Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Stina e pestë” dhe pasionet e një baroni

Majlinda Bregasi me fantazinë e saj nuk heziton të gjejë dhe të dokumentojë “fakte” për ngjarje të ndryshme që përmblidhen me misione të fshehta, konspiracione të misionarëve e kronikanëve të ndryshëm. Në këtë roman me fantazinë e shkrimtares këto situata, vërtetohen bindshëm, pra vërtetohen artistikisht. Por po t’i shtojmë kësaj edhe shtresën historike të romanit, mund të themi me bindje se na është paraqitur jeta e romantizuar e Franz Nopcsas, një prej gjenive të shekullit të kaluar, pionier në disa fusha të shkencës, të cilit albanologjia e hartografia shqiptare i ka mjaft borxhe

Shkrimtarja Majlinda Bregasi në romanin “Stina e pestë” rrëfimin e ndërton në dy linja, e që, faktikisht, ky stil i shkrimit sikur është bërë procede dhe shenjë dalluese e saj, duke pasur parasysh edhe romanet e mëparshme. Në njërën linjë ajo e ndërton rrëfimin për baronin Nopcsa, një aristokrat hungarez, shkencëtar, i njohur si babai i paleontologjisë, albanolog, diplomat, spiun, poliglot e kronikan i fillimshekullit të njëzetë, i cili jetoi në Malësi nga viti 1904 deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në linjën tjetër që përshkruan jetën e gruas në dinamikën e kohës, të mbushur me strese e me ngarkesa të shumta emocionale e psikologjike, ndonjëherë të paraqitura fare mirë e ndonjëherë të fshehura në natyrën e psikozën më të thellë njerëzore.

Nisur nga kjo, vetvetiu lind pyetja: atëherë çfarë është ajo që i bashkon këto dy linja përpos subjektit rrëfyes? Në dukje të parë vërtet të duket sikur asgjë nuk i bashkon dhe këto dy pjesë do të mund të kishin ekzistuar edhe si dy vepra të veçanta letrare. Pra, çlidhje mund të kenë dy ngjarjet që zhvillohen në një distancë kohore mbi njëshekullore në dy ambiente tërësisht të ndryshme? Ato që i bashkojnë këto dy linja rrëfimi, duket se janë disa elemente që mbeten të njëjta në të gjitha kohët. Janë pasionet, dashuria, shpirti i aventurës, urrejtja, intrigat e gjendje të tilla të thella më shumë të rrafshit psikologjik, pastaj është pasioni për të bukurën, për zbulimin, është natyra njerëzore që jo gjithmonë përkon me prizmin konvencional të një shoqërie të caktuar.

Nëse mund t’i përmblidhnim imazhet me të cilat prezantohet Ballkani në Evropë e më gjerë, mund të dilnim në një përfundim të thjeshtë: kemi një numër stereotipash që vazhdojnë të ushqehen nga autorë të ndryshëm, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, ndoshta thjesht nga dëshira për të tërhequr lexues kureshtarë për gjëra të çuditshme, të huaja për kulturën e tyre. Pra siç thoshte Madame de Stal, duhet gjak i ri. Por a përkon kjo me realitetin? Ose ta themi më ndryshe: a përkon kjo me Ballkanin që ka përshkruar Nopcsa në ditarin e tij? Jo. Kjo demaskohet edhe publikisht prej tij në jetën reale kur shkruan në “Frankfurter Zeitung” se që të publikohen lajmet për Ballkanin duhet të jenë të ekzagjeruara.

Shkrimtarja me fantazinë e saj nuk heziton të gjejë dhe të dokumentojë “fakte” për ngjarje të ndryshme që përmblidhen me misione të fshehta, konspiracione të misionarëve e kronikanëve të ndryshëm. Në këtë roman me fantazinë e shkrimtares këto situata, vërtetohen bindshëm, pra vërtetohen artistikisht. Por po t’i shtojmë kësaj edhe shtresën historike të romanit, mund të themi me bindje se na është paraqitur jeta e romantizuar e një prej gjenive të shekullit të kaluar, pionier në disa fusha të shkencës, të cilit albanologjia e hartografia shqiptare i ka mjaft borxhe.

Dramat moderne njerëzore të mbushura me intriga e me hipokrizi, urrejtje, tradhti e gënjeshtra, të tëra këto të brumosura me ngarkesa psikologjike, shpërfaqin trauma të llojllojta. Me ndërthurjen e problemeve e intrigave herë të fshehta e herë të dhunshme që përfshijnë herë arrogancën e bajraktarëve e kapedaneve të veriut të Shqipërisë e herë mizorinë e mafies italiane, të duket sikur shkrimtarja kërkon të gjejë esencën e atij kaosi, që burimin duket se e kanë te vetë natyra njerëzore, që thellë-thellë duket sikur mbetet e dhunshme.

Këto ndërthurje situatash e ambientesh që bën shkrimtarja, herë duke shëtitur thepave të alpeve shqiptare, ulur ballë oxhakëve tradicionalë të fillimshekullit njëzet, e herë duke ngarendur ambienteve moderne të perëndimit sjellin një dinamizëm të tillë që e rrëmben lexuesin që në faqet e para.