Më 8 qershor 2018, u mbush kupa. Nuk mund të flija dhe më duhej të bëja diçka. Një muaj më parë u anëtarësova në një grup të quajtur “Të rinjtë në Kosovë”. Në atë grup mund të gjeni apartamente me qira, kurse dhe të gjitha llojet e temave që i interesojnë brezit të ri. Ata ishin lidhja ime e vetme me Kosovën, kështu që vendosa t’i pyes. Unë shkrova në grup edhe pse e dija që ndoshta nuk ishte vendi i duhur për të pyetur, por që isha një e pensionuar e Forcave Kanadeze dhe që në vitin 1999 isha pjesë e KFOR-it (Task Forca Kosovare).
Thash që kisha 21 fëmijë që doja t’i gjeja dhe as nuk dija nëse ata ishin akoma gjallë. Nuk i mbaja mend emrat e tyre, por unë kisha fotografi individuale të 19 prej tyre dhe fotografi në grup që tregonin dy të tjerët. Epo, ndihmë kërkova, ndihmë gjeta. Mora thirrje telefonike në ora 5 të mëngjesit prej tyre, historia ime ishte në gazeta po atë ditë. Një polic jashtë detyrës zyrtare po shkonte derë më derë në Drenas (Gllogovc) për të më ndihmuar t’i gjeja ata. Një nga një, ata filluan të paraqiten në Facebookun tim. Kisha ndjesinë se i gjithë vendi po më ndihmonte t’i gjeja. Në më pak se 72 orë, i gjetën të gjithë, gjallë e mirë. Edhe pse 3 prej tyre ishin tani në vende të tjera, ata përsëri ishin të gjithë me mua. Fëmijët e mi, foshnjat e mia ishin përsëri në jetën time. Kam qarë për tri ditë me radhë. Asnjëherë nuk e mendoja se do t’i gjenin të gjithë. Në ato rrethana mendoja se do t’i gjeja një ose dy, por të gjeja të 21-tit, ishte një mrekulli.
Ishte bukur që të mësoja emrat e tyre njëherë e mirë. Bujar, Besnik, Donika, Qendresa, Antigonë, Mrika, Kujtim, Ylli, Hyrije, Albion, Alberie, Vlora, Sheremet, Elhami, Fatbardha, Edona, Shqipdon, Elena, Dafina, Qendresa dhe vogëlushit tim, Labinot. Të gjithë kanë një jetë të mirë dhe janë të rrethuar nga dashuria. Jeta nuk është akoma e lehtë në Kosovë. Punët janë të rralla dhe ka shumë probleme politike, por të gjitha kanë gjetur një mënyrë për të jetuar mirë dhe për të gjetur dashuri. Zemra ime ishte përsëri e plotë. Më në fund isha në gjendje të merrja frymë më lehtë. E vetmja gjë që mbeti ishte të shkoja t'i shihja ata dhe t'i përqafoja përsëri. O Zot, sa më kishte marrë malli.
Që nga ajo ditë, bëra plan të kthehem. Kishte vetëm një problem të madh. Për shkak të CSPT-së sime, kisha keqadministruar financat dhe e kisha vënë familjen time në më shumë borxhe sesa mund të përballonim. Ende paguanim gjithçka me kohë, por për një udhëtim në skajin tjetër të botës, as që bëhej fjalë. Lashë krenarinë time mënjanë dhe hapa një llogari në “GoFundMe’’, platformë donacionesh online. Nuk e dija sesi do të shkoja atje, por u thashë se me siguri do të shkoja verën tjetër.
Mësova se njëri prej tyre, Sheremeti, ishte shpërngulur në Kanada vite më parë dhe se kishte jetuar në Otavë dhe Montreal për ca kohë. Ai ishte shumë afër meje dhe unë as që e kam ditur. Mund t'i kisha gjetur vite më parë dhe e kisha humbur rastin. Tani doja të mësoja shqip që të jem në gjendje të flas me ta. Me ta u kthyen edhe shumë miq nga kampi. Punonjësit civilë, që ne i patëm punësuar atëherë. Fadili, Gëzimi dhe Rexhepi ynë i mirë ishin përkthyesit tanë. Iliri dhe Bashkimi nga kuzhina dhe Bujari nga seksioni i furnizimit. Bajrami, që kishte gati të njëjtën moshë si fëmijët e mi, por që atëherë mund të më shihte vetëm nga porta, u bë një shok shumë i ngushtë.
Njerëzit interesoheshin për historinë time dhe donin të flisnin me mua, të ishin miq të mi. Ngadalë e kuptova që njerëzit në Kosovë nuk kishin ndryshuar. Lufta kishte mbaruar, shtëpitë e tyre ishin rindërtuar, por ata ishin po të njëjtët njerëz të mirë. Mikpritës dhe bujarë. Mora nëntë oferta për një vend ku mund të qëndroja falas. Disa ishin nga njerëzit që i kisha njohur atëherë, por disa nga njerëz që kurrë në jetën time nuk i kisha takuar. Ishte një vit i gjatë pritjeje, por duhej të mblidhja paratë për të shkuar, si dhe të pastroja rrëmujën time financiare para se të largohesha.
Në fillim të fushatës për të financuar udhëtimin tim nuk kishte shumë interes, derisa njëri nga miqtë e mi, Steve, vendosi të më ndihmonte. Një tjetër shok i joni u kthye në Bosnjë me miqtë e tij dhe ata bënë një dokumentar për këtë dhe dolën në televizor. Meqenëse ka shumë konkurrencë në ushtri, unë nuk doja të dukesha kopjuese dhe e mbajta në heshtje. Steve kishte një ide tjetër në mendje. Ai e dërgoi historinë time në një gazetë vendore dhe e pyeti gazetarin nëse dëshironte të më takonte. Ai tha po dhe historia ime përfundoi në gazetë. Më ndihmuan njerëz tërësisht të panjohur për mua. Ishte e mrekullueshme ta shihje këtë. Në fillim të fushatës sime, për fondacionin tim unë u kërkova miqve të mi që ta shpërndanin njoftimin për llogarinë time të GoFundMe dhe atëherë kuptova që ata nuk u interesuan aspak. Unë e kuptoj që disa nuk mund të japin, por nuk do t’u kushtonte asgjë për ta shpërndarë dhe ata nuk e bënë as këtë për mua. Ishte shoku im Steve, të cilin unë e ndihmova që të merrte një qen shërbimi dhe e njihja për më pak se një vit, dhe ai po bënte gjithçka që kishte mundësi për të më ndihmuar.
Duke filluar nga ofrimi i parave për të publikuar historinë time në gazetë dhe për GoFundMe. Ndonjëherë, paraqiten gjëra si kjo dhe e kupton se cilët janë miqtë e tu të vërtetë. Në kohëra të vështira dihet i vërteti, gjatë stuhive në jetën tënde. Edhe Legjioni financoi një pjesë të udhëtimit tim, por ajo që më preku më së shumti është se edhe dy nga skautët e mi më dërguan para. Isha e lumtur që mora paratë, por për mua do të thoshte më shumë se kaq. Kjo do të thoshte se edhe ata donin që edhe unë të kthehesha. Ishin Besniku dhe Sheremeti. Sheremeti tani punon në ShBA dhe nuk mund të vinte për ritakim, por sidoqoftë ai më ndihmoi. Kisha frikë se ata nuk i kishte marrë malli për mua gjatë atyre 19 vjetëve të gjata. Por i kishte marrë.
Po stresohesha për shumë gjëra. Së pari, çfarë bëj unë me Jasminin (qenushen)? Nuk mund të shkoja pa të, por a mund të shkoja me të? Bëra disa hulumtime në lidhje me udhëtimin e gjatë dhe rregullat në Kosovë dhe vendosa që ajo ishte më e sigurt këtu. 11 orë në aeroplan për një qen të vogël është rrugë shumë e gjatë. Të përpiqesha që ajo të urinonte në pecetën sanitare për urinim në banjën e vogël të aeroplanit, jo faleminderit! Bisedova me një mik që kishte qenë në Bosnjë dhe atje nuk kishte qen shërbimi. Kam biseduar me miqtë e mi në Kosovë dhe kuptuam se shumica e qenve atje janë ose qen endacakë, qen ushtarakë ose qen roje. Pa politika për qen shërbimi, do më duhej ta lija në shtëpi, në ndonjë vend të panjohur tërë ditën. Kaq ishte, duhej të shkoja pa të.
Doja që burri im të vinte me mua, por për shkak të financimit të udhëtimit, një biletë ishte shumë, për dy as që bëhej fjalë. Doja ta merrja djalin tim, Sébastien, por derisa shkolla të mbaronte, çmimi i biletës jo vetëm që do dyfishohej, por do të trefishohej. Do ishim në sezonin turistik dhe çmimi do shumëzohej me 1.5. Kështu që më duhej të shkoja vetë. Isha e lumtur sa më s’ka që po kthehesha, por e tmerruar. Lufta kishe mbaruar, por ende jo në kokën time, 20 vjet shqetësim, faj dhe të panjohurat po më vrisnin akoma. Me psikologun tani kisha termin çdo 4-6 javë, por ne u pajtuam që t’i bënim në çdo 3 javë për t'u përgatitur për udhëtim. Tema e vetme e takimeve tona do të ishte udhëtimi im dhe gjithçka që kishte të bënte me të.
Nga shtëpia tani flisja çdo ditë me mikun tim të dashur, Fadilin. Atëherë nuk e njihja aq shumë, sepse ai ishte përkthyes për punëtorët e kuzhinës. Isha mësuar më shumë me Rexhepin kur punoja me skautët e mi dhe me Gëzimin kur shkonim në qytet. Të flas me të dhe Bajramin ishte gjëja më e mirë që kam bërë ndonjëherë. Kjo më dha lidhjen që më duhej me ta. Më duhej të kuptoja se çfarë po ndodhte tani atje. Të gjithë u bëmë një familje e madhe. Fadili dhe unë e thërrasim njëri-tjetrin vëlla dhe motër dhe për mua, Bajrami tani është një nga fëmijët e mi.
Një zonjë e re nga atje më dërgoi një kërkesë shoqërimi në Facebook. Emri i saj ishte Fatbardhë dhe, si të tjerët, unë e pranova sepse ishte nga Kosova. Në një moment, ajo më pyeti nëse do të pranoja për një intervistë që ta postonte në faqen e saj Albfem. Në atë faqe, Fatbardha e re dhe e bukur flet për gratë e fuqishme dhe me kurajë të Kosovës dhe Shqipërisë. Ata që bënë luftën, ato që bënë historinë dhe ato që luftuan për drejtësi deri më sot. Ajo dëshironte të bënte një histori për kanadezen e vogël që jam. Unë i thashë asaj se isha një grua shumë e zakonshme dhe thjesht e bëra punën time atëherë, por ajo tha që ajo dëshironte ta bënte gjithsesi. Ajo tha që unë isha gruaja e parë joshqiptare që do të paraqitej në faqen e saj dhe ndoshta e fundit. Nuk mund ta besoja atë që po lexoja. Historia ime do paraqitej krahas atyre të grave madhështore të Ballkanit. Ajo më dërgoi disa pyetje dhe kur u përpoqa t'u përgjigjesha atyre, unë i dërgova historinë time në tri faqe. Duke shpresuar se do t'i përgjigjej pyetjeve të saj, unë ia dërgova asaj. Përgjigja e saj ishte e mahnitshme. Asaj i pëlqeu aq shumë, sa vendosi që ajo thjesht ta përkthente atë. Uau! Pas gjithë atyre viteve kur kisha menduar se nuk ia vlente të jetoja më, isha atje, duke dalë në atë faqe plot me heroina.
Ajo histori u përhap kudo dhe befas, të gjithë dhe kushdo që kishte diçka të bënte me Kosovën e dinte kush jam. Nga këndvështrimi im, unë kalova nga zero në heroinë. Mos ma merrni për të keq, me të vërtetë nuk mendoj se jam heroinë, por për ta, çdo person që ka kontribuar për lirinë e tyre ishte hero dhe edhe sot e kësaj dite është. Për mua, në atë kohë, ishte një mënyrë për t'i ndihmuar dhe njohur ata, por unë mendoj se kurrë nuk kam kuptuar se çfarë ndikimi kemi pasur tek ta. Ata pamëshirë i kishin ndjekur në pyje gjatë ikjes si në gjueti. Në përpjekje për t’u fshehur nga serbët që ndienin kënaqësi kur i vrisnin ata, nëse i gjenin. Ose t’i vrisnin ose t’i përdhunonin apo t’i mbanin gjallë që të vuanin edhe më shumë. Ardhja jonë dhe ndalimi i gjithë kësaj, për ta ishte një rast i dytë për jetë dhe liri. Ne gjithmonë kemi pyetur veten nëse kemi bërë ndonjë ndryshim. Shumica prej nesh kurrë nuk e kemi pasur mundësinë të kthehemi prapë dhe të shohim nëse ndihma dhe sakrificat e tyre kanë bërë ndonjë ndryshim në vendet ku ata ishin dislokuar. Unë po kapja rastin dhe isha e mrekulluar nga reagimi që po merrja. Një ditë mora një mesazh nga një prej miqve të mi në Facebook dhe pas një bisede të këndshme, Dani më pyeti nëse kam shkuar ndonjëherë në Ambasadën e Kosovës. Jo, kurrë nuk kisha pasur rast më parë. Kisha dërguar disa pyetje në faqen e tyre në Facebook, por kurrë nuk kam menduar se mund të shkoja e t'i vizitoja. Papritur, Dani ndaloi së përgjigjuri. Kur u kthye, ai tha që i vinte keq për vonesën, por ai po fliste me ambasadorin. Prisni, për çfarë? Ambasadori i tha që kishte dëgjuar për mua dhe po planifikonte të më ftonte gjithsesi.
Edhe një herë, unë mendova se një zonjë jo e rëndësishme po ftohej për të takuar një ambasador. Ushtare e thyer, një njëri i papërshtatshëm me shumë dashuri për të dhënë u ftua ta takonte atë. Dani më tha që edhe ai do të vinte, prandaj u risigurova përsëri. Si visheni për një ngjarje si kjo? Kur jeni ende në ushtri, ka protokolle. Tani që jam veterane, çfarë duhet të them? Medalje apo jo? O Zot, mos kam bërë diçka gabim. Harrova që njeriu me të cilin do të takohesha vjen nga vendi i njerëzve të mirë, që më kishin munguar aq shumë. Pata probleme të gjeja parkim te ndërtesa përpara Ambasadës, unë që endesha rreth e rrotull me bastun, ose të ecja normalisht, hoqa dorë nga ai opsion dhe fillova të vrapoja aq shpejt, sa trupi im ma lejoi, dhe mbërrita në ndërtesë për të takuar Danin shumë të qetë që po priste me durim. Ai më tha të mos shqetësohem shumë. Nuk doja të vonohesha në takim me një diplomat shumë të rëndësishëm. Ne u ngjitëm sipër dhe vetë ambasadori na priti. Ai ishte po aq i qetë, sa Dani. E vetmja që stresohesha isha unë. Nuk zgjati shumë. Jo vetëm që ishin shumë modestë me mua, ata madje më ofruan ushqim dhe pije. Miqtë e mi nga Kosova janë kryesisht myslimanë dhe ne ishim në fillim të Ramazanit. Unë u thashë atyre se nuk dua të jem e pasjellshme dhe do të përmbahesha nga ngrënia dhe pirja para tyre.
Ambasadori bisedoi me mua në frëngjisht tërë kohën e edhe Dani ashtu veproi. U mahnita. Dani duhet të ketë kuptuar diçka nga fytyra ime sepse në një moment, edhe pse refuzova, ai ma mbushi gotën me ujë. U gëzova sepse po ndihesha pak pazakonshëm.
Në fund të bisedës, të gjithë u ngritëm për të bërë fotografi. Ndieja gjakun që më shkonte nga koka te gishtat e këmbëve për më pak se një sekondë dhe mendova se po më bie të fikët. Kështu që, në mes të secilës fotografi përpiqesha të mbështetem në diçka që askush të mos e vinte re. Djersija çurg. U ktheva e u ula për një sekondë dhe ajo gotë uji ishte më e mira që kam pirë ndonjëherë. Ambasadori më dha disa bluza për djemtë e mi dhe një libër shumë të bukur për refugjatët nga viti 1999, të cilët tani ishin qytetarë kanadezë dhe arritën suksese gjatë jetës së tyre. Pas disa shtrëngime duarsh dhe premtime që do të takoheshim përsëri, u ndamë. Isha e dërrmuar. Ndihesha aq budallaçkë që isha stresuar aq shumë, por pasi që kam të kaluar ushtarake, kështu jemi ne.
Autorja është ushtare veterane. Në qershor të vitit 1999, Sophie Boisvert Levesque së bashku me trupat e para kanadeze arritën në fshatin Korroticë të Drenasit. Historinë e qëndrimit disamujor në Kosovë dhe kujtimet që s’i janë fanitur shumë vjet pas i ka përmbledhur në librin “The Country That Stole My Heart”, i cili është botuar edhe në shqip me titull “Vendi që ma rrëmbeu zemrën”, përkthyer nga Fadil Hoxha, pjesë e të cilit është edhe ky shkrim. Botohet me lejen e përkthyesit e të botuesit