Në Prizren, Arsim Bytyçi njihet si një punëtor i përkushtuar.
Në vitin 2009, ai mori një vendim të rëndësishëm, la jetën dhe punën në Zvicër për t’u kthyer në Kosovë.
Bashkë me bashkëshorten, Mihrije, me mbështetjen e vëllezërve, nisi një rrugëtim të ri.
Sot familja Bytyçi, e përbërë nga Arsimi dhe Mihrija, me tre fëmijët e tyre, dhe familja e vëllait të Arsimit, kujdesen për 75 arë tokë, të mbjella me lule sezonale dhe shumëvjeçare.
“U mërzita nga kurbeti dhe shpreha dëshirën me ardhë e me punua në Kosovë dhe jo atje. Kur erdha në Kosovë, me bashkëshorten, por edhe me vëllezër biseduam e u pajtuam që të fillojmë biznesin me prodhimin e luleve. Ishte viti 2009, kur kem filluar për herë të parë. Falënderimi i shkon edhe gruas, se kjo më ka mbështetur më së shumti. Kem filluar me një hapësirë të vogël prej 10 metrash katrorë, në shtëpi. Me kalimin e kohës kem filluar duke rritur prodhimin, ku arritëm me pasë bashkëpunim me firma e kompani të ndryshme në Kosovë. Edhe në Shqipëri kem dërguar për eksport, tash dërgojmë atje deri 60 mijë lule”, thekson Arsim Bytyçi.
“Bashkëshorti e ka pasur përkrahjen time nga fillimi, lulet i kam dashur dhe gjithmonë kam ëndërruar të kem një biznes familjar. Deri më sot kem vazhduar duke ndihmuar njeri-tjetrin, edhe fëmijët tanë dhe të kunatit punojnë bashkë. Kemi edhe punëtorë dhe e kem përkrahjen edhe të të afërmeve tanë”, shton bashkëshortja e tij Mihrija.
Në vitin 2022, Arsim Bytyçi u diagnostikua me plazmacitomë, një formë e leukemisë. Kontrollet dhe terapitë i merr në Slloveni, por thotë se nuk ka lejuar që kjo ta ndalë.
Ditën e nis dhe e përfundon pranë familjes, duke punuar me pasion dhe duke shijuar çdo moment së bashku. Mesazhi i tij për të tjerët është i qartë, që të mos dorëzohen përballë sfidave, por të gjejnë forcën për të vazhduar tutje.
“Në vitin 2022 isha duke shëtitur në mal, sepse e dua natyrën. E kam kuptuar që nuk isha mirë dhe më vonë e kam kuptuar që më është shfaqur një sëmundje që quhet plazma citoma, familje e leukemisë. Ju jap mesazh të gjithëve të mos ndalen, sepse jeta është shumë e mirë, duhet me sfidua edhe sëmundjen. Nga viti 2022 deri më sot unë marr terapi, por punën nuk e kam ndalur asnjëherë. Gjithmonë kam punuar dhe ju jap mesazh të gjithëve që duhet me punua edhe me jetua. Mos i merrni gjërat me stres, ajo është një qelizë e vogël që nuk mundet me na bë dëm neve. Unë sot jam ku jam falë zotit, dëshirës që kam pasur me jetua dhe falë gruas që më ka motivuar me jetua”, thekson ai.
Familja Bytyçi ka kaluar edhe sfida të tjera gjatë viteve, por asnjëherë nuk e ka ndalur punën. Pandemia ishte ndër më të vështirat.
“Kam qenë i përfshirë si i ri edhe në luftë. Dhe pas luftës kam filluar studimet për matematikë. Gruaja për gjuhë dhe letërsi. Nuk patëm fat me i përfundua studimet si shumë të tjerët shaku i kushteve ekonomike, familja etj. Studimet, shkolla është e mirë, mos u ndalni asnjëherë, por shikoni edhe përtej studimeve. Kemi pasur sfida, por asnjëherë nuk e kemi ndalur punën. Sfida më e madhe ka qenë në kohën e pandemisë, kur u ndal puna, por fat i madh që kem arritur atë vit t’i shesim të gjitha lulet. Pas pandemisë Covid-19 kem filluar më me shumë prodhim edhe sot jemi shumë të kënaqur si familje, deklaron Bytyqi.
“Ka shumë prodhues të lulishteve vendore dhe secili e ka punën e vet, ne jem të kënaqur. Çdo punë do përkushtim sidomos për ne gratë që kem përkushtim edhe ndaj familjes. Por nëse e donë punën ja del edhe me punë me familje, e me të gjitha. Kush don me punua, pse mos ta realizojë ëndrrën e vet, çfarëdo pune qoftë”, shton bashkëshortja e tij.
Familja Bytyçi arrin të kultivojë deri në 500 mijë lule sezonale në vit, përfshirë 25 lloje sezonale dhe 20 shumëvjeçare.
“Lule sezonale i kem 25 lloje ndërsa lule shumëvjeçare i kem diku 20 lloje . Serra i kemi 75 ari, të gjitha me lule sezonale dhe shumëvjeçare. Por edhe drunjtë dekorativë”, thekson ajo.
“Lulet si begonia, petunia, sulfinia, trandofilet, hortenzia, levand etj. janë lule që kërkohen më së shumti te ne. Falënderimi u shkon të gjithë klientëve, të cilët vijnë na vizitojnë dhe marrin lule te ne. Kem interesim të klientëve vazhdimisht, i falënderoj shumë që blejnë prodhime vendore dhe nuk shkon diku tjetër. Serbinë e kem pasur konkurrent shumë të madh, por tash është ndalur importi nga ky shtet, falë prodhimeve vendore. Kem edhe nga komunitetet që i marrim në punë, kem goranë, terbeshë, romë, marrim faleminderit nga ta që vijnë e punojnë me ne. Kushdo që punon te ne jem familje”, shton Arsim Bytyqi.
Ky është viti i 16-të që familja Bytyçi merret me kultivimin e luleve.