Festivali i artit dhe kulturës tradicionale “Etno Fest” ka hapur dyert për të 12-n herë në fshatin Kukaj. Organizimi edhe sivjet ofron një mozaik të kulturës tradicionale dhe përtej saj. Me ekspozita, shfaqje, performanca e deri te mbrëmje muzikore, “Etno Fest” edhe sivjet e shndërron fshatin në periferi të Prishtinës në një vendtakim të artistëve dhe audiencave të ndryshme.
Te shtunën, nëpërmjet një programi të pasur Festivali ka qenë nikoqir i publikut të shumtë e po ashtu edhe udhëheqësve institucionalë. Deri më 9 shtator, Festivali do të jetë nikoqir i artistëve nga mbarë hapësirat shqiptare.
Sa u përket ekspozitave, në kompleksin e festivalit kanë zënë vend punime të artistëve të njohur si Muslim Mulliqi, Fatmir Krypa, Suad Rama, Butrint Kabashi, Drenusha zajmi, Nagip Tashi. Paraqitjet e tyre do të jenë në ekspozita personale, përderisa në një ekspozitë kolektive me veprat e tyre janë të pranishëm dhjetëra artistë si Musë Prelvukaj, Skënder Idrizi, Hajrush Fazliu, Bardha Buza, Agron Mulliqi e shumë emra të tjerë.
Në natën hapëse të edicionit të sivjetmë, mjeshtrja Aziza Shefitagiq ka bërë teleisjen e nuses dhe janë hapur po ashtu ekspozitat me fotografi të Muzeut Etnologjik të Kosovës e janë mbajtur punëtori të zejeve tradicionale që rrezikojnë të zhduken.
“Nata e jareve shqiptare” ka qenë pjesa tjetër e “menysë” me Anila Hoxha-Gjermeni si soliste e Synjona Paplekajn në piano. Për meraklinj të muzikës Frederik Ndoci ka interpretuar deri në orët e vona.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka qenë i pranishëm në mbrëmjen hapëse të edicionit të sivjetmë. E ka përshkruar atë si të veçantë. Sipas Çekut, mes bukurive të natyrës së fshatit Kukaj, të pranishmit kanë shijuar çdo moment të programit artistik të Festivalit që ka sjellë një model të ri të menaxhimit të hapësirave kulturore në vend.
“Një koncept i shkëlqyer që shërben si shembull se si mund të transformohet një hapësirë për t'i shtuar vlerë kulturore dhe potencial turistik një vendi, duke ruajtur dhe promovuar traditat tona”, ka thënë Çeku nëpërmjet Facebookut. Sipas tij, ishte kënaqësi e veçantë të ndjekin perfomancat, shfaqjen, ekspozitat dhe programin që ishte i paraparë për natën e parë dhe që do të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera.
“Përgëzime për drejtuesin e Festivalit, Fadil Hysaj, dhe ekipin për punën e palodhshme që kanë bërë që ky festival të rritet çdo vit dhe të shndërrohet në vlerë artistike për vendin tonë”, ka përfunduar Çeku.
E kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ndër vite festivali “Etno Fest” është bërë platformë qendrore për shpalosjen e kulturës materiale e shpirtërore mbarëshqiptare.
“Për disa ditë me radhë do të keni rast të ndiqni shfaqje, ekspozita, instalacione, performanca e diskutime mbi aspekte të etnografisë shqiptare, e të shijoni specialitete të kuzhinës tradicionale”, ka thënë Rama. Sipas tij, themeluesi i Festivalit, dramaturgu, regjisori e profesioni universitar, Fadil Hysaj, së bashku me ekipin e tij po e pasurojnë jetën kulturore nëpërmjet organizimit të tyre.
“Mos e humbni rastin për të përjetuar vlerat të cilat shpalos ky festival”, ka shkruar Rama në Facebook.
Zhanre të ndryshme të muzikës, punëtori, ligjërata e diskutimeve do të zënë vend në programin e Festivalit deri në natën përmbyllëse. Si platformë që nxjerr në pah kulturën tradicionale, “Etno Festi” çdo vit gjurmon në të kaluarën dhe e bën artin e kohëve të vjetra të qasshëm për audiencat e të gjitha moshave.