Për nder të mësueses Trëndelina Berisha, në përvjetorin e dytë të vdekjes së saj, shkolla “Xhemajl Mustafa” jetësoi “Teatrin e Kukullave”, një ide e kamotshme e vetë mësueses. Si profesionistë të vegjël, nxënësit e klasës, të cilëve ajo u kishte dhënë mësim, aktruan përmes kukullave prapa perdes së teatrit.
Përmes kukullave po sjellin histori të ndryshme nga pylli i kafshëve.
Si profesionistë të vegjël, nxënësit e klasës 3/4 të shkollës “Xhemajl Mustafa” po e jetësojnë dëshirën e mësueses së tyre, tashmë të ndjerë, Trëndelina Berisha, të cilën e kishin pasur shumë për zemër.
“Teatri i Kukullave” ishte ide e mësueses Trëndelina, përmes së cilit synonte të sillte artin në përditshmërinë e nxënësve të të gjithë shkollës.
Në përvjetorin e dytë të saj, vepra dhe përkushtimi i madh i mësueses u nderuan pikërisht me shfaqje teatrale.
Të ftuar specialë në këtë shfaqje ishin edhe familjarët e saj. Dardan Berisha, vëllai i saj, thotë se janë krenarë për punën dhe veprën e saj.
“Kjo ka qenë një ide e kamotshme e saj por ajo fatkeqësisht nuk arriti të përfundonte punën që e ka filluar, mirëpo falënderoj stafin e shkollës, menaxhmentin, të cilët idenë e saj e realizuan pikërisht në dyvjetorin e ndarjes së saj nga jeta. Janë ndjenja të përziera, dhimbje por edhe krenarë për të gjithë punën që e ka bërë për këta fëmijë të kësaj shkolle. Pa dyshim që duhet të ketë gjithmonë aktivitete të tilla, ka shumë mësimdhënës të dalluar nëpër të gjitha shkollat e Kosovës. Apeli im është që këta njerëz të vlerësohen sa janë gjallë, ky do të ishte mesazhi im, jo vetëm kur të ndahet nga jeta”, thekson Berisha.
Për nder të saj një fjalë rasti në emër të të gjithë kolegëve e drejtoreshës së shkollës mbajti mësimdhënësja Valbona Hasani.
“Kanë kaluar dy vite nga ndarja e saj nga jeta, por prania e saj ndihet ende thellë mes nesh, në çdo cep të shkollës, në çdo zemër që ajo ka prekur me fjalën, dashurinë dhe përkushtimin e saj të palodhshëm. Trëndelina nuk ishte thjesht një mësuese, ajo ishte frymëzim, një zë i ndryshimit, model i përkushtimit dhe i dashurisë së vërtetë për nxënësit. Ishte ajo që solli teatrin në shkollën tonë duke hapur derën e artit, të krijimtarisë dhe ndjeshmërisë. Ajo shihet te çdo nxënës si pasuri që duhet zhvilluar, mbështetur dhe mbrojtur me dashuri e përkujdesje”, deklaroi Hasani.
Përkushtimi i saj ndaj punës ishte i pashoq.
“Në kohën e pandemisë ku shumëkush do të tërhiqej, Trëndelina tregoi guxim. Realizoj projektin online e para në Kosovë që solli një iniciativë të mësimit online. Me klasat e para organizoi ‘vallen vjeneze’”, thekson Hasani.
Mësimdhënësja Violeta Hyseni, Trëndelinën e kujton vetëm me kujtime të mira.
“Realisht kur kam filluar në shkollën “Xehmajl Mustafa” ka qenë një kënaqësi të njoh si kolege, shoqe por edhe si familjare. Kemi shumë kujtime të mira me mësuesen Trëndelinë, ka qenë punëtore shumë e madhe, një kolege shumë e mirë, shumë e dashur me fëmijë. Pikërisht është për të shënuar edhe përvjetorin e mësueses Trëndelinë. Ajo ka qenë ideatorja e teatrit në shkollën tonë dhe duke e diskutuar me koleget se çfarë do të bëjmë për fundvit, ideja ka qenë që ta përkujtojmë mësuesen më 12 qershor dhe të bëjmë teatrin e kukullave. Po shpresoj që do të bëhet traditë dhe të vazhdohet edhe nga kolegët e tjerë që vijnë”, deklaron Hyseni.
E nxënësit e saj, të cilët e kishin dashur shumë, e kujtojnë vetëm me mirësi.
“Po ndihem e gëzuar se dhashë shfaqjen se e kam planifikuar gjithë javën ta bëj këtë dhe jam shumë e gëzuar. Ka qenë mësuese shumë e mirë, më kujtohet si mësuesja që e kam pasur ndonjëherë. U mërzita që më la, sepse e pata për shpirt. Ajo nuk ishte e vështirë me ne dhe na donte shumë, më pati pëlqyer shumë”, thotë nxënësja Liza Berisha.
“Po ndihem mirë që e kam bo teatrin mirë. Ne e kemi bërë për mësuesen Trëndelinë, ka qenë shumë e mirë, e kemi bërë me shumë dashuri edhe i kemi bërë provat. Na ka dashtë shumë, na ka ndihmuar me detyra, kur kemi pasur kohë. Nuk mendoj që bëhem aktor, por mendoj që aktrimi im ka qenë i mirë”, shton nxënësi Erd Pronaj.
Për përkushtimin e treguar gjithë klasa mori mirënjohje nga mësuesja e tyre e re.