Çdo ditë, Ornela Karaliti udhëton nga Ferizaj për në Prishtinë, për të ndjekur ligjëratat dhe praktikat që ofron Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit, në Universitetin e Prishtinës.
“Jam Ornela Karaliti, 19-vjeçare dhe studioj në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, në Universitetin e Prishtinës. Jam në vitin e dytë në bachelor. E kam zgjedhur këtë fakultet, pasi që jam aktive në sportin e gjimnastikës qe 6 vjet”, thekson Karaliti.
Ajo thotë se përmes këtij drejtimi merr njohuri të përgjithshme për sportet individuale dhe kolektive, por fokusin e ka në gjimnastikë.
Përveç angazhimeve në fakultet, Ornela punon edhe si ndihmëstrajnere në klubin e gjimnastikës në Ferizaj, ku përgatit fëmijët e vegjël në këtë sport.
“Me Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit ne i kemi të gjitha lëndët që lidhen me sporte të ndryshme, si atletika, noti etj. Si lëndë në vitin e dytë është sporti i gjimnastikës dhe noti. Unë më shumë jam e fokusuar në gjimnastikë. Me gjimnastikë në teori flasim për veglat dhe teknikat bazike, pastaj me stërvitje i praktikojmë. Në fakultet praktika e gjimnastikës mbahet vetëm një herë në javë, një javë në mbrëmje. Unë përveç në fakultet bëj stërvitje edhe individualisht. Jam edhe ndihmëstrajner në klubin e gjimnastikës në Ferizaj, ku merrem me grupmosha më të vogla. Të ardhmen e shoh që të jem trajnere, që të gjitha çka i kam mësuar t’i bart te gjeneratat e reja”, deklaron Karaliti.
Sportistja thotë se suksesi në çdo sport vjen me disiplinë e ushtrime të vazhdueshme.
“Gjimnastika si veçanti e ka elasticitetin edhe forcën. Gjithashtu edhe gjumi është i rëndësishëm për përqendrimin e çdo sportisti”, thotë Karaliti.
Për 6 vjet që merret me gjimnastikë, 19-vjeçarja ka marrë pjesë në shumë gara vendore, ku dhe është vlerësuar me disa çmime për performancat e saj.
“Kam marrë pjesë në gara të shumta në Kosovë, ku dhe kam fituar edhe çmime të rëndësishme”, shton Karaliti.
Besim Halilaj, si profesor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, që nga viti 2002, ka përcjellë gjenerata të shumta.
Halilaj thekson se numri i studenteve është në rënie, krahasuar me vitet paraprake.
“Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit është njësi akademike e Universitetit të Prishtinës. Në kuadër të këtij fakulteti kemi programe të akredituara si programin bachelor 4-vjeçar; kemi edhe dy nivele të tjera master, që janë master Edukim dhe Sport, si dhe master Trajner Sportiv. Në kuadër të programit bachelor jemi të kompletuar me lëndë që lidhen me sporte individuale dhe kolektive. Gjimnastika si lëndë është në vitin e dytë bachelor dhe është lëndë obligative, ndërsa në vitin e tretë gjimnastika është lëndë zgjedhore – akrobatikë - që është pjesë e gjimnastikës. Edhe pse gjimnastika nuk është shumë e njohur për opinionin sikurse sportet e tjera, në fakultet ka interesim nga studentët. Jo të gjithë e zgjedhin gjimnastikën si lëndë zgjedhore, por ata që e zgjedhin marrin më shumë njohuri rreth këtij sporti. Kemi një sallë ku mbahet praktika e gjimnastikës, dhe fakulteti i plotëson kushtet për zhvillimin e kësaj lënde”, thotë Halilaj.
Për Ornelën, gjimnastika nuk është thjesht sport, por edhe profesion i së ardhmes.