Bujqësia në Krushë është shumë e zhvilluar.
I madh e i vogël gjatë sezonit dalin që t’i punojnë tokat e tyre.
Muharrem Hoti është njëri ndër bujqit fshatit, i cili tokën e tij me sipërfaqe prej 8 hektarësh e punon nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Nga të mbjellat e tij veçanti kanë dredhëzat, të cilat i shet aty për aty pa i ekspozuar në tregjet publike. Thotë se konsumatorët i ka të rregullt, të cilët vjelin e blejnë në arat e tij.
Hoti punën e bujqësisë e trashëgoi nga i ati, ndërsa tani ka 50 vjet përvojë.
Edhe
Fermeri që i kultivon vetë perimet dhe i shet në Tregun mobil të Prishtinës
“Me bujqësi merrna qysh nga fëmijëria, nga mosha 8-vjeçare, ku për herë të parë kam dalë më babanë në fushë. Babai më ka mësuar gjithçka që ka të bëj më bujqësi, dhe që nga ajo kohë e deri më tani merrem me bujqësi. Për dy vjet kam shkuar në Gjermani, por jam kthyer në vend që të mbjell e të kultivoj bimë bujqësore. Puna në bujqësi më pëlqen shumë, sepse ke të bësh me ushqimin, vlen të theksohet se çmimi nuk varet shumë nga bujku, ajo që duhet të kemi kujdes është se duhet të kemi produkte natyrale e që më pas t’i plasojmë në treg tek konsumatorët”, tha Hoti.
Toka e tij çdo vit ia mundëson kualitetin e dredhëzave, por më së shumti e brengos mungesa e fuqisë punëtore, të cilët thotë se i gjen me vështirësi gjatë kohës së vjeljes.
“Zgjohem në ora 6 në mëngjes e së bashku me familjen dalim në ara për t’u kujdesur për të mbjellat, të cilat i kultivojmë dhe i shesim në treg. Përveç familjes i kam edhe punëtorët të cilët bëjnë mbledhjen e dredhëzave, por kemi mungese të punëtorëve, e si pasojë e kësaj një pjesë e dredhëzave dëmtohen nga mosmbledhja në kohë të duhur. Aktualisht kemi studentë, amvise të cilat punojnë 8 orë në mbledhjen e dredhëzave”, pohoi ai.
25 tonë dredhëza thotë se do të vjelë këtë sezon dhe një pjesë të tyre do ta dërgojë në BE.
“Sivjet kam 8 hektarë tokë që i punoj, 2 hektarë dredhëza, 4 hektar speca, 1 hektar qepë e të tjerat patate, pjepër, bostan e të tjera. Vitin e kaluar 20 tonë dredhëza i kemi vjelë, ndërsa 15 tonë janë prishur, sepse nuk kemi pasur fuqi punëtore. Ndërsa sivjet procesi është duke shkuar më mirë sa u përket punëtorëve dhe vjeljes së dredhëzave mendojmë që 25 tonë m’i vjen deri në fund të sezonit. Dredhëzat industriale i kemi për Bashkimin Evropian, të cilat vilen, paketohen, dorëzohen. Me këto dredha kemi shumë kujdes të veçantë, pasi që nuk duhet të stërpiken me asnjë kimikat, pra duhet të jenë sa më natyrale”, u shpreh ai.
Klientët paguajnë aq sa marrin në shtëpi, derisa pjesa që e konsumojnë brenda arave ju mbetet falas.
“Brenda ditës mbi 10 persona vijnë tek ne që të mbledhin dredhëza, ku mund të hanë dredhëza pa pare dhe vetëm ato që dëshirojnë t’i marrin me vete i paguajnë me një çmim të arsyeshëm. Vazhdimisht kemi persona që vijën tek ne, hanë dhe i marrin me vete sa të donë dredhëza dhe produkte të tjera”, shtoi Hoti.
Edhe
Fermeri nga Dabishevci kultivon dredhëza kur jashtë bie borë
Ndonëse janë rritur çmimet nga të gjithë sektorët, Hoti ka vendosur që çmimin e dredhëzave dhe të produkteve të tjera të mos e ndryshojë për konsumatorët.
Tokat krushjane janë në zë për kultura të ndryshme bujqësore, duke përfshirë edhe përpunimin e turshive dhe të ajvarit.