Është përmbyllur mbrëmë festivali Etnofest i cili për të 13-n vit me radhë është mbajtur në fshatin Kukaj.
Dikur njihej si Kukavicë, e ishte pothuajse tërësisht i braktisur. Por sot, ky fshat i pozicionuar thellë në zonën e Gollakut, ka vite që është bërë adresë e shumë artdashësve.
Ideja e regjisorit Fadil Hysaj, që të themelonte një festival ku shfaqen elemente të trashëgimisë dhe kulturës së jetesës ndër ne, ka shndërruar zonën në një atraksion që mbledh shumë vizitorë.
Në një ambient të ndërtuar tërësisht me motive natyre, ku dominojnë guri dhe druri, artistët kanë mbushur këndet me veprat e tyre pamore. Ndërsa në një javë të plotë, shfaqjet teatrale, koncertet dhe punëtoritë e ndryshme, vibrojnë një energji të paharruar për ata që frekuentojnë festivalin.
“Etno Festi ofron një lidhje kreative mes modernes dhe tradicionales. Ashtu siç është i emërtuar, është festival i arteve dhe kulturës tradicionale. Këto konsiderohen si vlera kombëtare. Duke përfshirë këtu pastaj edhe një mision tjetër që me i ndihmu artistët bashkëkohorë, dhe si me e sjell traditën në këtë vend, me e vendos në një hapësirë ku ajo ka me jetu, nëse mirëmbahet mirë dhe me u shërby brezave si një memorie kulturore që secili popull ka”, ka thënë Hysaj.
Regjisori Hysaj kujton fillet e festivalit dhe se si e gjeti fshatin me vetëm një familje rezidente.
Edhe
“Etno Fest” nis rrugëtimin e ri të shpërfaqjes së artit tradicional
“Është qendra më e madhe etnokulturore në Ballkan. Nga një fshat që nuk ka pasur asgjë, me vetëm një shtëpi të banueshme që edhe ata kanë pasë me u zhvendos pas 3 muajsh, kemi arritë me e rikthy jetën në fshat me aktivitete. Këtu qysh kur fillon vera, ka aktivitete të shumta që mbajmë me artistë të ndryshëm, performues e punëtori të ndryshme deri tek shfaqjet e te poezia. Është një kompleks veprimtarish që jo vetëm e mbajnë Prishtinën gjallë, por tërë Kosovën, në kuptimin kulturor dhe artistik”, ka shtuar ai.
Çdo vit festivali përmban një larmi programi të ngjeshur, i cili ka kohë që i ka tejkaluar kufijtë.
“Ka program shumë të gjerë, diku rreth 12 ekspozita, ka shumë shfaqje teatrale, perfromaca, program i gjerë i muzikës, nga ajo arkaike deri te muzika bashkëkohore. Ka program të gjerë të gastronomisë tradicionale, ku në njëfarë mënyre jemi mundu t’i rikthejmë recepturat antike në kuzhinën shqiptare, e cila mundet me qenë një investim i jashtëzakonshëm për turizmin kulturor dhe turizmin gastronomik, që njerëzit që vijnë në Kosovë me e provu ushqimin tonë që nuk e gjejnë në asnjë vend të botës. Mendoj se këtu kanë qenë në gjendje me e përjetu këtë ndjenjë, si në ushqim, gjithashtu edhe në art. Tetorin e kaluar e kemi pasë pikërisht në këtë skenë një shfaqje turistike, ku të huajt më kanë thënë se kanë përjetu diçka që asnjëherë në asnjë vend të botës nuk e kanë përjetuar”, ka deklaruar Hysaj.
Festivali është një mundësi e mirë për të ekspozuar dhe shitur punimet artizanale. Një mundësi të tillë e ka edhe Sabrije Hyseni.
“Unë jam Sabrije Hyseni dhe merrem me punime artizanale. Kam dëshirë që të punoj pandalur, por nuk i kam mundësitë. Unë si vajzë e re, kemi punu me nënën si 16-vjeçare e prej aty kjo punë më ka hy në gjak. Veglat e punës dhe punimet gjatë luftës na janë djegur dhe janë zhdukur. Unë i kam mësuar edhe gratë e tjera, edhe ato dinë shumë. Ku e kam pa që punojnë keq i kam përmirësu. Unë kam qejf me i mësu gratë e tjera e jua kam mësuar punën. I dua si motrat e mia. Më mirë me punu se me qëndru kot”, ka thënë Hyseni.
Edhe
“EtnoFesti” si akt rezistence në jehonën e thirrjes për identitet
Nga Elbasani bashkë me 22 pikturat e tij ka rrugëtuar artisti Klaudio Garunja.
Duke qenë se është hera e parë për të në këtë festival, gjithçka e përjeton me dashuri dhe emocion.
“Kam qenë i ftuar dhe shumë i lumtur që jam pjesë e EtnoFestit të edicionit të 13-të me temën “Liria”. Është hera e parë dhe po më duket shumë mirë. Kultura, emocioni dhe dashuria që përcjellin piktorët e Kosovës po më bëjnë të ndihem akoma më mirë dhe më i lirë siç vet tema”, ka thënë Garunja.
Themeluesi i festivalit, është i kënaqur që fshatin po e vizitojnë mosha të ndryshme dhe çdo vit e më shumë po rritet interesimi.
“Është rritur interesi i qytetarëve njëjtë, si kompleksi, pasi që këtu çdo vit veçse shtohet nga një ose dy objekte. Interesimi është jashtëzakonisht i mirë dhe është interesant se çdo vit ndryshon struktura sociale edhe kulturore e publikut. Kemi edhe shumë vizitorë të huaj që vijnë dhe mundohen me e lexu këtë festival. Vijnë shumë njerëz që duan fusha të ndryshme, prej artit deri tek ushqimi. Ka edhe prej tyre që vijnë vetëm të kalojnë kohë, vijnë për nejat që organizohen pas përfundimit të shfaqjeve. Fillojmë nga ora 12 e mesditës deri në ora 1 në mesnatë”, ka shtuar tutje Hysaj.
Edhe
“EtnoFesti” si akt rezistence në jehonën e thirrjes për identitet
Për të gjithë adhuruesit e “Etno Festit”, ky edicion ka sjellë risi. Ekspozimi i veshjes tradicionale “Xhubleta”, skulptura të ndryshme, punëtori të veçanta e deri tek artistë me karakter ndërkombëtar që kanë frekuentuar festivalin janë disa nga ngjarjet.
Arben Bajraktaraj, artisti shqiptaro-francez solli një performancë të veçantë bashkë me artisten Linda Rukaj.