Arbëri

Siria njeh Kosovën

Siria

Siria është bërë shteti i 120-të që e ka njohur Kosovën si shtet. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se të mërkurën në Riad kanë arritur marrëveshje nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë e ka njohur Republikën e Kosovës.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook. 

Osmani tutje ka shkruar se populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj sipas saj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Osmani ka shtuar se tani Kosova njihet nga 120 shtete. “Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!”.

Njohja është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme e Sirisë. 

“Në këtë kontekst, Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe vendimin e saj për të forcuar parimet e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të postuar në rrjetin social X. 

Këtë vit Kosova është njohur edhe nga dy shtete. 

Shteti i Sudanit ka qenë vendi i 119-të që e ka njohur Kosovën. Njohja, që ndodhi në prill, ishte konfirmuar nga takimi i ministrit të Jashtëm i këtij shteti me presidenten Vjosa Osmani.

Vendimi ishte bërë publik kur në Serbi, si shteti që në vazhdimësi bën fushatë kundër njohjeve të Kosovë, paralajmëroi aktivitete për të shënuar “jubileun historik” të raporteve Serbi-Sudan.

Kenian gjithashtu njohu Pavarësinë e Republikës së Kosovës në fillim të këtij viti dhe me njohjen nga Siria tashmë, janë bërë tri njohje brenda vitit 2025.

Para këtyre dy shteteve afrikane dhe Sirisë, Kosovën që nga viti 2021 nuk e kishte njohur asnjë shtet tjetër. Në atë vit, shtetësinë Kosovës ia njohu Izraeli, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në kuadër të asaj që njihet si marrëveshja e Uashingtonit.

Kosova në vazhdimësi përballet me fushatën e Serbisë për çnjohje, ndonëse në bazë të planit franko-gjerman i cili nuk u nënshkrua por u pranua edhe nga shteti serb, parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën në asnjë proces anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Kjo nuk është zbatuar asnjëherë.


Kurti: Lidhjet mes Kosovës e Sirisë tani edhe më të forta

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Sirisë tani do të jenë edhe më të forta.

“Kosova tani njihet zyrtarisht nga 120 shtete, ndërsa Siria iu bashkua listës së shteteve që e njohin. Shprehim mirënjohje ndaj presidentes Vjosa Osmani për përpjekjet e saj të suksesshme dhe të gjithë atyre që janë përfshirë. Presim forcimin e lidhjeve tona ndërsa vendi hyn në një kapitull të ri dhe kyç në historinë e tij”, ka shkruar Kurti në X.


Krasniqi pas njohjes nga Siria: Vizioni izolues duhet të marrë fund

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, pas njohjes së Kosovës nga Siria ka thënë se çdo njohje e re është një hap përpara drejt forcimit të shtetësisë, integrimit dhe ringritjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ai ka shprehur mirënjohje “për miqtë tanë që vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe për rolin e tyre në këtë proces”.

“Kosova ka nevojë për më shumë miqësi, më shumë diplomaci dhe më shumë besim në vetvete. Vizioni izolues duhet të marrë fund, dhe vendi ynë duhet t’i rikthehet politikës së jashtme aktive, bashkëpunuese dhe dinjitoze, në aleancë të plotë me partnerët tanë strategjikë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.