Pozita gjeografike, në mes dy kryeqyteteve, Prishtinës dhe Shkupit, ia ka dhënë Ferizajt avantazhin për t’u zhvilluar si nyjë e rëndësishme e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. Por ky zhvillim i shpejtë, është përcjellë me sfida në planifikim dhe infrastrukturë. Përtej zhvillimit e investimeve milionëshe nga sektori publik e nga kompanitë private, qytetarët e Komunës me 109 mijë banorë përballen edhe me probleme shumë bazike, si mungesa e ujit
Makinat me targat 05 qarkullimin nëpër qytet e bëjnë sa mbi tokë, aq edhe nën të. Për të kaluar nga lindja në perëndim, ato duhet të zhyten në tunelet nëntokësore për t’iu shmangur hekurudhës që e ndan qytetin në dysh. Por sapo dalin sërish në sipërfaqe, përballen me një tjetër sfidë, një peizazh të mbingarkuar me ndërtesa shumëkatëshe, shpesh pa rend e pa distancë, të ngritura mbi një plan zhvillimor që tashmë është shfuqizuar nga gjykata.
Mes shtigjeve nëntokësore dhe etjes për ndërtim në lartësi, qëndron Ferizaj, qyteti i dytë më i madh në Kosovë, i cili vitet e fundit ka ndryshuar më shumë se çdo komunë tjetër në pamje e volum.
Pozita gjeografike, në mes dy kryeqyteteve, Prishtinës dhe Shkupit, ia ka dhënë komunës avantazhin për t’u zhvilluar si nyjë e rëndësishme e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. Por ky zhvillim i shpejtë urban, i shtyrë më shumë nga dinamika sesa nga drejtimi, është përcjellë me sfida në planifikim dhe infrastrukturë.
Përtej zhvillimit e investimeve milionëshe si nga sektori publik e si nga kompanitë private, qytetarët e Komunës me 109 mijë banorë përballen edhe me probleme shumë bazike, si mungesa e ujit.
Fatime Zymberi banon në këtë qytet. Ajo e përmend mungesën e ujit si një problem që e përcjell gjatë tërë vitit.
“Për çdo ditë përballemi me ujë, ujë nuk kemi mjaftueshëm; mbeturinat na mbysin ka të shkosh, nuk largohen as me rregull, as me kohë... Më shumë se tri-katër orë nuk kemi (v.j. ujë) brenda 24 orëve. Dimrit nuk kemi kurrë natën, a verës nuk kemi, as natën, as ditën”, ka thënë Zymberi.
Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm nuk janë të reja, por për shumë banorë ndjeshmëria ndaj tyre rritet në prag të zgjedhjeve, kur kërkohen përgjegjësi dhe premtohen zgjidhje.
Më 12 tetor, qytetarët e Ferizajt do t’iu drejtohen kutive të votimit për ta zgjedhur kryetarin e ri të komunës dhe përbërjen e re të Kuvendit Komunal.
Në garë për edhe një mandat është Agim Aliu i Partisë Demokratike, i cili e udhëheq komunën që nga viti 2017. Në zgjedhjet e kaluara, Aliu fitoi në raundin e parë me mbi 62 për qind të votave, duke e lënë pas kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe atë të LDK-së.
Kryetarit aktual, këtë vit, përballë do t’i dalë Visar Azemi, kandidat i Lidhjes Demokratike, me synimin që ta mobilizojë elektoratin e humbur. Para ardhjes së Aliut, Ferizaj udhëhiqej nga LDK-ja, por në zgjedhjet e fundit lokale kjo parti ra e treta e s’i arriti as 10% të votave.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka caktuar kandidatin për Ferizaj. Kjo parti sfidë e ka që në zgjedhjet lokale ta bartë suksesin e arritur në zgjedhjet parlamentare.
Në zgjedhjet e përgjithshme, të 9 shkurtit të këtij vitit, Vetëvendosja i mori 29 mijë vota, thuajse dyfishin e partisë së dytë, PDK-së. Por në ato lokale të tetorit të 2021-tës, kandidati i LVV-së Valon Ramadani doli i dyti, me 12 mijë vota ose 26%, ndonëse tetë muaj më parë, kjo parti në zgjedhjet nacionale arriti në 62 për qind të votave, apo 35 mijë gjithsej.
Në një qytet me ritme kaq të larta të ndërtimeve dhe projekteve, disa zona ende nuk kanë arritur ta shohin në realitet një prej nevojave më elementare ujësjellësin funksional. Në fshatin Sojevë, vetëm pak kilometra larg qendrës, një banor thotë se gypat janë vendosur prej vitesh, por rrjeti s’është bërë kurrë funksional.
“Ujësjellësin s’e ka. Qe pesë vjet i kanë sjellë gypat nëpër rrugë i kanë shpërndarë, rrjet nuk ka, ujë s’ka... Verës kemi probleme (v.j. me ujë), por për pije e blejmë, sepse i pa pijshëm është uji puseve”, ka thënë një banor i Sojevës.
Uji, premtim para çdo palë zgjedhje
Mungesa e ujit, sidomos në periferi, është ndër temat që merr vëmendje në fushatat zgjedhore. Por, në shumë raste, premtimet mbesin aty ku janë vendosur gypat vetëm në sipërfaqe.
Zyrtarët komunalë i pranojnë disa nga problemet e listuara nga banorët, por thonë se për një pjesë të madhe të tyre fajin e mban niveli qendror.
Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, thotë se për çështje si furnizimi me ujë, komuna ka kompetenca të kufizuara.
“Nga viti 2021, në fund të vitit 2020, Bifurkacioni që është kompani regjionale dhe është organi kompetent edhe për ujësjellësin edhe për kanalizimin, dhe në këtë rast me një vendim qeveritar të gjitha pjesët e ujësjellësit, KRU-të janë bërë pjesë e nivelit qeveritar dhe pjesët e komunave, në këtë rast edhe ajo e Ferizajt, kompetencat karshi Bifurkacionit i ka zero”, ka thënë Marevci.
Megjithëkëtë, në opozitë thonë se prapa fasadës së transformimit të shpejtë urban fshihen probleme të thella të planifikimit dhe trajtimit të interesit publik.
Fatbardha Zogaj-Reka është kryetare e degës së Vetëvendosjes në Ferizaj. Ajo thotë se qyteti është zhvilluar në kurriz të qytetarëve dhe se politikat urbane nuk janë ndërtuar mbi vizionin, por mbi interesin.
“Një qytet është ngulfatur prej ndërtesave gjigande apo përbindëshe siç i quaj unë. Edhe oborret e shkollave janë zënë për ndërtime të larta. Ka ndërtesa në oborret e shkollave, të cilat, kanë distancë me dritaret e klasës vetëm katër metra”, ka deklaruar ajo.
Ndërtimi “i paligjshëm”
Një pjesë e madhe e ndërtesave, sidomos ato mbi 10 kate, janë ndërtuar përgjatë 8 vjetëve të fundit, pas miratimit të Planit Zhvillimor Komunal për periudhën 2017-2025. Por në janar të këtij viti Gjykata e Apelit e shfuqizoi këtë plan dhe e shpalli të pavlefshëm.
Edhe zëdhënësi i Komunës e pranon që ndërtimet shumëkatëshe kanë qenë problematikë që e ka përcjellë qytetin viteve të fundit, por thotë se ekzekutivi i kryetarit Aliut ka qenë pa opsione për të vënë rregull në këtë drejtim, pasi kur ka ardhur në pushtet më 2017, Plani Zhvillimor ka qenë i miratuar.
“Ne jemi të obliguar pastaj të punojmë me këtë Plan Zhvillimor Komunal, pavarësisht se Gjykata ka marrë në fund disa vendime dhe jemi në pezullim edhe të kësaj PZHK-je, ne jemi në fillimin e fazës së përfundimit të nënshkrimin e kontratës për planin e ri komunal. Mirëpo në atë kohë, në vitin 2018, kryetari përmes kuvendit dhe asamblistëve tanë pati kërkuar plotësim-ndryshimin e Planit pikërisht për këto problematika që po i hap me të drejtë, mirëpo në atë kohë Ministria e Mjedisit nuk ka lejuar as edhe një pikë të ndërrohet PZHK”, ka thënë Marevci.
Në vazhdimësi të zhvillimit urban, Komuna e Ferizajt i ka ndërtuar disa nënkalime me synimin për ta lehtësuar qarkullimin dhe për t’i lidhur dy anët e qytetit që ndahen nga hekurudha. Projektet janë prezantuar si zgjidhje për problemet e trafikut, por për efektet e tyre reale ka mendime të ndryshme.
Në komunë insistojnë se nënkalimet e kanë përmirësuar dukshëm kohën e qarkullimit.
“Për ta përshkuar rrugën e pjesës së tjetër të qytetit deri te Spitali i Ferizajt, diku është dashur gjysmë ore që pjesa lindore e qytetit të shkojë te Spitali dhe në këtë rast, sipas fizibilitetit fillestar që është bërë, tanimë edhe fizibiliteti real nga qytetarët e Ferizajt është diku nja tre minuta deri pesë minuta për të arritur të Spitali”, është shprehur zëdhënësi Marevci.
Vlerësim të njëjtë për këto projekte ndan edhe qytetari Rrahim Xhemajli.
“Ferizaj është zhvilluar bukur mirë. Me këto tunele e kanë zgjidhur problemin e komunikacionit. Ferizaj për momentin nuk ka kurrfarë problemi, nuk i mungon asgjë. Mirë është, uroj që vazhdon kështu”, ka thënë Xhemajli.
Por jo të gjithë i përjetojnë kështu ndryshimet.
Shaqir Ramadani është nga ky qytet, por jeton në Danimarkë. Ai thotë se vjen në Ferizaj çdo verë, dhe se problemet me qasjen në qytet dhe sigurinë në lëvizje nuk janë zgjidhur.
“Problemi numër një është komunikacioni, nuk po shoh diçka pozitive të them të drejtën, edhe pse i ka bërë nënkalimet... Shembull, nëse është dikush i sëmur, më ka ra rasti këtu ka mbete autoambulanca s’ka ka shkon, sepse nuk kanë kah ikin edhe veturat, normal kur janë edhe mërgimtarët bëhemi pak më shumë, por nuk ka ku të shkosh. Trotuaret, ne duhet të dalim në rrugë kryesore kur të ecësh në trotuar, nuk ka trotuare. Për njerëz me aftësi të kufizuara nëse jemi në karrocë, nuk kanë kah të shkojnë”, ka theksuar Ramadani.
Oponentë të kryetarit Aliu thonë se nënkalimet janë ndërtuar më shumë për propagandë sesa si zgjidhje afatgjatë.
“Me këto nënkalimet e famshme të kryetarit Aliu jemi bërë të njohur dhe viralë te çdokush. Por sa janë zgjidhje për neve? Sa janë zgjidhje për vetë qytetarët? Aq sa kemi parë video ndriçuese të fishekzjarrëve në momentet e përurimeve të tyre, shumë më shumë kemi parë video të ndryshme të defekteve që kanë sjellë në qytet pikërisht ato nënkalime ose të ndërtimit ‘shkel e shko’ që ato e kanë pasur”, ka thënë Zogaj Reka nga LVV-ja.
Opozita kritikon projektet që u promovuan më shumë bujë
Opozitarja Zogaj-Reka thotë se, edhe pse projekti i nënkalimeve është promovuar nga komuna si mjet për ribashkimin e qytetit, në praktikë ka prodhuar ndarje të reja. Sipas saj, kalimi nëpër tunele ua ka kufizuar qytetarëve lëvizjen e lirë, duke ua diktuar se nga mund të kalojnë me vetura, ndërsa për këmbësorët, sidomos ata që e përshkojnë qytetin çdo ditë, lëvizja është bërë më e vështirë e më e kufizuar.
“Gjithashtu është një zgjidhje ndoshta për ata që vijnë dhe kalojnë në qytetin tonë me mjete automobilistike, por nuk është zgjidhje për ne qytetarët që lëvizim në këmbë... me këto nënkalimet edhe mbylljen që iu është bërë qytetit për këmbësorët, ndarja që iu është bërë qytetit, sidomos për neve këmbësorëve, duke aluduar në bashkim të qytetit e që vetëm bashkim nuk është”, ka deklaruar ajo.
Si kundërpeshë për ndërtimet e larta që e kanë karakterizuar Ferizajn vitet e fundit, zyrtarët komunalë thonë se në mandatin e ardhshëm prioritet do të jetë krijimi i më shumë hapësirave të gjelbra dhe parqeve publike.
Zëdhënësi i Komunës thotë se një nga projektet më të mëdha në këtë drejtim është afër përfundimit.
“Kryetari tash së fundi ka marrë..., tash së fundi e kemi gati në përfundim pjesën e parkut më të madh që do të jetë te ‘Sherretët’, siç njihet tek ferizajasit, do të jetë një atraksion i jashtëzakonshëm jo vetëm për qytetarët e Ferizajt, por për të gjithë ata që gravitojnë në Ferizaj, sepse do të ketë atraksione të shumta, prej pyllëzimit të asaj pjese, stolat”, ka thënë Marevci.
Zëdhënësi Marevci e akuzon nivelin qëndron të pushtetit, që është udhëhequr nga Vetëvendosja prej 2021-tës, se i ka bërë pengesë komunës në krijimin e zonave të gjelbra në qytet.
“Ne kemi projekt pastaj edhe te pjesa e ish-stacionit të autobusëve tashmë që do bëhet edhe një park i ri për Komunën e Ferizajt. Mirëpo, fatkeqësia është diku tjetër për pjesën e gjelbërimit. Ne kemi pasur projekt konkret te pjesa e Gjon Sereçit, ku ka pasur të rrënohet ajo shkollë për shkak se tash kemi numër të madh të objekteve shkollore, mirëpo fatkeqësisht në atë kohë, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku. Me një vendim arbitrar e pat fut pjesën e Gjon Sereçit si trashëgimi të përkohshme kulturore pavarësisht se ligji thotë se kjo duhet bërë në koordinim të plotë me kryetarin e Komunës”, ka thënë ai.
Por kryetarja e degës së Vetëvendosjes në Ferizaj thotë se bllokim të projekteve, ndonëse në një sektor tjetër, nuk i ka bërë qeveria, por komuna.
“Sfidë në vete ka qenë ky sabotimi që i është bërë qeverisë, duke mos pranuar asnjë projekt të ofruar nga qeveria jonë. Ja një shembull, po nisem prej çerdheve. Çerdhet e zgjidhin shumë probleme jetike të qytetarëve, për shembull punësimin, organizimin familjarë etj. Në Ferizaj në këtë mandat nuk është ndërtuar asnjë çerdhe, megjithëse qeveria, përkatësisht Ministria e Arsimit ka ofruar, me arsyetimin se nuk kemi parcela, vend ku mund të ndërtohet ndonjë çerdhe në qytet”, ka theksuar Zogaj Reka.
Zogaj Reka e ka kritikuar edhe qasjen e Komunës ndaj shkollave të mesme. Sipas saj, janë tejmbushur me nxënës gjimnazet, e shkollat profesionale janë zbrazur.
E Marevci insiston se Ferizaj qëndron mirë për kah infrastruktura në objektet shkollore. Si sfidë e ka përmendur pamundësinë e shtimit të numrit të mësimdhënësve, edukatorëve e psikologëve, për të cilën e ka fajësuar pushtetin qendror.
Në bilancin e premtimeve të Agim Aliut për mandatin 2021-2025, të dhëna këto të Institutit GAP, figuron se nga 69 premtime të dhëna, 29 i ka përmbushur, 13 i ka gjysmë të përfunduara, 10 i ka filluar dhe 17 nuk kanë nisur fare.
Në të dielën e dytë të tetorit, 125 mijë qytetarë të Ferizajt do ta kenë mundësinë të vlerësojnë këto bilance, duke votuar për kryetarin e ri dhe përbërjen e re të Asamblesë Komunale që i ka 41 ulëse.