Aurela Brahimi shërben limonadë të freskët të cilën e përgatit vetë.
Ajo e ndihmon vëllanë e saj, i cili sivjet është përfitues i njërës nga shtëpizat që janë vendosur në sheshin “Xhorxh Bush”.
Shtëpiza është “Kinaro”, ku përveç limonadave shërbehen dhe pije e kokteje të tjera. Madje aty ofrohen edhe ëmbëlsira të vogla që mund të shoqërohen me pije.
Megjithëse është vetëm fillimi i tregut veror, Aurela thotë se ka mjaft interesim, sidomos në mbrëmje.
“Përveç pijeve të ndryshme, e kemi edhe limonadën e freskët dhe në mbrëmje edhe kokteje të ndryshme, e pastaj e kemi edhe këtë pjesën e ‘cookies’ të cilat po mundohemi t’i bëjmë për klientët pak më e ngrohtë me qenë. Është goxha mirë pasi edhe njerëzit te ne e presin verën me dalë të kemi më shumë gjallëri dhe të kemi afërsi mes veti, e njësoj edhe diaspora. Kështu që e kemi vërejtur që ka pasur shumë interesim. Ka sjellë energji të mirë njerëzit”, tregon ajo.
Për familjen Brahimi kjo është një mundësi shumë e mirë për të punuar, megjithëse në përditshmëri nuk merren me gastronomi.
“Është hera e parë që po startojmë në këto shtëpiza. Nuk është që i kemi pasur ndoshta pritshmëritë e mëdha, por në anën tjetër kemi thënë pse jo. Kemi qenë shumë entuziastë për të filluar edhe për shkak të atmosferës edhe pse më parë jemi marrë me klientë dhe e duam punën me njerëz, kështu që kemi qenë të hapur për këtë pjesë”, thotë Brahimi.
Ky festival është bërë traditë në kryeqytet, pasi ka disa vjet që organizohet.
Megjithëse viteve të kaluara “Akull n’Verë” mbahej në kohën kur fluksi i mërgimtarëve ishte më i madh, sivjet ajo ka filluar me vonesë.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, thotë se ndërmarrja publike “Sports Marketing” nuk ka arritur ta kryejë me kohë thirrjen për organizimin e këtij tregu.
“Ka pasur një memorandum bashkëpunimi mes komunës dhe “Sport Marketing” për organizmin e tregut veror. Nuk e di për çfarë arsye ‘Sport Marketingu’ nuk ka arritur ta kryejë thirrjen me kohë për të organizuar një gjë të tillë. Pastaj ka ardhur një kërkesë te ne, e cila ditën që ka ardhur ka filluar të trajtohet menjëherë dhe ne qysh të nesërmen e kemi bërë një thirrje publike. Është më vonë se viteve të kaluara, por me interesimin që kanë treguar afaristët, shpresoj ta kemi zënë një kohë të duhur kur ata mund të promovojnë edhe t’i shesin produktet e tyre dhe të krijojnë edhe një profit përmes një biznesi të cilën po e mundëson komuna në sheshin ‘Xhorxh Bush’”, deklaron Brestovci.
Çelësat e shtëpizave, bizneseve iu janë dorëzuar më 15 gusht, në ditën kur edhe është bërë hapja e Festivalit.
Në këtë mënyrë shumë biznese nuk kanë arritur të bëhen gati gjatë kësaj jave, përderisa mbyllja e tregut do të bëhet më 15 shtator.
“Ditën kur ka përfunduar thirrja publike ne e kemi thirrur komisionin dhe ai ka bërë vlerësimin dhe është bërë përzgjedhja e të gjithë atyre që kanë plotësuar kushtet. Nga 81 aplikantë sa i kemi pasur, kanë qenë vetëm 39 që i kanë plotësuar kushtet dhe janë gjithsej 40 kioska të shpërndara. I kemi dhënë çelësat menjëherë, por siç duhet nuk kanë arritur të bëhen gati të gjithë dhe ka ende shtëpiza që nuk janë hapur por po besoj që brenda kësaj jave janë të gatshëm. Ne i kemi dhënë më 15 gusht, kështu që kontrata do të përfundojë më 15 shtator”, thekson Brestovci.
Shqetësim mbeten mbeturinat që nga bizneset po lihen në hapësirat publike.
Për këtë çështje Brestovci po tregohet i rreptë, duke i kërcënuar me mbyllje të tregut.
“Ne i kemi vendosur kontejnerët në të dyja anët e rrugëve ku të gjithë ata afaristë mund t’i hedhin. Sot kam qenë në vendngjarje dhe iu kam dhënë edhe vërejtje dhe nëse nuk i përmbahen kësaj kërkese do të penalizohen apo do të merren lejet për të gjithë ata që nuk e respektojnë këtë gjë. Nëse do të kemi raste më të mëdha do ta suspendojmë gjithë aktivitetin duke e mbyllur. Ne i kemi krijuar kushtet tepër ta mbajtur atë hapësirë pastër. I kemi vendosur 7 kontejnerë dhe mund të bëhet zbrazja e tyre disa herë në ditë. Kështu që kontejnerët e vet mund të i bartin deri aty”, deklaron Brestovci.
Përfitues të shtëpizave në këtë festival janë bizneset që ofrojnë vetëm pije, ushqim apo edhe ushqim e pije bashkë.