LAJMET E MBRËMJES

Siria e njeh Kosovën

Siria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke e çuar në 120 numrin e shteteve që e kanë bërë këtë. Në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sirisë, thuhet se vendimi buron nga e drejta e popullit të Kosovës për ta përcaktuar fatin e tij. Në këtë njohje, rol të madh ka luajtur Arabia Saudite ku po qëndron presidentja Vjosa Osmani

Siria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të mërkurën. Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar për vendimin e shtetit të Lindjes së Mesme, teksa për këtë e ka falënderuar edhe Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. E falënderoj presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”, ka shkruar presidentja në njoftimin për njohjen.

Presidentja ndodhet në Riad të Arabisë Saudite, me ftesë të Muhamed bin Salmanit, për të marrë pjesë në Forumin e Iniciativës për Investime në të Ardhmen. Edhe presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, por merr pjesë në të njëjtin aktivitet.

Osmani ka shprehur falënderimin për këtë njohje.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”, ka shkruar Osmani. “Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ec përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë”.

Njohja është konfirmuar edhe nga shteti i sapo dalë nga lufta.

“Në një takim trepalësh në kryeqytetin saudit, Riad, u bënë bashkë Republika Arabe Siriane, Mbretëria e Arabisë Saudite dhe Republika e Kosovës. Në mbledhje u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, përfshirë njohjen e ndërsjellë dhe mundësitë e bashkëpunimit bilateral. Në këtë kontekst, Republika Arabe Siriane njofton për njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës, si shtet sovran, që buron nga e drejta e popullit të saj për ta përcaktuar fatin e tij për promovimin e parimeve të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe botë”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Osmani e takoi presidentin e Sirisë Al-Shara edhe në Turqi muaj më parë.

Siria, për më shumë se një dekadë, ka qenë ndër vendet më të izoluara të botës, e dërrmuar nga lufta civile, dështimi i ekonomisë dhe sanksionet e mëdha ndërkombëtare.

Nga janari i këtij viti, ky vend udhëhiqet nga Al-Sharaa, i cili i kishte udhëhequr luftëtarët e opozitës në rrëzimin e presidentit Bashar al-Assad, duke i dhënë fund sundimit pesëdekadësh të familjes së tij.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se i është mirënjohjes presidentes Osmani për përpjekjet e saj të suksesshme dhe të gjithë atyre që ndihmuan që Siria të bëhet shteti më i fundit që e njeh vendin.

“Me padurim presim të forcojmë lidhjet ndërsa vendi hyn në një kapitull të ri dhe vendimtar të historisë së tij”, shkroi ai në X.

Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, e njohën atë.

Me këtë vendim të Sirisë, Kosovës ia njohin mëvetësinë 120 shtete.

Pos shtetit aziatik, Kosovën sivjet e kanë njohur edhe dy shtete të Afrikës: Sudani dhe Kenia.