SOT

Naile Baliu – Neziri, nga puna në gjykatë, në angazhimin për dinjitetin e pensionistëve

Ka mbi 4 vjet që ka dalë në pension.

Nga një angazhim i madh që kishte si zyrtare ligjore në Gjykatën Themelore në Gjilan, kalimi në pension për Naile Baliu Nezirin nuk ka qenë i lehtë. Meqë e ndiente veten të fortë dhe që ende mund të kontribuonte në shoqëri, ajo menjëherë u kyç në një angazhim tjetër, në punën për mirëqenien e pensionistëve të Kosovës.

Ajo tani është anëtare e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës dhe përfaqëson pensionistët në regjionin e Gjilanit.

“Më herët kam punuar në Gjykatën Themelore në Gjilan si zyrtare ligjore. Kur kam dalë në pension, menjëherë kam dashur të bëj diçka për pensionistët dhe shpresoj t’ia arrij. Shoqata, si atëherë ashtu edhe tani, vazhdon të jetë në gjendje jo të mirë. Nënat tona nuk kanë punuar më herët, e ne po, prandaj ka qenë e vështirë kur kemi dalë në pension të qëndrojmë kot në shtëpi. Por me pensioniste të tjera vijmë këtu dhe e kalojmë kohën, e kam si punë të dytë. Edhe pse kam dalë në pension në moshën 65-vjeçare, unë e kam ndier veten mirë dhe që mund të vazhdoj të kontribuoj, prandaj kam dashur të vij këtu dhe të ndihmoj në këtë kategori që për vite me radhë është lënë pas dore”, tha Baliu Neziri. 

Pensionistja thotë se pensioni në ditët e sotme është degradues, saqë asnjëherë nuk mund të mendojë me atë të ardhur të blejë një dhuratë simbolike për nipërit apo mbesat e veta.

“Dita nis kështu, zgjohem, përgatis mëngjesin, drekën, pastaj vij këtu te Organizata e Pensionistëve dhe e kaloj ditën me pensionistë të tjerë. Me qëndru vetëm në shtëpi është shumë problem për ne që kemi punuar. Tash nuk mundemi me i ndihmu familjes fare, pensioni është i vogël, degradues, pensionistët janë të shkelur. Me këtë pension as për vete nuk ia dalim, e lëre më të ndihmojmë anëtarët e shtëpisë. Babai im kur ka qenë në pension e ka pas pensionin 70% të pagës dhe ka arritur të mbulojë shumëçka. E ne nuk kemi mundësi as një dhuratë t’ia bëjmë mbesës ose nipit për datëlindje, sepse pensionet janë tejet të vogla”, tha ajo. 

45 vjet kontribuoi në Gjykatë, e tani në pension shprehet se ndihet keq kur detyrohet të kërkojë të holla nga familja.

“Unë e ndjej veten të shkelur nga shteti, por jo nga familja. Nuk kam dëshirë të kërkoj mjete nga familja, pse ta bëj këtë kur kam punuar 45 vjet. Dua të kem një pension të dinjitetshëm, për vete të kem një jetë të mirë. Pensionistët nuk janë viktima, ne duam drejtësi. Kemi të drejtë ta kemi pensionin e dinjitetshëm. Qeveria merr vendim që paga minimale duhet të jetë 500 euro, edhe pensionet duhet të jenë të njëjta. Kjo çështje duhet rregulluar. Unë bëj thirrje për gjithë liderët që të rregullojnë Ligjin mbi Pensione. Siç është paga minimale, ashtu duhet të jetë edhe pensioni bazik, ndërsa ai kontributdhënës të jetë më i lartë”, tha Baliu Neziri. 

Gjendja ekonomike e pensionistëve nuk është e mirë. Sipas zonjës Naile, ka pensionistë që tërë ditën qëndrojnë jashtë në park dhe nuk kanë kushte për t’u shërbyer në kafene.

“Ende pa e marrë pensionin, ne ia bëjmë vendin. Duhet të ndajmë një pjesë për barna, për veshje, sepse në pleqëri duhet rregulluar dhe veshur mirë që të mos iu vijë të tjerëve keq ndaj teje, plakja është fat. Çdo ditë vij këtu dhe shoh pensionistë që tërë ditën qëndrojnë në park pa pirë e ngrënë asgjë, sepse nuk iu mjafton pensioni, nuk i kanë kushtet”.

Ajo përmend kërkesat bazike të pensionistëve në mënyrë që këtë periudhë ta kalojnë dinjitetshëm, siç e meritojnë.

“Bëj thirrje ndaj qeverisë që të formohet fondi pensional urgjentisht, të bëhet sigurimi shëndetësor, të njihet përvoja para dhe pas luftës, të trashëgohet pensioni nëse partneri ka vdekur dhe ka pasur pension më të lartë, atëherë të kalojë partnerit tjetër. Të rregullohet Ligji mbi skemën pensionale bazike që të jetë me pagën minimale, e kontributdhënësit të marrin pagën mesatare të shërbyesve civilë. Këto duam të rregullohen, ne nuk duam të viktimizohemi. Nëse këto rregullohen, ne nuk do të ankohemi më, sepse ato shkojnë paketë me rritje të pagave, rriten edhe pensionet”, tha Baliu Neziri. 

Ajo thotë se vendimin e fundit të Qeverisë nuk e sheh si fushatë, por ashtu do të duhej të ishte, sepse inflacioni gjithnjë është në rritje dhe ngjashëm duhet të jenë edhe të ardhurat e kosovarëve.

“Ne kemi bërë protesta vazhdimisht, kemi shkuar disa herë në takime, kur me ne ka biseduar asistentja e ministrit, por nuk ka qenë interesim i madh. Tani sekretar e kemi Mazllum Baraliun dhe nuk ka kuptim të mos na presin qeveritarët për të na dëgjuar ankesat dhe kërkesat që kemi. Qeveria për veteranët e luftës e bëri 50% munden me punu, edhe për ne me një urdhëresë administrative mund të rregullohet. Nuk besoj se rritja e pensioneve është fushatë, sepse duhet çdo vit të rriten pagat, andaj edhe pensionet rriten në fundvit sipas inflacionit”.

Pensionistja Naile Baliu Neziri është shembull i një gruaje aktive që edhe pas daljes në pension vazhdon të kontribuojë për komunitetin e saj. Ajo në vazhdimësi thotë se pensionistët nuk kërkojnë mëshirë, por drejtësi dhe kushte të mira për një jetë të qetë pas dekadave të punës.