Edhe pse janë vetëm 5 kilometra në distancë nga Kaçaniku, megjithatë duhet ngjitur në mbi 1200 metra lartësi mbidetare për të shkuar në njërin prej fshatrave më të bukur të kësaj zone.
Bjeshkët e rrethojnë në të gjitha anët, e kjo ia shton edhe më tej bukurinë fshatit Ivajë.
Dikur ishin mbi 150 familje që bënin jetesën në këtë fshat, por më pas banorët filluan shpërnguljen në qytetet më të afërta të Kaçanikut. E tani kanë mbetur vetëm 63 familje, raporton KOHA.
Sipas kryetarit të fshatit, Agim Luta, Ivaja ka kapacitete të mjaftueshme që secili prej banorëve të kultivojë kultura të ndryshme bujqësore dhe blegtorale.
Ato që e bëjnë edhe më të veçantë këtë fshat janë edhe dy minierat të cilat janë të pasura me nikel, bakër e hekur.
Por, liqeni i Jezerit është vendi për të cilën krenohen më së shumti banorët e këtushëm.
Vikendi është periudha kur fshati pret më së shumti vizitorë.
Ky liqen është artificial, e në të zhvillohen gjallesa të ndryshme, të cilat e bëjnë edhe më atraktiv e tërheqës për turistë.
Fshati Ivajë, pos karakteristikave të shumta që ka, bashkon edhe tri rrymat e ajrit.