Gjethet shumëngjyrëshe, pemët dhe perimet e ngjyrat kafe, portokalli e gjelbër, janë elementet kryesore të temës së vjeshtës, të cilën vogëlushët e kopshtit “Milingonat” po e mësojnë.
Kjo temë është pjesë e standardeve të paraqitura nga Ministria e Arsimit për kopshtet dhe institucionet parashkollore.
Edhe pse kopshti e parashkollori janë pikënisja e rrugëtimit në arsim, ende nuk ka një kurrikulë tek e cila këto institucione mund të bazohen.
Kurrikula bërthamë për klasat përgatitore u është ofruar kopshteve e shkollave në vitin 2016.
Që atëherë, programet edukative të kopshteve zhvillohen në bazë të saj.
Për të gjitha temat që zhvillohen, edukatoret i përcjellin me aktivitete të shumta për të cilat herë pas here mbajnë trajnime.
Ato nga afër e shohin se çfarëdo teme edukative fëmijët e kuptojnë më së miri kur e mësojnë në praktikë.
Mungesën e një kurrikule të caktuar për këtë nivel po e sheh si problem edhe Rinor Qehaja nga instituti “EdGuard”.
Ai thotë se disa standarde të vendosura vite më parë, e një kurrikulë bërthamë është e paktë për mësim e edukim të mirëfilltë.
Edhe kopshtet private janë të njoftuara me këto dokumente, porse i tërë programi edukativ i tyre zhvillohet me anë të metodologjive të cilat zbatohen në orët mësimore.
Pavarësisht mungesës së një kurrikule në bazë të së cilës zhvillohet programi edukativ, fëmijët në kopshte e kalojnë kohën më të mirë me bashkëmoshatarët e tyre.