SOT

Akullore të shëndetshme nga nxënësit ferizajas

Këta janë nxënësit e degës së nutricionit në shkollën profesionale “Qendra e Kompetencës” në Ferizaj.

Grupi me mbi 20 nxënës, i ndarë në disa nëngrupe, po zhvillonte orën praktike për përgatitjen e akulloreve të shëndetshme.

Kuzhina moderne e shkollës, e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme, ua mundëson atyre të përgatitin jo vetëm akullore, por edhe shumë ushqime të tjera me vlera ushqyese.

“Qendra e Kompetencës’ është shkollë e mjekësisë, e cila ofron drejtime të ndryshme për nxënësit, e mbi të gjitha e ka një rregull dhe disiplinë. Më e rëndësishmja për neve nxënësit e edhe gjeneratat që vijnë pas nesh është mundësia që ta praktikojnë drejtimin e tyre, sepse i plotëson të gjitha kushtet. Gjithashtu pjesën praktike, përveç këtu në shkollë, e kryejmë edhe jashtë shkollës, e atë mund ta bëjmë në vende pune varësisht nga drejtimi që e kemi. Grupi ynë i përket degës së nutricionit, një degë e rëndësishme kjo, duke i parë sëmundjet e shumta nga kequshqyerja”, thekson nxënësi Erion Behluli.

Nxënësit kujdesen që produktet e tyre të jenë jo vetëm të shijshme, por edhe të pasura me vlera ushqyese.

“Sot jemi duke e bërë pjesën praktike për përgatitjen e akullores. Akulloret të cilat ne i përgatisim kanë përmbajtje të shëndetshme. Unë po i shpjegoi disa prej përbërësve që i përdorim sot. E përdorim qumështin, i cili është i pasur me proteina dhe ka një sasi të yndyrës prej rreth 3.5% e që e bën ngurtësimin e akullores e pastaj i përdorim edhe frutat, varësisht me çfarë shije duam ta bëjmë akulloren. Sot kemi zgjedhur banane, ananas, pasi janë të përshtatshme për të gjitha grupmoshat e sidomos për fëmijët”, thotë nxënësja Vlora Arapi.

Para çdo përgatitjeje, nxënësit analizojnë përbërjen dhe historikun e ushqimit që e përgatisin.. 

“Meqë ne jemi të ndarë në grupe, edhe detyrat i kemi të ndara si nxënës. Unë do t’ju tregoi për historikun e akullores. Për akulloren termi definitiv i saj është përcaktuar më 7 shtator të vitit 1979. Akullorja është përgatitje ushqimore e cila kalon nëpër disa procese derisa të bëhet e gatshme për konsumim”, thotë nxënësi Blend Luzha.

Tri pjatat me akullore të përgatitura në grupe kishin shije dhe ngjyra të ndryshme, por qëllimi kryesor ishte cilësia e përbërësve.

“Siç po e shihni, këtu i kemi prezantuar tri pjata me akullore. Secili grup ka përzgjedhur pjatën e vet me ngjyrë dhe shije të veçantë, varësisht nga frutat që kemi zgjedhur t’i përdorim. Por, duhet të tregojmë që jemi fokusuar më shumë te cilësia e akullores se sa te pamje e saj”, deklaron nxënësi Altin Haziri.

Pasi përfundon përgatitja e masës, nxënësit paraqesin produktin përpara profesoreshës së tyre, Mimoza Dragaçina, duke shpjeguar përbërësit dhe përmbajtjen kalorike.

“Ne, si nxënës nutricioni, që para juve sot i kemi tregu akulloret e shëndetshme, përveç mësimeve teorike e praktike për nutricion, kalojmë kohë tejet të mirë gjatë përgatitjeve që i bëjmë çdo herë në këtë orë. Akullorja që e kemi bërë me grupin tim ka fruta: mjedër e dredhëz, është tejet e shëndetshme, sepse përmban shumë vlera nutritive”, thotë Vlora Kurteshi. 

“Grupi im e ka bërë akulloren me çokollatë të zezë dhe banane të ngrira dhe qumësht. Pjata jonë përmban 375 kilo kalori dhe ka po ashtu kos grek. Mundet me e shiju secila grupmoshë”, shton nxënësi Ledri Avdullahu 

Nxënësja Shkurte Sahiti thotë akullorja e shëndetshme e grupit të tyre i ka të gjithë përbërësit që shokët e shoqet e saj i përmendën. “Vetëm se ne kemi zgjedhur frutat e kivit për shije. E totali i kësaj pjate është 352.5 kilo kalori”, thekson ajo.

Nxënësit e “Qendrës së Kompetencës” tregojnë se këto njohuri i zbatojnë edhe në jetën e përditshme, duke përgatitur ushqime të shëndetshme në shtëpi.

Ata synojnë që të ardhmen ta ndërtojnë në profesionet që lidhen me nutricionin dhe stilin e shëndetshëm të jetesës.