Mes fshatrave Kotlinë, Ivajë e Strazë të komunës së Kaçanikut shtrihet liqeni i Jezerit, pak i njohur si pikë turistike.
Ky liqen i cili krijohet gjatë pranverës së hershme është bërë një pikë atraktive për shumë qytetarë nga secili qytet i Kosovës.
Nexhadi Luta, banor i fshatit Ivajë, thotë se ky liqen është bërë pikë turistike për shkak të pozicionit dhe natyrës së pasur që e rrethon.
Liqeni që kryesisht mbushet nga reshjet atmosferike, sipas banorëve, për një kohë ka mbetur i izoluar, ku shkak për këtë ka qenë infrastruktura e rënduar.
E me hapjen e rrugëve alternative për të mbërritur deri te liqeni, përfaqësuesi i fshatit Ivajë, Agim Luta, thotë se këtu duhen filluar investime dhe se një ambient i tillë duhet ruajtur.
Liqeni i Jezerit po vlerësohet si pasuri që duhet mbrojtur edhe nga komuna e Kaçanikut, për shkak të shumë veçorive që ka.
Edhe
Nga 1 mijë në rreth 300 banorë, njihuni me fshatin turistik të Kaçanikut
Sipërfaqja në të cilën shtrihet ky liqen në këto fshatra të Kaçanikut sipas nënkryetarit të komunës Ylber Bajra, është në pronë private, çka e pamundëson investimin aktualisht.
Megjithatë, ai shton se komuna shumë shpejt do të nisë bisedimet me institucionet përkatëse për shpronësimin e saj.
Bajra tha se edhe në këtë pjesë ka ndikuar gjendja e krijuar me pandeminë COVID-19, megjithatë, thekson se përkundër kësaj, liqenit të Jezerit nuk i mungojnë vizitorët.