Pasi globalizimi duket se i tendos fijet e identitetit, “EtnoFest” ka ardhur si një akt rezistence kulturore, por edhe si një shenjë e qartë se rrënjët nuk janë barrë, por janë themel. Përmes mozaikëve që flasin, kostumeve që kërcejnë me kujtesën dhe ekspozitave që eksplorojnë brendinë njerëzore në trajta shqiptare, edicioni i 15-të ka dëshmuar se arti nuk është thjesht pasqyrim i së kaluarës. Me temën “Identiteti”, ky edicion ka treguar qartë se pavarësisht se jetohet në një botë ku njerëzit ndajnë shumë gjëra njëri me tjetrin, prapëseprapë e veçanta, unikja është ajo që i dallon
Me t’u ngjitur shkallëve të portës hyrëse të etnofshatit Kukaj, bien në sy drunjtë bojëkafe që përkujtojnë të vjetrën, e aroma e flisë që piqet në saç kujton fëmijërinë, orvatjet e gjyshes që me duart e thata tërheq tërfurkun pasi t’ia vërë saçin sipër flisë. Në kombinim me këto gjurmë nga kujtesa të shfaqen veprat e artit, të cilat përmes mediumeve të ndryshme krijojnë njëfarë harmonie laramane, sikur të bëjnë thirrje në një udhëtim kohor. Të ekspozuara në skuta të ndryshme brenda atyre hapësirave, bashkë me performanca në veshje tradicionale shqiptare – nën ritmet e daulles e surles – të enjten mbrëma kanë shënjuar hapjen e edicionit të 15-të të festivalit të arteve dhe kulturës tradicionale “EtnoFest”.
Rikthimi me art te pikënisja
Me temën “Identiteti”, kjo hapje ka treguar qartë se pavarësisht se jetohet në një botë ku njerëzit ndajnë shumë gjëra njëri me tjetrin, prapëseprapë e veçanta, unikja është ajo që i dallon. Ndryshe prej herës së kaluar me moton që thërriste në trininë “Dashni, liri dhe lumturi”, e që kishte bërë bashkë numër të madh të publikut në kërkim të përgjigjeve në art e mbi të gjitha në argëtim, ky edicion jubilar ka sjellë thirrjen për kthim në identitet, një sfidë që në këtë shekull është globale, ndër shqiptarë mbetet domosdoshmërisht e kërkuar gjithandej. E përmes artit, etnokompleksi ka gjalluar një frymë të pastër shqiptare.
Në amfiteatrin e vjetër të pjesës ku për herë të parë kishte nisur ky festival, në fshatin rreth 25 kilometra nga Prishtina, kanë ndenjur në formë gjysmëharku, me duar në bel, anëtarët e etnoansamblit “Jahi Hasani” nga Çegrani i Gostivarit, duke pritur fjalën hyrëse të themeluesit të këtij festivali, regjisorit Fadil Hysaj, i cili me një ngjyrë të qetë të zërit ka rrëfyer fillin e gjithçkaje që shihej aty.
“Ajo që duam të bëjmë sot është t’ju kalojmë nëpër këtë gjithësi, duke nisur prej aty ku kemi filluar”, ka thënë ai para se të niseshin bashkë me të pranishmit drejt pjesës ku dikur kishte qenë zemra e festivalit.
Në kthinën e vogël që kur është ndërtuar ka shërbyer si qilar për kafshët dhe ushqimin për to, tani e restauruar e gjithsesi e ruajtur me të gjitha pjesët e lashta, është prezantuar vepra e Blerta Syla-Surroit, e cila me anë të qeramikës ka vënë në pah ekspozitën me titull “Kujtesë peshku”. Copëzat prej qeramike janë kombinuar me ngjyra të ndryshme, për të krijuar mozaikë me imazhe të peshqve, derisa dhjetëra të tillë kanë qëndruar të varura në muret e dhomës.
Me radhë pas saj është realizuar një etnoperformancë nga ansambli “Jahi Hasani”. Trupa që ka ardhur nga Çegrani i Gostivarit, me kostume tradicionale të asaj ane ka vallëzuar nën ritmet e daulles e surles, para veprave të Erëmira Belegu-Deçanit. Tash e sa vjet, Kukaj bën bashkë këso lloj ekspozitash e performancash që kombinojnë tradicionalen me bashkëkohoren.
“Kukaj është një dëshmi e madhe që artistët kontemporanë shumë mirë frymojnë me artin tradicional dhe kulturën tradicionale dhe mendoj se edhe muzika elektronike ka funksionuar për mrekulli, ka funksionuar arti abstrakt, ka funksionuar kostumi, sikur e pamë sonte të Çegranit të Gostivarit me kostumografi fantastike dhe me ato ngjyrimet e piktorëve në ekspozitën kolektive, gjithçka ishte një ndërlidhje”, ka thënë për KOHËN Fadil Hysaj, themelues dhe drejtor i festivalit.
Ekspozita me titull “Rebelja” e Erëmira Belegu-Deçanit, mozaik me qeramikë e me zhgun, ka sjellë tri vepra të veçanta. Tri gra shqiptare, tri identitete të ndryshme, e mbi këto, artistja ka shkrirë kreativitetin e saj në formë eksperimentale. E për këtë vepër ka folur Ibrahim Beqiri, mik i punës me Belegu-Deçanin.
“Erëmira e ka eksploruar kreativitetin në një formë shumë alternative dhe shumë eksperimentale, ku pllakat me të cilat ajo është rritur e jeton dhe ‘Kreativ Qeramika’ njihet për to, e ka sjellë në një formë tepër të mirë, pikturale, ku kombinimin e pllakave përmes formës së mozaikut dhe elementeve të tjera tradicionale si zhgunit apo elementeve të tjera që janë marrë prej çejzit të gjyshes së saj ose rollerat, është një variant tepër i mirë i kombinimit të materialeve që shpesh nuk mund t’i shohim”, ka thënë Beqiri për veprën trepjesëshe, e cila në total përbëhet prej pesë të tillave, një është e ekspozuar në Prizren në “Autostrada Biennale”, e një e ka në posedim këngëtarja Dua Lipa. E ai vetë është autor i ekspozitës “Bold Collection”, e cila në formë interpretimi ka paraqitur mobile të frymëzuara nga trashëgimia shqiptare.

“’EtnoFesti’ është njëri prej eventeve më të rëndësishme në aspektin kulturor, për shkak se është një moment kur e reflektojmë që trashëgimia jonë kulturore është e rëndësishme, por ajo çka kemi tentuar ne të bëjmë me koleksionin tonë ‘Bold Collection’ është që të tregojmë se trashëgimia nuk është vetëm një festival, nuk është vetëm një javë, është e përditshme, prandaj edhe qëllimi i produkteve, shkamave dhe tepihut, është interpretimi i elementeve të përditshme në një formë bashkëkohore”, ka shpjeguar veprën e tij Ibrahim Beqiri.
Njëra pas tjetrës janë prezantuar ekspozitat personale të artistëve. Nën tinguj të brishtë e melankolikë është prezantuar ekspozita “Gjama e tokës” e Sabri Behramajt, e cila me piktura dhe skulptura ka paraqitur një kontrast mes jetës tradicionale dhe realitetit tragjik të luftës.
Për të formuar një ekspozitë kolektive me titull “Një dhe shumë”, janë dhënë disa nga veprat që ka në posedim galeria “Qahili”. Në kuadër të kësaj, brenda një kthine të përbashkët janë prezantuar veprat e artistëve Mjellma Goranci-Firzi, Ferid Morina, Bardha Buza, Merita Maloku-Myderrizi, Vjosa Bujari-Maliqi, Agron Mulliqi, Nehat Beqiri, Lindita Beqiri, Eshref Qahili, Baki Abdullahu, Veli Blakçori, Nora Jashari, Musë Prelvukaj, Naim Spahiu, Hajrush Fazliu, Arben Shala, Luljeta Leci dhe Musa Kalaveshi.
Kuratorja e kësaj ekspozite kolektive, Nita Qahili, ka treguar se kjo ekspozitë vjen për t’iu përshtatur temës së sivjetme të festivalit.
“Sivjet ‘EtnoFesti’ hapet me temën ‘Identiteti’, është njëra prej temave që për mua është goxha interesante, për shkak se në art secili artist e ka një identitet të vetin dhe në këtë rast jemi munduar ta prezantojmë duke u marrë me hulumtimin e një pjese të punimeve që veç i kemi në koleksion të galerisë ‘Qahili’, ta prezantojmë një numër të atyre punimeve, për shkak se ka qenë pakëz koha e shkurtër e përgatitjes, si dhe një numër të artistëve t’i ftojmë që t’i bien punimet e tjera të reja që veç i kanë”, ka thënë kuratorja Qahili, duke shpjeguar procesin e përzgjedhjes së veprave që tregojnë kontrastin mes artistëve.
“Me punimet me artistët që veç janë prezantuar, që është bërë përzgjedhja, jemi munduar të prezantojmë artistët që dallojnë prej njëri-tjetrit, edhe nëse ata rrinë bashkë, kalojnë kohë bashkë, nuk është që në njëfarë forme direkte arrijnë të marrin diçka të tjetrit për ta pasur në punën e vet dhe në këtë formë është e krijuar kjo laramania e punimeve, që kur e këqyr, nuk kanë hiç lidhje me njëra-tjetrën dhe thua pse është kaq mishmash, por në anën tjetër është një identitet i përbashkët që secili e ka identitetin brenda”, ka shtuar ajo.
Përballë kësaj ekspozite kolektive janë vendosur edhe dy ekspozita personale, kuratore e të cilave ka qenë po ashtu Nita Qahili. “Mikrokosmos – Makrokosmos” nga Umit Inatçi dhe “Identiteti i fiksuar në fotografi” nga Yllka Fetahaj shprehin identitetin e tyre përmes fotografive.
“Përballë është ekspozita e Umit Inatçi, që është një artist nga Qiproja. Edhe ato punime janë pjesë e koleksionit të galerisë ‘Qahili’ dhe ai është një identitet komplet tjetër, është një identitet komplet tjetër prej krejt punimeve që janë të ekspozuara në ‘EtnoFest’, edhe fotografitë e Yllkës që janë prapë një medium komplet tjetër, domethënë mediumi i fotografisë që e tregon identitetin e Yllkës si Yllkë që është, arrin dhe i krijon fotografitë që fiksohet në një pamje shumë specifike që ne e shohim me syrin tonë, por jo domosdoshmërisht e ruajmë”, ka thënë kuratorja Nita Qahili.
Ekspozita me titull “Agony” nga Arbër Sahiti ka theksuar stilin surrealist me anë të pikturave bardhezi. Këto piktura që ai i ka përzgjedhur për edicionin e 15-të të ‘EtnoFestit’ janë pjesë e njërit nga dy ciklet që ai po përgatit për një ekspozitë të radhës.
“Pikturat që kam përzgjedhur në ‘EtnoFest’ janë të stilit surrealizëm dhe monokrom, një mënyrë për t’i shprehur ndjenjat e thella, mendimet e fshehura dhe përvojat njerëzore përtej realitetit të dukshëm. Kam përdorur tone të zbehta, jo vetëm për estetikë, por edhe për reflektimin e heshtur, shpirtin dhe kompleksitetin e brendshëm të njeriut. Inspirimin e gjej në përditshmëri, në kulturën tonë dhe në sfidat personale që po formojmë si artistë. Kjo ekspozitë është një ftesë për të parë më thellë, për të ndier më shumë sesa sheh syri”, ka thënë Arbër Sahiti për KOHËN.
Ekspozitat e tjera kanë përfshirë skulpturat kolektive me titull “Ridimensionime” nga Gëzim Muriqi, të punuara në dru, “Hije identitare” nga Ilirian Hima, “Shtëpi të zhdukura” me vizatime nga Lirim Shallti, Murali “Qilimi fluturues i gjyshes” nga Emona Deda, Laureta Vogliqi dhe Ron Halili, si dhe instalacioni fotografik “Të kam në mendje” nga Malda Susuri, e cila gjithashtu ka performuar me këngë shqipe në ndejën e organizuar pas prezantimit të veprave.
Ecja nëpër kohë dhe bërthama e frymëzimit
Të gjitha këto kanë qenë si rezultat i punës së madhe që është bërë në këtë etnokompleks, e “ëndërr të mirë” e ka konsideruar mbrëmjen themeluesi dhe drejtori i “EtnoFestit”, Fadil Hysaj.
“Është mbresëlënëse dhe pak si një ëndërr e mirë lëvizja e publikut, njerëzve nëpër galeri. Kanë shijuar ekspozitat, shijuan hapësirat, bëmë një lloj ecjeje nga fillimi kur ka filluar gjithçka, duke kaluar nëpër njërën pjesë, në tjetrën pjesë të këtij etnokompleksi. Publikun e njoftuam me atë se çka ka qenë arsyeja pse është themeluar ky festival, pse kemi pasur nevojë shumë për një ambient të tillë dhe për një festival të tillë, i cili nuk promovon vetëm vlerat e humbura të së kaluarës sonë, por mundohet t’i bëjë ato edhe një bërthamë frymëzimi për diçka që në të ardhmen është dashur të jetë një identitet i munguar i popullit tonë”, ka thënë ai, duke treguar se identiteti, jo vetëm si temë e sivjetme e festivalit, ka qenë përherë misioni kryesor i festivalit.
“Prej fillimit të ‘EtnoFestit’, identiteti ka qenë preokupimi ynë kryesor, mandej kemi lëvizur nëpër tema të ndryshme çdo vit, për të ardhur në këtë 15-vjetor, për t’iu rikthyer, si në kuptimin e përgjithshëm, pas një eksperience që e kemi pasur 15-vjeçare, e kemi parë se ku janë defektet tona si popull, nëpër çka kemi kaluar dhe cilat janë krizat nëse ky erozion moral ose erozion kulturor e gjuhësor vazhdon me këtë lloj rrokullisjeje të pandalshme”, ka shtuar ai.
Pasi globalizimi duket se i tendos fijet e identitetit, “EtnoFest” ka ardhur si një akt rezistence kulturore, por edhe si një shenjë e qartë se rrënjët nuk janë barrë, por janë themel. Përmes mozaikëve që flasin, kostumeve që kërcejnë me kujtesën dhe ekspozitave që eksplorojnë brendinë njerëzore në trajta shqiptare, edicioni i 15-të ka dëshmuar se arti nuk është thjesht pasqyrim i së kaluarës, por një mënyrë për ta përkthyer trashëgiminë në gjuhën e sotme.
Maratona e ngjarjeve në “EtnoFest”
Përveç natës hapëse me performanca e me ekspozita, “EtnoFest” do të vazhdojë deri më 20 korrik. Të premten ka sjellë etnoperformancën nga “Hareja e veteranëve” prej Prizrenit, “Të kam në mendje” nga Malda Susuri dhe Vjosa Sadriu-Hamiti, si dhe dramën “Të turpëruarit” në regji të Altin Bashës. Të shtunën mbahet koncerti “Ajo” nga Vjollca Robelli-Mripa dhe “Sarakassi Dancer” nga Kenia. Dita e diel e pret promovimin e librit “Memorie lufte” nga Blerina Rogova-Gaxha dhe një performancë nga ansambli “Vaçe Zela” nga Lushnja. Koncert e drama “Streha e nemun” e Ilir Bokshit do të mbahen gjithashtu të dielën.
Të hënën do të diskutohet për standardin dhe gegërishten, e pasuar nga një performancë “World Dance” nga Janet Reineck dhe ansambli “Opoja”, gjithashtu do të jepet drama “ADN” nën regji të Fatos Berishës. Të martën, ansambli “Dibra e Madhe” do të performojë dhe do të jepet shfaqja “Jam unë ajo” nën regji të Erson Zymberajt. E mërkura sjell debatin për identitetin kombëtar dhe religjioz, si dhe dramën “Arka Box” nga Mentor Zymberaj.
Dita e tetë, e enjtja, do të sjellë performancë nga ansambli “Ilirida” nga Shtimja dhe performancën “Dialog me traditën”, teksa të premten do të mbahet një punëtori tradicionale, do të diskutohet për artin e bisedës shqiptare dhe degradimin e saj, do të prezantohet ekspozita “Krusha ime”, e do të jepet drama “Engjëjt” nën regji të Naser Shatrollit.
Të shtunën do të mbahen performancat “Dialog me traditën” dhe ansambli “Bresana” do të ketë etnoperformancë. Do të diskutohet për identitetin gjuhësor, etnik dhe kulturor, si dhe do të jepet drama “Provinca” nën regji të Ard Islamit. Dita e fundit, e diela do të përcjellë një vizitë përreth fshatit Kukaj, do të mbahet ceremonia e mbylljes, si dhe do të ndahen çmimet e festivalit. Përveç të gjitha këtyre, në secilën natë do të ketë ndeja me muzikë shqip.