Mori epitetin e më të mirës në shkollë. Arta Veselaj, e cila shkollën fillore sivjet e përfundoi me notë mesatare 1.1 në shkollën e Ichenhausse-it të Gjermanisë, ku nota 1 është më e larta, ndërsa 6 më e ulëta.
Arta ka lindur në Gjermani, por ka një lidhje të fortë me Kosovën, meqë nga parashkollori e deri në klasën e gjashtë ka ndjekur mësimet në shkollën “Dëshmorët e Qëndresës” në Gllarevë.
Si filloriste në Kosovë dhe Gjermani ka qenë nxënëse shembullore. Sukses maksimal premton të arrijë edhe në shkollën e mesme, mësimet e së cilës do t’i nisë nga shtatori, në drejtimin e ekonomisë.
17-vjeçarja synon që edhe në studimet universitare ta zgjedhë drejtimin e ekonomisë.
Pas përfundimit të studimeve thotë se dëshiron të kthehet në Kosovë për të kontribuuar si ligjëruese e ekonomisë në ndonjërën nga shkollat e mesme apo edhe në universitet.
Ajo këshillon të rinjtë që të shkollohen. Nëse duan, thotë ajo, ata mund të angazhohen edhe jashtë shtetit, por të kthehen në Kosovë e të kontribuojnë për vendin e tyre.