SOT

Hana Beiqi, notarja me synime drejt të artave për Kosovën

Notarja e njohur kosovare, Hana Beiqi, stërvitjet i nis menjëherë pas përfundimit të orarit mësimor. 
Me ushtrime intensive vazhdon dita e saj. 

Ka kaluar rreth 1 muaj që prej debutimit të saj në Lojërat Olimpike në Paris. Me t’u kthyer në Kosovë nisi me ushtrime shtesë për kondicion. 

Si 7-vjeçare Hana nisi të ushtrojë për not, i cili i solli suksese të njëpasnjëshme në vend e jashtë tij.  
“Kam filluar me notin qysh në moshën 7-vjeçare, së pari si hobi, pastaj gradualisht nisa me garën e parë, ku e fitova medaljen e parë, e rekordin e parë për Kosovën, derisa e arrita kulminacionin e garave si Olimpiadën”, thotë ajo.

Si notare e stërvitur në Kosovë, ajo përmend sfidat që e përcjellin. Prej tyre përmend problemet shëndetësore që vijnë si pasojë e ushtrimeve në pishinat me ujë të ftohtë gjatë dimrit. 

“Është vështirë për një sportiste kosovare si unë, ku as kushtet bazike nuk i kemi për të ushtruar. Nuk jam ndalur duke dërguar ankesa për përmirësimin e kushteve nga institucionet, që të kemi kushte më të mira e të kemi trajnerë edhe nga jashtë. Ka pasur raste kur gjatë dimrit jam sëmur në mungesë të ushtrimeve në një pishinë me ujë jo të ftohtë, por nuk jam ndal”, tregon ajo.

Emocion i ka dhënë paraqitja e saj në Lojërat Olimpike 2024, gjë që kishte synuar qysh në fillimet e saj si notare. 

“E kujtoj momentin kur u njoftova se jam kualifikuar në Komitetin Olimpik dhe prej atij momenti veç kam mendu si do të garoj, sepse ka qenë ëndërr për mua. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme për mua, sidomos edhe me prezencën e sportistëve të tjera nga Kosova, si Donjeta Sadiku etj”, thotë ajo.

Të mos i nënshtrohen paragjykimeve për ëndrrat që zgjedhin t’i ndjekin, është mesazhi me të cilin Hana i drejtohet të rinjve kosovarë. 

“Ndiqni ëndrrat e juaja. Vendosjani vetes një synim pavarësisht paragjykimeve që mund të keni, sidomos ne si vajza. Duhet ta dimë që jo çdokush dëshiron të të shoh në maja, prandaj duhet të vazhdojmë me qëllimin tonë”, deklaron ajo.

Potencialin e notares Beiqi e vlerëson lart edhe trajneri i saj Alban Dobroshi, i cili ka zgjedhur ushtrime specifike për të ushtruar me të. 

“Kam nisur me ushtrime tejet specifike me Hanën, sepse kam parë që pavarësisht aftësive të jashtëzakonshme që ka në not, ka nevojë për heqjen e peshës, ushtrimet me pjesët e këmbëve, gjë që do t’i ndihmojë në not. Por rëndësi ka që Hana është një vajzë tejet punëtore dhe me disiplinë, andaj besoj që rezultatin që e dua te Hana do ta arrij për 1 vjet e ndoshta edhe më shpejt”, thotë ai.

Hana Beiqi ka kërkesë të vetme rregullimin e pishinave në vend, gjë që do t’ua lehtësonte stërvitjet notarëve.