Të mbjella të shumta ka në fshatin e tij në Sllovi. Bujku Osman Kryeziu të gjitha kulturat bujqësore që i kultivon me dorën e tij i shet në Tregun mobil të Prishtinës.
Bujku Osman Kryeziu ka disa arë tokë të mbjellë me kultura të ndryshme bujqësore.
Ai ka rreth 10 vjet që merret me këtë punë.
Fermeri nga fshati Sllovi e Lipjanit më së shumti e kultivon specin somborkë, për të cilin thotë se kërkohet shumë në treg.
“Merrem që nga viti 2015. Punoj me bujqësi, i mbjell të gjitha perimet nga pak. Speca i kam 45 arë, kemi më shumë somborkë se e kërkon tregu më shumë dhe e kemi edhe domaten, por këtë e kemi më shumë edhe viti është i mirë edhe pse temperatura e nxehtë, është vit i mbarë. Jemi mundu me i ndenjur gati me ujitje, atë e bëjmë në mëngjes. Donë punë, kur i mbjellim duhet angazhim, punë, përgatitja e tokës, deri te marrin veten duhet të punojmë si me një fëmijë të vogël e pastaj është puna më pak. Vjeljen e kemi planifikuar kah fundi i korrikut. Ne do të fillojmë më 25 vjeljen e tyre. Dikush i mbjell më vonë, unë kam shkuar më herët, sepse pastaj po dalin në të njëjtën kohë në kohën e turshive. Unë kam shkuar më herët që të bëhen, një muaj më herët”, thekson Kryeziu.
Pas vjeljes së kulturave bujqësore, direkt nga bahçja, ai më pas i shet në Tregun mobil të Prishtinës.
“Bëjmë livrimin e tokës, shkojmë me pleh organik, edhe me pleh të stallës e pastaj shkon edhe me pak artificial. Nëse shfaqet ndonjë insekt duhet edhe stërpikje. Këto i shesim tri herë në javë në tregun mobil. Ata dalin shumë të kënaqur, thonë se po vërehet shija. Ne shkojmë me speca, domate, dredhëza, patate. Qytetarët po janë të kënaqur, po thonë se po vërehet diferenca prej atyre të importit, shija është ndryshe po thonë”, deklaron Kryeziu.
Përveç specit, sipas fermerit, një ndër frutat e tjera më të kërkuara janë edhe dredhëzat.
“Këtu e kemi bë përgatitjen për mbjelljen e dardhëzave. Kemi bërë sistemin, tashmë ka mbetur folia dhe fidanët e reja dhe presim prodhimin e mirë prej tyre. Me dredhëza kemi filluar së pari kur kam fillua bujqësinë dhe prej aty kam shkuar duke e rritur. Çdo vit kam shkuar duke e rritur dhe tashmë jam zgjeruar dhe mendoj të zgjerohem ende. Dredhëza kërkohet shumë se i shes me shumicë, por kam çuar edhe në treg atje dhe ma blejnë nëpër depo. Osman, mos e bir nga një kombi, por mbushe kamionin e sillna. Këto shkojnë prej bahçes e tek qytetarët”, shton Kryeziu.
Sa u përket subvencionimeve, ai ka një kërkesë për Ministrinë e Bujqësisë.
“Ja kom pa hairin, vetëm duhet me marrë seriozisht dhe angazhim dhe duhet me dashtë. Ka përfitime. Prej Ministrisë me të tregu të drejtën kam shkuar të aplikojë disa herë, por janë kushtet që nuk i plotësoj. I ka kushtet e rënda. Kisha bë thirrje që kur jepen grantet dhe serrat të jepen në shfrytëzim dhe njerëzit nuk i marrin me i shitë, por është mirë me ua bartë fermerëve të tjerë”, thotë Kryeziu.
E me domatet që i shet, thotë se qytetarët po ndahen shumë të kënaqur.
“Me domate shkojmë me fara hibride po janë më cilësore, sepse dinë të shfaqen fara shumë, i lëmë të pjekën më shumë. Është shumë e mirë dhe njerëzit kur e kanë provuar janë mbetur të kënaqur. Një zotëri nuk më besonte që i kultivoj vetë dhe kur e binda ka ardhur pas një jave ka thënë se kanë qenë tepër të mira dhe krejt kuzhina është mbushë me erë. Tregu mobil ia vlen të shesësh. Fillimi ka qenë i vështirë por tani është shumë mirë. E falënderojmë Komunën e Prishtinës që na e ka dhënë këtë mundësi për të pasur tregun ku t’i shesim perimet tona”, deklaron Kryeziu.
Fermeri nga Sllovia gjatë tri ditëve të javës pozicionohet në tezgat e Tregut mobil me produktet e tij bujqësore.
Tregu mobil i kryeqytetit është aktiv çdo të martë në sheshin “Zahir Pajaziti”, të mërkurave në sheshin “Bill Clinton” dhe të enjteve në sheshin “Adem Jashari”.