Komuna e Junikut do të shkojë në balotazh, pas refuzimit të kërkesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për rivotim. Gjykata Supreme ka nxjerrë aktgjykim me të cilin e ka konfirmuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, të para pesë ditëve. Supremja ka konstatuar se AAK-ja është ankuar për listën e votimeve, e cila është certifikuar më datë 6 shtator 2025, pas përfundimit të afatit ligjor për ankesa, dhe jo për procesin e votimit
Gjykata Supreme e ka refuzuar të mërkurën kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për t’i shpallur të pavlefshme zgjedhjet komunale të 12 tetorit në Junik, që Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) të urdhërohet ta bëjë pastrimin e listave dhe që komuna të shkojë në rivotim.
Aktgjykimi i Supremes e ka lënë në fuqi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të pesë ditëve më parë.
Komuna udhëhiqet nga Ruzhdi Shehu i Lidhjes Demokratike (LDK), i cili edhe më 12 tetor ka dalë i pari, duke i fituar 48 për qind të votave.
AAK-ja ka pretenduar se Shehu i ka fryrë listat e votuesve me njerëz që nuk kanë mbiemra të njohur për Junikun dhe që nuk kanë as prona brenda komunës.
Në aktgjykimin e Supremes theksohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka certifikuar listën e votuesve më 6 shtator të 2025-tës, pas përfundimit të afatit ligjor për ankesa.
“Të njëjtat janë pretendime irelevante, pasi edhe sikur të qëndronin si të tilla, në këtë fazë të procedurës nuk mund të shqyrtohen e as të jenë objekt shqyrtimi, sepse PZAP-ja në këtë fazë të procedurës nuk mund ta shqyrtojë listën e votuesve, e cila listë është certifikuar më datë 6 shtator 2025 pas përfundimit të afatit për ankesë lidhur me këtë listë të njëjtën mundësi e kanë pasur të gjitha subjektet politike ta kundërshtojnë brenda afateve duke përfshirë edhe subjektin ankues, por jo tani në fazën e shqyrtimit të ankesës që i referohet parregullsive në ditën e votimit”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Në aktgjykim thuhet po ashtu se personat që janë të përfshirë në listë të votuesve kanë të drejtën e votës përderisa lista si e tillë nuk është atakuar asnjëherë pranë KQZ-së.
Kolegji i Supremes ka konstatuar se me pretendimet e AAK-së mund të merren organet hetuese.
“Nëse rezulton se kjo është bërë sikurse pretendohet, mund të jetë objekt shqyrtimi i Prokurorisë për hetim të mundshëm në drejtim të elementeve të veprës përkatëse penale, por jo si parregullsi që lidhet me ditën e votimit”, thuhet në aktgjykim.
Të shtunën, KQZ-ja i ka shpallur rezultatet përfundimtare për 35 nga 38 komuna. Junikun, bashkë me Mamushën dhe Prishtinën, i ka lënë në pritje deri në përfundim të afateve për ankesa e shqyrtim.
Vendimi i Gjykatës Supremes është përfundimtar dhe palët nuk kanë të drejtë ankese. Banorët e Junikut do të dalin edhe në rundin e dytë të zgjedhjeve.