SOT

420 ndërrime emrash në Ferizaj më 2022

Në Komunën e Ferizajt në vitin e kaluar ka pasur 420 ndërrime apo korrigjime të emrave personal, ka njoftuar Nesret Ademi, udhëheqës i sektorit të gjendjes civile në këtë komunë.

Ademi në emision "Sot" në KTV ka thënë se krahasuar me shifrën e banorëve në Ferizaj, që është mbi 110 mijë, numri i kërkesave është në përputhje.

“Është numër pak i madh, por duke krahasuar me numrin e banorëve të Ferizajt, krahasuar me shërbimet që i kemi dhënë vitin e kaluar, që ishin mbi 135 mijë, numri i kërkesave është në përputhje. Gjatë vitit të kaluar kemi numëruar 420 ndërrime a korrigjime të emrit personal në Ferizaj. Ndërrim të emrit personal do të thotë çdo ndryshim tek emri apo mbiemri, e me korrigjim te korrigjimi i të dhënave”, ka thënë Ademi. “Më tepër shifra kemi pasur te ndërrimi i mbiemrave. Pas shkurorëzimeve si shembull gratë vinë e i kthejnë mbiemrat e vajzërisë. Sa i përket ndërrimit të emrit bëhet vetëm nga personi vetë. Duhet që kërkesa për ndërrim të emrit të mos ketë karakter fyes, e të kenë kaluar 5 vjet që nga ndërrimi i fundit”.