SOT

Në vapën e verës, punëtorët e lulishtes së kryeqytetit punojnë për freskinë e qytetarëve

Ka mbi 6 dekada që lulishtja e kryeqytetit është në funksionim të plotë vetëm e vetëm që Prishtinës t’i sjellë sa më shumë shumëllojshmëri lulesh e hapësira të gjelbra.

Janë 20 punëtorë që bëjnë një punë të jashtëzakonshme që nga mëngjesi e deri në orët e vona të mbrëmjes me kultivim, mirëmbajtje dhe mbjellje të luleve kudo nëpër Prishtinë.

Kryepunëtorja e lulishtes së kryeqytetit, Nazmie Berisha, thotë se puna fillon qysh herët në mëngjes, me synimin që Prishtina të mbizotërohet nga gjelbërimi dhe jo nga infrastruktura e vrazhdë.

“Kjo është lulishtja e ndërmarrjes ‘Gjelbër’ që operon qysh nga viti 1964. Në këtë njësi janë 20 punëtorë ku merren me kultivimin, mirëmbajtjen e luleve që nga fara e parë deri në kohën e fidanit të rritur, që bëhet për hapësira gjelbëruese. Punëtorët me shumë dashuri dhe vullnet e bëjnë këtë punë që nga mëngjesi deri në mbrëmje që Prishtina të jetë sa më e gjelbër dhe jo e betonizuar”, thekson ajo.

Berisha tregon se përveç luleve sezonale vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe kultivimit të luleve shumëvjeçare, që të jenë të gatshme për mbjellje në sezonin e ardhshëm.

“Kjo punë është e vështirë kur bëhet në temperatura të larta, por dëshirën që e kanë punëtorët për lulet bënë të mos ndiejnë lodhje dhe pa përtesë. Lulet janë nga më të ndryshmet, ato sezonale, por tani kemi filluar me lule shumëvjeçare për vitin e ardhshëm. Zakonisht kemi kombinim të luleve, por nganjëherë kemi kërkesa të qytetarëve për ndonjë lule dhe ne mundohemi t’u përshtatemi kërkesave”, deklaron Berisha.

E sipas Gent Luzhës, punonjës në ndërmarrjen publike lokale "Gjelbër", lulishtja ka mbijetuar deri më sot falë përkushtimit të punëtorëve dhe ndihmesave të vogla nga biznese të ndryshme, pasi ajo nuk gjeneron të ardhura të drejtpërdrejta.

“Në zemër të Prishtinës e kemi një lulishte ku tash e 60 vjet është pika ku Prishtinës i ka siguruar krejt atë çka shohim gjelbër. Fokusi ynë  është që çdo hapësirë të bëhet sa më e gjelbër. Vullneti i madh është ajo që e mban gjallë ndërmarrjen. Sa u përket financave, ne kemi kontratë, por është shumë e vogël për punën që bëjmë ne. Financa që gjenerojmë direkt nuk kemi, por nga ana e bizneseve e organizatave ia dalim disi”, thotë Luzha.

Aktualisht pesë lloje të ndryshme lulesh janë të shpërndara në hapësirat publike të qytetit, por që nga viti i ardhshëm parashihet rritja e shumëllojshmërisë së tyre.

“Këtu kultivohen të gjitha llojet e bimëve, kemi 5 lloje të luleve që janë bërë me marrëveshje me Drejtorinë e Parqeve për t’i vendosur në hapësira publike. Jemi në fazën e shtimit të produkteve që Prishtina të ketë biodiversitet më të madh se që ka tani”, shton Luzha.

Ai tregon gjithashtu se ka raste kur qytetarët vullnetmirë i bashkohen stafit të lulishtes për të dhënë ndihmesën e tyre. 

“Vullneti i mirë i prishtinasve gjithnjë është vërejtur, ka raste kur gratë amvise apo edhe të shkolluara kanë ardhur dhe kanë dhënë kontribut në mënyrë vullnetare dhe i ftojmë edhe të tjerët të na bashkohen. Numri është i vogël që vijnë me mbështetë, sepse puna është pak e lodhshme në tokë dhe kohë me diell, por ka vullnetmirë që na bashkohen”, deklaron Luzha.

Në Ditën Botërore të Bletëve lulishtja u përfshi në një iniciativë të veçantë të quajtur “Mbrojtësja e bletëve”, e udhëhequr nga një vajzë e re me emrin Rozi. Ajo ka krijuar një hapësirë të dedikuar për ushqimin e bletëve, duke ndihmuar në rritjen e numrit të insekteve të dobishme në qytet.

“Lulishtja i ka 20 punëtorë, shumica prej tyre janë gra, pa to nuk bëhet gjithë kjo punë. Të gjitha qytetet tani që janë në zhvillim e sipër e kjo ka bërë që të shkatërrohen bimësinë e po ashtu edhe largimi i insekteve, ne kemi pasur një iniciativë nga një vajzë e quajtur Rozi, mbrojtësja e bletëve, që ka bërë një vend ku bletët kanë hapësirë me u ushqye dhe e kanë lulen e posaçme në mënyrë që të sjellë sa më shumë bletë e insekte të tjera në qytet”, thekson Luzha.

Në përfundim, ai bën thirrje për mbështetje më të madhe ndaj lulishtes.

“Prej që kam marrë këtë pozitë kam pasë vullnetin të merrem me fonde për ngritjen e kësaj lulishteje. Deri tani kemi pasur ndihmesë nga bankat lokale, por është diçka modeste. I ftoj të gjithë ata që e duan botën bimore e shtazore të na ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve, në mënyrë që kjo lulishte të jetojë gjallë dhe t’i japë sa më shumë Prishtinës gjelbërim”, thotë Luzha.