i ndihmojnë gratë punëtore.
“Marr pjesë vazhdimisht nëpër panaire, ushqimet e mija janë të veçanta dhe shumë kërkohen, ata që i kanë provuar një herë, i provojnë çdo herë. Buka e lloje të ndryshme ëmbëlsirash kam prezantuar në këtë panair. Kam edhe nga reçelet dhe llojet e sallatave turshi. Tespishtet i kam përgatitë, ngase janë tradicionale dhe mërgimtarët i kërkojnë shumë”, thekson pjesëmarrësja Elfete Shala.
Fetije Aliu jeton në Norvegji, por për pushime gjithmonë e gjejmë në Kosovë. Për të është hera e parë që merr pjesë në një panair të tillë.
Thotë se gratë meritojnë përkrahje për punën që e bëjnë, duke i ruajtur traditat.
“Kam ble fli, na merr malli shumë, por më shumë i ble edhe me ju ndihmuar këtyre grave. Këtyre ju duhet hapësirë më e madhe për t’i promovuar produktet e tyre. Si familje i ruajmë traditat tona shqiptare”, deklaron Aliu.
Përveç mërgimtarëve, panairi i ka hapur dyert për të gjithë që duan të njihen me traditat kombëtare.
Hajrush Fazliu nga Prishtina thotë se panairet duhen vlerësuar, sepse përmes anës kulturore mund të jemi më unik si vend.
“Edhe pse jam një qytetar i rastit, panairi ka të bëjë me një krenari kombëtare. Këtu promovohen vlerat, kultura shqiptare e jona. Pak ditë më parë erdha nga Jordania dhe atje kam vizituar një panair të tillë. Panairet tona janë shumë të pasura, duke e ruajtur vlerat e traditat tona, nga folklori, ushqimi, veshjet tradicionale e deri te mikprerja dhe bujaria që ka populli jonë. Është për mërgimtarët është një ditë vërtet për t’i respektuar, sepse e duan vendlindjen e tyre. Ju dëshirojmë mirëseardhje në Kosovë”, thotë Fazliu.
Ergyle Gjurgjialo, ka marrë rrugë nga Prizreni vetëm për ta promovuar plisin, e produkte të tjera me vlera kombëtare. Thotë se mërgimtarët shprehin më shumë interesim për blerje të plisit.
“Jam prodhuese e plisave e gjithçka tjetër që lidhet me tradicionalen. Më shumë kam interesim të blerësve për plisin. Çdo mërgimtar që ndalet, blen një plis. Asnjë mërgimtar pa plis dhe asnjë shtëpi pa plis nuk kanë”, thekson Gjurgjialo.
Oda Ekonomike e Kosovës gjithashtu është një dorë e zgjatur për gratë të cilat merren me punë të tilla.
“Ky panair është më shumë se ekspozim i mallit, është panair që mund të gjendet edhe frymëzimi. Çdo shtand përfaqëson sakrificë që ka bërë, prej fillimit të biznesit. Pa fuqizimin e gruas nuk kem ekonomi të fortë. Është mundësi e mirë edhe për zgjerimin e tregut për këto zonja”, thekson kryetari i Odës Lulzim Rafuna.
Nga ky panair, 50 gra kanë përfituar për ekspozimin e prodhimeve artizanale, ato ushqimore, veshjeve kombëtare, pra gjithçka që i përket tradicionales.