Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

“Gratë në biznes” vjen si shpalosje tradite e pavarësie

Veshje kombëtare, jelekë, çorape e plisa janë bashkuar në një vend. Kjo falë punës së grave ndërmarrëse nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Panairi treditor “Gratë në biznes” i hapur në sheshin “Zahir Pajaziti”, të enjten, vazhdon të promovojë punën e ndërmarrëseve. E këtë po e bën pikërisht nëpërmjet artizanaleve që përfaqësojnë kulturën tradicionale. Shpalos mjeshtërinë e tyre në promovim të vlerave kulturore, por edhe pavarësinë ekonomike te gratë.

Njëra nga gratë që merret tash e dy vjet me punëdore, është edhe Mevlyde Muslia.

“Punojmë punëdore, çorape, qebe për fëmijë, qilima, veshje kombëtare, pizhama, jeleka. Çdo gjë që përfaqësoj këtu janë punëdore”, ka thënë ajo.

Aksesorët janë pjesë e pandashme e këtij panairi, ku blerësit e kanë rastin të shohin byzylykë, vathë e qafore.

“Punoj me bizhuteri punëdore qe gjashtë vjet, kemi produkte të ndryshme”, ka thënë Mihrije Canolli

Blerësit nuk janë të paktë, e njëra ndër to është edhe Tina Lupqi.

“Më pëlqeu shumë dhe ky s’është panairi i parë. Jam shumë e lumtur që më në fund femrat tona kanë mundësinë të shprehin punën e tyre”, ka thënë Lupqi. Sipas saj, mundi i grave dhe i vajzave nuk paguhet aq sa duhet.

“Kam blerë fillimisht mjaltë të Deçanit, pastaj çorape, bizhuteri, që janë punëdore e që shiten me një çmim shumë të ulët”, ka thënë Lupqi.

Në panair nuk mungojnë as mjalti, turshitë e ajvari. Nga Gjakova vijnë produktet e punëdoret e të mbijetuarave të dhunës seksuale, të cilat veprojnë në organizatën “Medica Gjakova”.

“Është e rëndësishme shumë, sepse gjithë ato gra i bëjnë këto punë dhe ‘Medica Gjakova’ ka punuar shumë për këto gra“, ka thënë Taibe Agushaj.

Panairi “Gratë në biznes” që vazhdon edhe të shtunën është mbështetur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me Agjencinë për investime dhe përkrahje të ndërmarrjeve në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm