Kulturë

Kafe-libraria KOHA si hapësirë unike vjen bashkë me “Stinën e pestë”

Grupi KOHA të enjten ka hapur dyert e kafe-librarisë KOHA, në çerekshekullin e “Kohës Ditore”. Këtë e ka bërë duke promovuar romanin e ri të Majlinda Bregasit, “Stina e pestë”. Për të pranishmit kjo festë e trefishtë qe një befasi e mirë e njëkohësisht një mesazh se KOHA vazhdon të sjellë risi e të jetë në krye të rolit që ka: informimin e publikut në kohë reale e ofrimin e veprave me peshë

Rëndom jubiletë festohen me bashkim të stafit e edhe mysafirë të jashtëm, por jo në numër aq të madh. Por Grupi KOHA çerekshekullin e së përditshmes “Koha Ditore” ka vendosur që ta festojë bashkë me krejt lexuesit e saj. Çelësi për ta arritur këtë synim ishte hapja e kafe-librarisë KOHA në qendër të Prishtinës, duke krijuar mundësi që të gjithë lexuesit të kenë një hapësirë sa çlodhëse aq edhe kreative e me mbi 160 tituj veprash. Si një dhuratë për lexuesit e shikuesit besnikë të krejt platformave të KOHËS, kompania të enjten ia ka prerë shiritin kafe-librarisë. Këtë e ka bërë duke promovuar romanin e ri të Majlinda Bregasit, “Stina e pestë”. Për të pranishmit kjo festë e trefishtë qe një befasi e mirë e njëkohësisht një mesazh se KOHA vazhdon të sjellë risi e të jetë në krye të rolit që ka: informimin e publikut në kohë reale e ofrimin e veprave ndër më të kërkuarat në panairet e fundit këndejpari.

Me baronin nëpër histori paralele

Image

“Kishim vendosur që kjo ditëlindje jubilare të kremtohej pak më ndryshe se herëve të tjera. Kësaj radhe muzika i hapi rrugë librit dhe në vend të një koncerti gala, vëmendjen e kthyem nga kjo hapësirë simpatike, që është edhe plotësim i një ëndrre të kamotshme”, ka thënë Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA


Majlinda Bregasi tashmë është emër i njohur i letërsisë shqipe, veprat e së cilës janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera. Në romanin e ri “Stina e pestë” ajo lexuesin e çon në një shëtitje imagjinare bashkë me albanologun Franz Nopsca. Personazhet e Bregasit bashkë me baronin austro-hungarez në 232 faqe shtegtojnë si gjeografikisht ashtu edhe nëpër histori kolektive e personale. E gjendur papritur në një situatë konfuze intime, Sofia ndjek gjurmët e baronit që i zbulon skutat më të errëta të Ballkanit.

“Diplomaci, spiunazh, zbulime shkencore, rebelim e dashuri mbushin jetën e Baronit Franz Nopcsa në Shqipëri. I njohur si babai i dinozaurëve të Transilvanisë, një gjeni i jashtëzakonshëm si Nopcsa dashurohet me një popull që rrezikonte zhdukjen nën rrënojat e Perandorisë Osmane. Baroni Nopsca dhe sekretari dhe miku i tij Bajazid Doda, një antropolog i ri i guximshëm, luftojnë krah malësorëve të vetmuar, i furnizojnë me armë e para deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë”, është përshkrimi që i bëhet librit nga Botimet KOHA.

Redaktorja e librit, njëherësh drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka thënë se vepra e ka emrin intrigues ashtu siç është edhe vetë romani. Sipas saj, “Stina e pestë” është i ndërtuar mbi historinë e njëmendtë, në të cilën Majlinda “u dashurua” gjatë pandemisë – atëherë kur të gjithë kishin kohë me bollëk për të lexuar.

“E shkroi një roman shumë të bukur e interesant, ku ndërthur dy rrëfime paralele që zhvillohen në dy epoka të ndryshme, por që kanë aq shumë të përbashkëta saqë ndalesh e mendon se, ose koha është ndalur, ose në fakt njerëzit, pavarësisht epokave në të cilat jetojnë, nuk dallojnë shumë për nga tiparet”, ka thënë Surroi. Sipas saj, për herë të dytë kishte nderin dhe kënaqësinë që ta redaktonte një roman të Bregasit. Ka thënë se romani paraprak, “Gërsheti i prerë”, solli një tekst shumë të mirë, një lloj përshkrimi te prototipit të një qenieje të rëndomtë që e mbijeton ose jo katrahurën e diktaturës shumëdekadëshe në Shqipëri, duke kërkuar shpëtimin jashtë shtetit.

“Dinamikën e atij teksti ia del ta mbajë edhe në romanin e ri, të katërtin me radhë, të cilin e çmoj si më të mirin që e ka shkruar deri tash. Rrjedhshëm, me shumë fakte, me përshkrim të lehtë e të bukur dhe me gjuhë të pasur – kalimi prej kapitullit në kapitull është përherë më cytës dhe intrigues”, ka thënë Surroi.

Në cilësinë e recensentit, studiuesi Bujar Tafa ka thënë se Bregasi rrëfimin e ndërton në dy linja e që faktikisht ky stil i shkrimit është bërë shenjë dalluese e saj. Sipas tij, në njërën linjë ajo ndërton rrëfimin e baronit e në tjetrën përshkruan jetën dinamike të gruas së asaj kohe.

“Në dukje të parë duket se asgjë nuk i bashkon këto dy linja dhe këto dy pjesë do të mund të ekzistonin si vepra të veçanta letrare. Ato që i bashkojnë këto dy linja rrëfimi janë ato që mbeten të njëjta në të gjitha kohët. Janë: pasionet, dashuria, shpirti i aventurës, urrejtja, intrigat...”, ka thënë ai. Sipas tij, pjesa historike e romanit bashkë me anën tjetër të përmbajtjes paraqet jetën e romanizuar të një prej gjenive të shekullit të kaluar, të cilit albanologjia i ka shumë borxhe.

Profesoresha e gjuhës dhe letërsisë frënge, Nerimane Kamberi, ka thënë se libri i Bregasit, të cilin e ka lexuar në dorëshkrim është vërtet një roman interesant.

“Fiksioni u jep një version tjetër ngjarjeve historike”, ka thënë ajo duke folur për kreativitetin e shkrimtares.

Vetë Bregasi ka treguar se vepra është shkruar gjatë periudhës kur pandemia ishte më e ashpër. Ka thënë se ndoshta pandemia ka qenë ajo koha e duhur për të reflektuar pak për rirenditjen e prioriteteve në jetë. Ka thënë se sado që bota evoluon njerëzit ngelen me pasionet e problemet e veta.

“Natyra njerëzore është e tillë, komplekse. Kjo pandemi na izoloi. Jeta moderne na mëson vazhdimisht t’i besojmë vetëm vetes, të mbështetemi vetëm në forcat tona, por kjo bie ndesh me natyrën njerëzore”, ka thënë ajo. Ka pohuar se njerëzit janë qenie sociale dhe kanë nevojë për njëri-tjetrin.

“Nuk ka gjë më humane se t’i zgjasësh tjetrit dorën e t’i kërkosh ndihmë. Ne si popull i vogël kemi mbijetuar në të gjitha këto procese të ndërlikuara historike falë bashkimit që kemi si komunitet, por edhe falë popujve të tjerë miq që na janë gjetur në momente të vështira. Në periudhën e izolimit ne e pamë se çfarë ndodhi me Shqipërinë e diktaturës dhe ajo mos u përsërittë më!”, ka thënë Bregasi.

Ambienti i ri kulturor

Përderisa pandemia, pos izolimit, ka prekur edhe shumë kompani sa u përket planeve për zgjerim, Grupi KOHA ia ka dalë që të ketë edhe një adresë të re sa u përket veprave që dalin nga Botimet KOHA. Krejt afër qendrës së qytetit, nëpërmjet një ambienti unik kafe-libraria KOHA ka hapur dyert për lexuesit. Janë mbi 160 tituj të veprave të zhanreve të ndryshme që ofrohen në ambientin që ofron edhe mundësi për qëndrim, lexim e ngjarje kulturore.

Hapësira është promovuar duke shënuar 25-vjetorin e ditës kur doli numri 0 i së përditshmes “Koha Ditore”. Prej 31 marsit 1997 deri në qershor të vitit 1999, gazeta qe adresa e mediave prestigjioze të botës për të shpërfaqur luftën e Kosovës nëpërmjet raportimeve me shkrim e fotografi. Pas luftës e deri tash, është adresa më e besuar sa u përket raportimeve për rindërtimin e vendit, qeverisjen e keqqeverisjen deri tek analizat e pikëpamjet e ndryshme të komunistëve të rregullt e atyre të jashtëm.

{gallery}

Prej së enjtes, lexuesit kanë një adresë të veçantë në Prishtinë – kafe-librarinë KOHA, që ofron një ambient simpatik krejt afër qendrës së qytetit dhe do të jetë hapësirë takimesh e përurimesh të librit


Drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka thënë se bëhet fjalë për çerekshekullin e një pune kolosale të shkollës së gazetarisë profesionale në Kosovë, që pavarësisht kohëve dhe sfidave, i ka ruajtur, e për më tepër edhe i ka betonuar fort, dy shtyllat kryesore të saja: besueshmërinë dhe pavarësinë redaktoriale.

“Dhe me gjithë faktin se ka dy vjet që gazeta nuk shtypet në letër, si pasojë e drejtpërdrejtë e ndikimit të pandemisë, gazeta vazhdon të përgatitet dita më ditë, ashtu siç është vepruar 8.873 herë deri më sot. Një falënderim dhe një ‘ju lumtë’ e madhe shkon për gjithë ekipin, i cili bën që misioni i KOHËS të jetësohet pa asnjë kompromis”, ka thënë ajo.

Ka treguar se kishin vendosur që kjo ditëlindje jubilare të kremtohej pak më ndryshe se herëve të tjera. Sipas saj, kësaj radhe muzika i hapi rrugë librit dhe në vend të një koncerti gala, vëmendja u kthye nga hapësira simpatike e kafe-librarisë që, sipas saj, “është edhe plotësim i një ëndrre të kamotshme”.

“Librarinë që e hapim sot, e kemi menduar si një vend ku leximi do të mund të shoqërohej me një kafe të shijshme, e edhe me shkëmbim bisedash për letërsinë, e edhe me përurime librash që sjellin, ndër të tjetra, kulturë, dije, shtendosje dhe kënaqësi”, ka thënë ajo.

Si një ambient të këndshëm e hapësirë të nevojshme kulturore për Prishtinën, kafe-librarinë KOHA e kanë përshkruar edhe të pranishmit gjatë hapjes.

Piktorja e profesoresha universitare, Zake Prelvukaj, ka thënë se bëhet fjalë për një ambient shumë simpatik e shumë të rëndësishëm. Sipas saj, kryeqyteti ka shumë nevojë për hapësira të tilla.

“Kush thotë që ka humbur libri është gabim, pasi virtualja dhe praktikja janë gjëra të ndryshme. Së pari e përgëzoj KOHËN për 25-vjetorin e ‘Kohës Ditore’ që asnjëherë nuk pati rënie, por vetëm ngritje”, ka thënë ajo. Sipas Prelvukajt, KOHA e bën një vetëdijesim të popullatës për ngjarje të ndryshme edhe rrjedhën e ngjarjeve.

“Me qenë në çdo kënd nga një librari me literaturë të ndryshme për ne është një nder i madh. Artistët e arteve pamore nuk është se vetëm vizatojnë, por edhe lexojnë shumë për të krijuar edhe më mirë”, ka thënë ajo.

Deputetja Mimoza Kusari ka thënë se një hapësirë e tillë është tepër e rëndësishme në kohën kur shoqëria po përballet edhe me ndryshime sociologjike të kulturës e kur çdo gjë ka kaluar në version digjital.

“Edhe ndjenja e mbajtjes së librit në dorë është bërë ndjenjë pothuajse e harruar për gjeneratat e reja. Unë mbetem ithtare e leximit të librit në kopertina”, ka thënë Kusari derisa ka shtuar se mirëpret veprën e re të shkrimtares Majlinda Bregasi. Ka thënë se shpreson fort që të ketë sa më shumë promovime librash, pasi është thellësisht e bindur se një komb vlerën e mirëfilltë e ka në krijimtarinë e vet.

Se Prishtina ka pasur nevojë për një hapësirë të re të librit, këtë e ka thënë edhe profesoresha e gjuhës dhe letërsisë frënge, Nerimane kamberi. Sipas saj, kryeqyteti është bërë vend i librit pasi ka disa librari dhe kjo e reja ia jep edhe më shumë një karakter kulturor.

“Librat e KOHËS janë të vlefshëm jo vetëm në publicistikë, por edhe në letërsi me autorë vendorë e ndërkombëtarë”, ka thënë ajo. Te kafe-libraria KOHA gjenden edhe titujt e rinj, si “Rahela” me autor Agim Sopin e “Veç edhe sot” e Eroll Shportës bashkë me veprat më të reja të botuara nga Botimet KOHA.