Është hera e 9-të që Dita e Çlirimit në Komunën e Ferizajt manifestohet në një mënyrë shumë të veçantë.
Në këtë ditë përkujtimore për të gjithë qytetarët e vendit, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me të rinjtë dhe me mbështetjen e Komunës së Ferizajt, edhe këtë vit organizon minimaratonën "Vrapojmë bashkë me Policinë tonë".
Për çdo blerje të bluzës në aktivitet, me çmim prej 5 eurosh, qytetarët kontribuojnë në krijimin e një fondi dhe të gjitha të gjitha të hollat e mbledhura nga shitja e bluzave do të shkojnë në ndihmë të disa familjeve me vështirësi financiare.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tregon se në aktivitetin që do të mbahet në Ditën e Çlirimit do të përshkojë një shteg prej 5 kilometrash dhe fton të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti.
“Drejtoria e Ferizajt po organizon mini-maratonën tradicionale ‘Vrapojmë me policinë tonë’ që ka filluar që nga viti 2016, tani është viti i 9 i këtij organizimi i cili është bashkë me të rinjtë ferizajas dhe komunën. Këto bluza kanë kosto prej 5 euro, mjetet e grumbulluara do shpërndahen te familjet në nevojë nga Qendra sociale në Ferizaj. Aktiviteti mbahet më 12 qershor nga ora 11:30, fillojmë nga salla ‘Bill Clinton’ në një shteg 5 km e deri tek rreth-rrotullimi që qon tek parku i lirisë dhe anasjelltas”, thekson Veseli.
Sipas tij, gjatë 9 vjetëve të fundit ka pasur gjithmonë interesim për blerjen e bluzave, por këtë herë janë tejkaluar të gjitha pritshmëritë, pasi vetëm brenda një dite janë shitur rreth 400 bluza, një rekord i ri për këtë aktivitet.
“Vit për vit interesimi i qytetarëve është i madh, sivjet i ka tejkaluar pritjet tona, për një ditë diku rreth 400 bluza janë shitur nga vullnetarët kanë mbetur edhe pak copa, interesimi duket më i madh sepse aktiviteti është sportiv, rekreativ dhe human. Ky aktivitet është i hapur për gjithë përfshirë edhe institucionet, deri ne ditën e fundit gjithë qytetarët mund të vijnë dhe të na bashkëngjitën”, shton Veseli.
Sipas tij, familjet që do të përfitojnë nga ky aktivitet bamirës do të përzgjidhen nga Qendra për Punë Sociale në Ferizaj.
“Pasi të përfundoj gara shihet shuma e mbledhur më pas ato ndahen për disa familje me gjendje te rëndë ekonomike dhe qendra për punë sociale i gjen familjet më pas i shpërndajmë mjetet”, shton Veseli.
Përveç kalimtarëve të zakonshëm, pjesë e minimaratonës po bëhen edhe mërgimtarë që tashmë i kanë filluar pushimet verore në vendlindje.
Njëri prej tyre është mërgimtari Blerim Spahia, i cili së bashku me shokun e tij gjerman, të dy policë në Gjermani, u ndalën menjëherë sapo panë aktivitetin e Policisë së Kosovës.
Të dy shprehën interesim, blenë nga një bluzë të maratonës dhe janë të gatshëm që të enjten t’i bashkohen vrapimit së bashku me Policinë e Kosovës.
“Unë jam nga Ferizaj por jetoj ne Gjermani dhe shoku im është gjerman e kam marr për të vizituar vendin tonë dhe duke kaluar këndej na erdhi interesant për aktivitetin që po mbahet këtu dhe u afruam morëm informacione, meqë edhe ne e bëjmë punën e njëjtë në Gjermani po u bashkohemi në aktivitet. Edhe atje ka ngjarje të tilla dhe besoj është shumë mirë që të aktivizohemi gjithë në këso aktivitete bamirësie, unë dhe shoku do vrapojmë të enjten bashkë me policinë e Kosovës”, deklaron Spahia.
Bleona Karaliti, vullnetarja që ka qenë e angazhuar në shitjen e bluzave, tregon se kishte qytetarë që ofronin të holla sapo kuptonin qëllimin humanitar të iniciativës. Madje disa prej tyre, thotë ajo, paguanin më shumë sesa çmimi simbolik i bluzës, vetëm për të dhënë kontributin e tyre.
“Sot jemi këtu për të shitur bluza në vlerë të 5 euro për të i ndihmuar familjet në nevojë, unë sot këtu jam në rolin e vullnetares dhe kam dashur me iu dal në ndihmë policisë, ka pas qytetarë që kane dhuruar të holla më shumë se sa kostoja e bluzës vetëm pse e kanë ditë arsyen e kauzës, për mu është shumë e rëndësishme të marr pjesë në këso aktivitete kurdo që është nevoja të ndihmojmë familjet që nuk janë në gjendje të mirë ekonomike”, thekson Karaliti.
Ky aktivitet, përveçqë ka një qëllim humanitar, është gjithashtu edhe sportiv dhe rekreativ, gjë që ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe ka bërë që interesimi i tyre të rritet çdo vit e më shumë.