Shtojca për Kulturë

Imazhe transformuese në kohë dhembjesh

Arsim Palltoja

Autorja Albina Idrizi u mbetet besnike konvencave tradicionale të trashëgimisë familjare, mbase duke e idealizuar atë si një dashuri të madhe për individ të caktuar, gjë që e mbarështron artistikisht dhe estetikisht me finesë (Foto: Driton Paçarada)

“Palltoja e të munguarit” i Albina Idrizit – Botimet KOHA, Prishtinë 2025 – është pasurim i imazhit e perceptuar nga tri shkallët e strukturës njerëzore, në dy rrafshe asimetrike: rrafshi simbolik dhe ai real. Në këtë roman zhbirimet narrative konsistojnë me konceptin imazherik real. Shihet qartë se vazhdimisht autorja gjatë gjithë rrëfimit tangjeton me simbolikën e një rrobe në këtë rast palltoje

Albina Idrizi është emër i njohur për lexuesit e saj. Ajo ka treguar se në rrugëtimin e saj krijues, ka potencial letrar, gjë që është dëshmuar edhe përmes analizave dhe shkrimeve kritike të emrave të njohur rreth krijimtarisë letrare. Para lexuesve të saj sjell veprën në prozë “Palltoja e të munguarit“, e cila në strukturë nuk është shumë voluminoze. Fillimisht po bëjë një parantezë: Leximi i një vepre letrare është proces kompleks, autorja mbarështron objektiva si në planin artistik, edhe estetik, ngreh tensione në vazhdimësi. Si të interpretohet romani “Palltoja e të munguarit” i Albina Idrizit?

Kjo vepër prozaike është pasurim i imazhit e perceptuar nga tri shkallët e strukturës njerëzore, në dy rrafshe asimetrike: rrafshi simbolik dhe ai real. Në këtë roman zhbirimet narrative konsistojnë me konceptin imazherik real. Shihet qartë se vazhdimisht autorja gjatë gjithë rrëfimit tangjeton me simbolikën e një rrobe në këtë rast palltoje, duket se kjo pallto nuk është vetëm një simbolikë relative apo formale, brenda saj bart kohë dhe rrethana të cilat përafrohen, bartin kujtimet sa të lumtura, aq edhe të tragjike.

Një çift dikur i lumtur, e përmbys anakroninë e luftës e cila sjell shumë pikëpyetje. Përdorimi i simbolikës së rrobës në këtë rast është mirëmenduar nga shkrimtarja Idrizi, duke e ditur se simbolika e rrobave në letërsi është një mjet letrar shumë i përdorur për të shprehur identitetin, statusit social, gjendjen shpirtërore ose ndryshimet e karakterit të personazheve. Rrobat nuk përshkruhen vetëm si pjesë e përshkrimit fizik, por shpesh bartin kuptime të thella simbolike që lidhen me temën ose mesazhin e veprës. Prandaj këtë identitet ia atribuon njërit nga konceptet e shumta të kësaj simbolike, në këtë rast koncepti simbolizon kufizimin e lirisë së veprimit, varësisht nga konteksti. Fakti se brenda asaj palltoje pronari i saj Bardhi, bart procese jetësore, në fillim me mungesën e tij e fare në fund me kthim, na dërgon te mungesa e lirisë, në këtë rast individuale, por edhe kolektive, siç ishte rasti dhe fati i Kosovës nën pushtimin serb deri në fund viteve nëntëdhjeta. Megjithatë, konceptet imazherike kanë polivalencë, Bardhi kthehet sepse nuk do t’i mungojë familjes. Gjitha ato kujtime mbeten të kornizuara brenda një enigme, ndonëse familja gjatë gjithë kohës bart gjendje psikologjike të rënduar. Sado që fshihet një fare stoicizmi nga Bardhi duhet pranuar se njeriu në romanin e Albinës është një Sizif i kohës moderne. Ndërtimi strukturor narrativ brenda veprës dëshpërimisht e lidh jo vetëm me fatin e një njeriu apo një familjeje por me fatin e etnisë shqiptare. Dialogu i brendshëm pothuajse nuk i kalon ambientet familjare,  është stisur një ndjenjë shpirtërore që është shndërruar në kumt, e që këto kumte janë përfituar në dy kohë dhe rrethana të ndryshme historike në Kosovë: ajo prej paraluftës deri edhe te vetë lufta dhe pasluftës. Ky kumt nuk është pranuar si vdekje sepse gjithnjë duke shpresuar se janë gjallë, e një fat i mirë është edhe për vetë Bardhin.

Autorja Idrizi u mbetet besnike konvencave tradicionale të trashëgimisë familjare, mbase duke e idealizuar atë si një dashuri të madhe për individ të caktuar gjë që e mbarështron artistikisht dhe estetikisht me finesë. Gjuha artistike për këto dashuri të mëdha jo vetëm të njeriut si perceptim individual - erotik dhe moralizues, por e tejkalon këtë, andaj me të drejtë shprehet Çesllav Millosh kur thotë: “Gjuha është i vetmi atdhe“. Siç e dimë, kompozicioni i një vepre letrare postmoderne përbëhet edhe nga këto elemente të diskursit brikolar dhe intertekstualiteti, gjë që nuk përjashtohet edhe te romani i Albina Idrizit e cila jo pa qëllim i vë si pjesë të veçanta ose hyrëse në kapitujt vijues. Ky diskurs nuk përdoret formalisht nga autorja, por mund të merren si elemente paratekstuale si njëri nga pesë elementet përbërëse të intertekstualitetit. Një diskurs si ky mund të konsiderohet si një zgjerim semantiko-stilistik. Këto interferime paratekstuale janë të shkëputura nga dy mediumet më të fuqishme siç ishin dhe janë “Euronews” dhe “Telegrafi”. Romani ka karakter kompakt, përfshin në vorbullën e saj nj korpus temash, idesh, mesazhesh që në instancën e fundit sillen rreth vlerave sublime të jetës njerëzore: lirisë, të drejtës dhe të vërtetës. Në fund po shprehim mendimin e Mike Kellyt: “Arti duhet të merret me realen, duke i vënë gjitha konceptet mbi realen”. Duke i vënë në një seri shënjuesish i japin hapësirë lexuesit të krijojë situata retorike të cilat autorja me kujdes i vështron nga retrospektiva imazherike duke mos e vulosur fundin tragjik të protagonistit, por e kundërta.