Lida Musliu para 7 vjetësh nisi të merrej me artizanale. Ajo punimet e veta të punuara me motive tradicionale, i ekspozon vazhdimisht në tregun mobil të kryeqytetit.
Musliu thotë se përmes tregut mobil më lehtë i ka shitur produktet e veta, të cilat kërkohen kryesisht prej turisteve dhe konsumatorëve të rregullt.
Me mbylljen e tregut mobil gjatë dimrit, Lida Musliu gjen alternativa të tjera për shitjen e punimeve, të cilat i ka punuar me përkushtim e mund.
Esat Deda në treg sjell mjaltin nga malet e Podujevës. Thotë se Komuna vazhdimisht mbështet tregtarët vendorë.
Ai shton se mjalti vendor është më i mirë se mjalti i fabrikuar apo që është me një cilësi më të dobët.
Lloje të lakrave, patate, kungull misri, spinaq e perime të tjera Osman Kryeziu i shet tri herë në javë në tregun mobil.
Thotë se me tregun është i kënaqur, teksa shton se me mbylljen e tij, produktet vendore i shet në shtëpi apo në panaire të tjera.
Në fillim të pranverës kur hapet tregu mobil, tregtarët sjellin produktet e tyre vendore në tezgat e tyre tri herë në javë nga ora 09:00 e mëngjesit deri në 17:00.
Çdo të martë treg ka në sheshin “Zahir Pajaziti”, të mërkurën në sheshin “Bill Clinton” Dardani dhe të enjten në sheshin “Adem Jashari” te platoja e Komunës.