SOT

Historia e veçantë e 7 mullinjve në fshatin e Pollatës

U trashëguan me shekuj brez pas brezi duke i rezistuar kohës.

Shtatë mullinjtë e tre vëllezërve nga lagjet Azemi, Dema dhe Latifi në fshatin Pollatë pak kilometra larg Podujevës, ndër vite thurën histori më vete.

Prej tyre, vetëm 3 të tillë i mbijetuan kohës, po për shkak të numrit të vogël të banorëve, aktualisht vetëm njëri është funksional.

Sipas njohësve të historisë, nga këta mullinj gjatë viteve 1998-‘99 u shërbyen 12 mijë banorëve për bluarjen e grurit dhe misrit nga e gjithë Kosova.

Ndërsa, aktualisht është në shërbim të 150 banorëve në 20 shtëpi të fshatit Pollatë.

Për mullirin në lagjen Azemi të fshatit Pollatë, na ka rrëfyer historiani, Afrim Azemi duke na treguar se sa vjet është i vjetër ky mulli si dhe nga kush u ndërtua.

Rëndësia e mullirit për banorë ndër vite ishte tejet e madhe, por historiani thotë se tani rëndësia e tij po shuhet pasi që fshatrat kanë filluar të mbesin pa banorë.

Brenda mullirit të Afrim Azemit secila pjesë ka nga një histori interesante duke filluar që kur ky mulli i kryente dy funksione, bluarjen e grurit dhe misrit.

Objektet përcjellëse sikurse dhoma e pritjes dhe vend-qëndrimi për kafshët, e bëjnë këtë mulli edhe më të veçantë.

Historia e mullinjve të Pollatës nuk përfundon me kaq.

Kryetari i fshatit, Fadil Ademi, rrëfen edhe për mullinjtë binjakë në lagjen Dema. Ai tregoi specifikat se në 7 ditë të javës familjet e kishin të caktuar vetëm 1 ditë për të bluar miell.

Ademi tregon se nuk është edhe aq e lehtë bluarja e misrit dhe grurit, pasi, sipas tij, kërkon kohë dhe mjete adekuate.

Kryetari i fshatit tregon se vite më parë gjithçka ishte më ndryshe, kur mielli peshohej me mjete qindravjeçare të vjetra.

Për këta mullinj të vjetër, historiani Afrim Azemi dhe kryetari i fshatit Fadil Ademi, kishin një kërkesë për institucionet - që mullinjtë e fshatit të jenë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.