Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka theksuar se pensionistët në Kosovë përballen me vështirësi të shumta dhe barriera administrative për të marrë të drejtën e tyre të pensionit. Ai komentoi vendimin e Gjykatës Supreme që shpalli të paligjshëm udhëzimin administrativ që detyronte pensionistët të paraqiteshin personalisht për të konfirmuar se janë gjallë, duke e konsideruar këtë vendim të drejtë.
Qelaj ka nënvizuar nevojën për reforma në sistemin pensional, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale për pensionistët, veçanërisht ata mbi 65 vjeç, të cilët shpesh përballen me mungesë shërbimesh për personat me çrregullime të shëndetit mendor.
“Pensionistët mendoj që janë kategoria më e diskriminuar në shoqëri momentalisht. Në çdo segment ku kemi hetuar kemi pranuar ankesa ose kemi marrë informata nga shoqëria civile se po ndodh diskriminim dhe e kemi hetuar në raport me pensionistë na ka dalë situata keq.”
Avokati ka kritikuar përdorimin e akteve nënligjore që shkelin parimin e ligjshmërisë dhe krijojnë pengesa për qytetarët, duke përmendur raste të ngjashme me doganat dhe komisionet për personat me aftësi të kufizuara. Gjykata Supreme ka vendosur se paragrafët e udhëzimit që ndalonin pagesën e pensioneve për moslajmërim të statusit të jetës janë të kundërligjshëm, duke shtuar se përgjegjësia për verifikimin i takon Ministrisë dhe jo pensionistit.
Aktualisht, pensioni i moshës në Kosovë është 150 euro, ndërsa pensioni kontributpagues sillet nga 218 deri në 318 euro në muaj, varësisht nga niveli i arsimimit./EO