SOT

Kryeqyteti me dyqan që fuqizon gratë e margjinalizuara

Produkte bulmeti, artizanale e gjithçka tjetër që shihet në këtë dyqan janë të përgatitura e të punuara nga gratë e Kosovës që kanë nevojë për mbështetje në fuqizim ekonomik, e prej tyre janë edhe gratë e mbijetuara të dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Dyqani i “Medica Gjakovës” ka kohë që është funksional në Gjakovë e qe një vit po  operon edhe në Prishtinë, ku klientë të ndryshëm furnizohen me produkte bio e të punuara nga duart e tyre. 

“Ky dyqan është i OJQ ‘Medica Gjakova’ që operojmë në disa sektorë, psikosocial, juridik, gjinekologjik dhe së fundi kemi formuar edhe atë ekonomik në bazë të të cilit është hapur dyqani i parë në Gjakovë dhe më pas edhe në Prishtinë për të ndihmuar gratë kudo nëpër Kosovë. Gratë furnizuese me produkte tona janë ato që kanë përjetuar dhunë në baza gjinore si dhe gra që merren me agrokulturë e artizanale, po ashtu i kemi përfshirë edhe familjarët e tyre për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik familjar, me kënaqësi i punojnë këto produkte e në të njëjtën kohë edhe krijojnë të ardhura për familjet e tyre”, thekson Viosa Meqa nga organizata joqeveritare “Medica Gjakova”.

Gratë furnizuese tani thonë se ndihen më të fuqizuara dhe më mirë duke ditur faktin se janë të zonja e produktet e tyre po kërkohen e pëlqehen në masë të madhe nga klientët.

Në këtë mënyrë vetë po krijojnë të ardhura financiare për familjet e tyre.

“Që nga fillimet tona kemi qenë në monitorim në terren, kemi takuar gra të ndryshme që merren me agrokulturë, me punë dore, kemi krijuar lidhje të mirë që janë ndier mirë dhe të kënaqura me bashkëpunu, në vazhdimësi kanë rritur biznesin e tyre e kanë ftuar gra të tjera që merren me këto veprimtari dhe ka ndikuar pozitivisht në vetëdijen e tyre që janë të afta të zhvillojnë produktin e tyre dhe të krijojnë të ardhura. Në projektin e fuqizimit ekonomik janë këto dyqane e ne edhe në terren ua mbledhim produktet që të jenë sa më afër konsumatorëve”, thotë Meqa.

Përpos dyqaneve, produktet e këtyre grave shpeshherë janë të ekspozuara në panaire të ndryshme ku klientët më të rëndësishëm e kanë faktin se po ndihmojnë në një kauzë të veçantë në fuqizimin e këtyre grave, e më pas e vlerësojnë produktin.

“Ne marrim pjesë edhe në panaire të ndryshme ku prezantojmë produktet e grave, klientët tanë e blejnë produktin duke ditur se po kontribuojnë në kauzë të veçantë, kemi dëshirë të zgjerojmë sa më shumë gamën e produkteve, në sezone të ndryshme kemi po ashtu produkte të ndryshme, shembull në kohën e mjaltit ne merremi me shpërndarjen e bletëve deri tek nxjerrja e mjaltit dhe klientët janë të informuar se kur vjen mjalti ata e pëlqejnë shumë dhe vazhdimisht vijnë e kërkojnë duke u interesuar edhe për punën e grave, mjalti është një produkt që kërkohet shumë nga klientët”, deklaron Meqa.
Ka prej grave që nga hiqi, përmes shitjes dhe promovimit të produktit që u bë në dyqanin e “Medica Gjakovës”, arritën të krijonin dhe të rrisnin biznesin e tyre.

“Çmimet diskutohet, por për klientët më e rëndësishme është se po kontribuojnë në të mirën e këtyre grave, e vetë gratë janë shumë të kënaqura, ndihen të fuqizuara kur e dinë se produkti i tyre kërkohet në masë aq të madhe, kemi storie suksesi vazhdimisht që gratë kanë të hyra të mjaftueshme për të kontribuuar në familjet e tyre”, thekson Meqa.

Përveç punës së grave, “Medica Gjakova” ofron edhe trajnime për cilësinë e produkteve që ato sjellin për shitje.

“Produktet janë të ndryshme duke filluar nga mjalti, turshi, produkte bulmeti, arra, lajthia. Në sezonin e verës kemi produkte të freskëta e në vjeshtë i konservojmë produktet, kemi punë dore të ndryshme çanta, piktura të ndryshme e tërë këto arrihen përmes trajnimeve që ne ofrojmë si për ushqime ashtu edhe për punë artizanale”, shton Meqa.

Organizata “Medica Gjakova” përveç shitjes së produkteve në dyqanet e tyre, po ashtu ndihmon gratë në përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore, mendore e fizike, duke i integruar ato në shoqëri përmes këshillimeve psikosociale, konsultimeve gjinekologjike dhe mbështetje ligjore për gratë e traumatizuara gjatë luftës në Kosovë dhe pas saj.