Hyrja në epokën të cilën disa e quajnë posthumane, s’është pa sfida. Dhe sfidat që shfaqen në jetën e librave dhe të letërsisë janë të panjohura, e për rrjedhojë, të paqarta, por letërsia zotëron kapacitete të mjaftueshme, për t’u ballafaquar me to dhe për t’i tejkaluar ato. Pse? Sepse, siç pohon Ismail Kadare, “letërsia lindi së bashku me një mohim, me një pengesë”
Lënda e letërsisë është jeta e vërtetë, e jetuar përditë, një jetë që ka kthjellime dhe errësirë, një jetë që njeh mjegull dhe shkëlqim, një jetë që njeh ngjitjet në maja malesh e katandisje në humnerë, një jetë që për secilin është unike, dhe s’mund të përsëdytet asnjëherë në të njëjtën mënyrë e me emocione të njëjta. Kjo jetë e kthyer në letërsi, i ka ngjyrat e krijuesit, të cilin kultura jonë e njeh si shkrimtar.
Të shkruash për një perëndim magjeps të diellit, domethënë të reflektosh gjendjen emocionale kundrejt këtij realiteti fizik. Ndryshe e përjeton një perëndim magjepsës dielli, dikush që, në një çast jete, ka shijuar përqafime e puthje të ëmbla, e ndryshe dikush që i vetmuar dhe i tronditur kujton humbjen teksa ndien duart e mungesës si e shtrëngojnë përreth qafës së tij.
Pra, gjithçka që bëhet letërsi – e kur them letërsi e kam fjalën për letërsi të mirë – lidhet me jetën e vërtetë, ku hyjnë në punë fantazia krijuese, ëndrrat, gjakimet e përvojat e forta jetësore të njeriut që është në qendër të saj. Pa dyshim, një aspekt tjetër esencial në këto raporte është tradita – leximi i pasurisë së madhe letrare – përmes së cilës kohët komunikojnë me njëra-tjetrën. Dhe në këtë drejtim, duhet të qartësojmë se secili lexim është unik dhe i papërsëritshëm.
A mund ta realizojë një gjë të tillë inteligjenca artificiale?
Unë s’i besoj një mundësi të tillë, madje edhe për faktin se, siç ka thënë Franz Kafka, letërsia e madhe lidhet me të vërtetën dhe moralin. E, një përmasë të tillë, s’mund ta realizojë një mjet që s’ka ndërgjegje për veprimet e veta.
Inteligjenca artificiale s’mund të mbajë përgjegjësi për atë që “thotë”, as për të vërtetën e asaj që jep, ngaqë i mungon autenticiteti, qartësisht i mungon emocioni, i mungojnë detajet, imtësitë, eksperiencat specifike e unike, i mungon temperamenti krijues autorial, këto elemente që e bëjnë këtë aktivitet njerëzor, krejt të veçantë.
Të vërtetat e letërsisë, gjakimet letrare, mund t’i thotë në formë sa më të përkryer e unike, përmes një arkitekture gjuhësore, të formuar nga emocione, ndjesi, dyshime, dije të përvetësuar letrare, vetëm krijuesi i ndërgjegjshëm, shkrimtari, me të cilin, qytetërime ynë ka krijuar një lidhje të fortë emocionale.
Një aspekt fondamental i letërsisë është kënaqësie që shkakton ajo. Ashtu sikurse leximi i letërsisë, edhe krijimi letrar, tek unë, shkakton një kënaqësi të jashtëzakonshme, të cilën, si lexues i letërsisë dhe shkrimtar, s’mund ta imagjinoj ta këmbej me një mënyrë artificiale e të lehtë realizimi.
Unë e ndiej procesin e krijimit të një libri në secilin moment, kur zgjohem dhe e shoh një mëngjes magjepsës apo kur bie nata dhe mbështillem nga errësira. Kur kam momente hutimi e bllokade, kur ndalem përpara një paqartësie, sfidohem e përsias e pastaj lumturohem kur bëj një zgjidhje të duhur, duke skalitë portretin e një karakteri, një situate a imazhi.
Pra, nëse më lejohet të bëj një krahasim: s’mund të zëvendësohet kënaqësia e përjetimit të skulpturës së famshme të Davidit të Mikelanxhelos në Galerinë e Akademisë në Firence me një kundrim virtual nga një skaj tjetër i botës.
Mbase, njeriu mund të krijojë një përfytyrim virtual për madhështinë e kësaj skulpture, por kurrë s’mund të zëvendësohet ky përfytyrim me kënaqësinë që shkakton futja në atë galeri magjepsëse, në të cilën të duket sikur po jeton në shumë kohë e në një mbretëri pafund arti.
Pak a shumë e njëjta gjë vlen edhe për procesin e krijimit dhe të leximit.
E para e punës, sepse letërsia, është e lidhur me eksperiencat njerëzore, si mishi me thoin.
Prandaj, është e zorshme të besojmë se lexuesi do të bashkëndiente fort me memoaret e Zef Pllumit sikur ta dinte se ato s’janë përjetime të tij të vërteta. Në të njëjtën mënyrë do të reflektonte ai kundrejt mallit zhuritës të Martin Camajt për Itakën, po të mos e dinin se poeti ka jetuar e ka vdekur me atë mall përvëlues, si një shkrimtar i dëbuar nga atdheu.
Lexuesi që futet në “Pallatin e Ëndrrave” të Ismail Kadaresë, e ndien peshën e zymtësisë, frikës, të njeriut që përjeton zvetënimin, marrëzinë e pushtetit që vret e shuan ëndrra, dhe gjitha këto i lidh me ngjarje e rreziqe, në të cilat jetoi e krijoi shkrimtari dhe njeriu i kohës së tij.
Si do të lexoheshin thirrjet për liri të Ali Podrimjes, për këtë bir të një vendi të robëruar, po të mos e kuptonim faktin se autori i vargjeve jetonte përkundrejt lirisë?
Si do ta lexohej e pranohej libri i Gjovalin Gjadrit për gruan e tij, nëse s’do ta dinim të vërtetën e jetës së tij?
Këto pyetje e dilema, na këshillojnë një gjë, në formë përgjigje: letërsia lidhet me njeriun e jetën e vërtetë dhe s’mund të shkëputet nga përvojat e shkrimtarit. Prandaj, s’mendoj se një lexues i letërsisë së mirë, mund ta përjetojë kënaqësinë e leximit të një vepre letrare, nëse e di paraprakisht se ajo vepër s’është fryt i një shpirti – i të vërtetave të tij – i asaj çfarë ka dashur të thotë ai që ka jetuar në një kohë dhe ka transmetuar temperaturën e asaj kohe, acarin e ngrohtësinë, kohët e mira e të liga.
Në këtë sens mendoj se duhet të zhvillohet debati për letërsinë në epokën e inteligjencës artificiale.
Megjithatë, hyrja në epokën, të cilën disa e quajnë posthumane, s’është pa sfida. Dhe sfidat që shfaqen në jetën e librave dhe të letërsisë janë të panjohura, e për rrjedhojë, të paqarta, por letërsia zotëron kapacitete të mjaftueshme, për t’u ballafaquar me to dhe për t’i tejkaluar ato.
Pse?
Sepse, siç pohon Ismail Kadare, “letërsia lindi së bashku me një mohim, me një pengesë”, pra, që në krye të herëve e deri në ditët e sotme, letërsia është ballafaquar me rreziqet të pandërprera, që e kërcënonin, por deri më sot, ajo i tejkaluar të gjitha.
Të ndalemi sa për ilustrim në shekullin e kaluar, e të bëjmë një shtegtim në vendet totalitare, ku shkrimtarët ballafaqoheshin me dhunë, censurë, kufizime, shtypje, burgosje e ekzekutime. Pikërisht në këtë epokë të tmerrshme, letërsia s’u zmbraps, por u fut thellë në botën e tmerrshme të dhunës së totalitarizmit dhe krijoi antipodin e ligësisë njerëzore, përmes gjuhës së alegorisë, fjalëve që kalonin kufij e kohë, duke dhënë kështu pasqyrën e së vërtetës, të cilën s’e regjistron në repertorin e vet historia.
Kjo është një nga pikat e forta të letërsia si aktiviteti njerëzor, krijimi nga asgjëja, siç thoshte Aristoteli, sepse regjistron në repertorin e vet të vërteta më të mëdha se historia, prandaj filozofi i madh e shihte artin më të lartë se historinë, për faktin se ai shpreh të vërtetat universale dhe pikërisht ato që s’i regjistron historia. Në këtë aspekt, letërsia duke bërë pyetje pse dhe si, dhe duke i treguar të vërtetat e mundshme, të gjasës, e tejkalon repertorin skematik të historisë. Këtë dimension, letërsia e ka ripërtërirë në forma e variante të ndryshme, deri në kohën tonë, duke u bërë bashkudhëtare e përhershme e qenies njerëzore, “emërues i përbashkët i ekzistencës njerëzore”, thotë Mario Vargas Llosa, “me anë të së cilës qeniet njerëzore njohin veten dhe bashkëbisedojnë me njëri-tjetrin, pavarësisht se sa të ndryshme i kanë profesionet, planet për jetën, vendndodhjen gjeografike, rrethanat individuale apo epoka në të cilin jetojnë.”
Dhe kjo është një prej përparësive që ka letërsia në raport me artet dhe dijet e tjera. Po, kjo është arma që ajo e zotëron edhe në raport me IA.
S’mund t’i pasqyrojë ndjeshmëritë e një personi e as të një kohe inteligjenca artificiale, ashtu siç i transmeton shkrimtari që përditë zgjohet me emocione të forta ekzistenciale.
Për aq sa dihet deri me tani, IA operon me modelet paraprake të regjistruara në sistemin e vet, domethënë, me modele të njohura, dhe mbi to, mund të artikulojë tekste, por jo letërsi të mirë, siç e njohim ne këtë veprimtari deri më sot.
A duhet të nënvlerësohet roli i inteligjencës artificiale në jetën e letërsisë?
Mendoj s’ka arsye të nënvlerësohet, por as të mbivlerësohet.
Deri më tani, dihet se ka autorë që kanë filluar ta përdorin Chat GTP, si mjet për të shkruar vepra, ka të tillë që e përdorin për informacione letrare, analiza e përkthime, ka të tillë që e përdorin si “asistencë letrare”, ka të tillë që mund ta bëjnë objekt të trajtimit artistik.
Dhe përballë këtij realiteti, vlerësimet e përgjithshme të shkrimtarëve, studiuesve janë se, letërsia s’do të mund të tjetërsohet e as të shndërrohet në diçka artificiale, në një aktivitet pa shpirt. Sepse, letërsia është produkt i shpirtit dhe jeton në jetën e librave, edhe kur vdes autori, si produkt i shpirtit njerëzor.
Një letërsi e krijuar nga makina ose me asistencë letrare nga makina, s’mund ta ruajë esencën e identitetit letrar, në formën siç e kemi njohur deri më tani.
Një gjë të tillë e pohojnë edhe shkrimtarë e studiues të ndryshëm, duke thënë se ajo s’mund ta zëvendësojë rolin e shkrimtarit, dhe robotët, s’mund të krijojnë letërsi të mirë e unike, sepse, s’janë krijues, por veprojnë, siç e thashë më sipër, me modelet paraprake, që mund të jenë punë krijuese të shkrimtarëve tjerë. Që i bie se makina mund të imitojë stile të shkrimtarëve, si për shembull të shkrimtarëve Jon Fosse apo Han Kang, por s’mund të krijojë një stil unik.
Një aspekt shumë i rëndësishme në debatin për letërsinë në epokën e inteligjencës artificiale lidhet me rolin e lexuesit në botën e letërsisë. Dihet, letërsia pa lexues është një aktivitet i pamundur, ndoshta i vdekur.
Dhe, të gjitha rreziqet e sfidat, ajo i ka tejkaluar duke ruajtur raportin besnik me lexuesin, një raport i pa cenuar, që ka gati tipare shenjtërie në vetvete.
A do t’i qëndrojë lexuesi besnik një letërsie që e krijojnë njerëzit me ndihmën e makinave? Një letërsi që i mungon e vërteta e shpirti njerëzor, emocionet?
Unë s’besoj një gjë të tillë, s’e besoj se lexuesi do të kalojë qindra orë të jetës së tij, duke lexuar libra e rrëfime për gjëra që s’beson se janë të vërteta.
Le ta imagjinojmë një botë letrare të krijuar nga makinat, një epokë posthumane, në të cilin letërsi do të krijonte makina e jo njeriu, çfarë do të ndodhte me imagjinatën, befasitë letrare, përshkrimet e imta, karakteret e forta që krijon arti?
Një botë e tillë, me siguri do të kishte pak ngjyra, pak stile, ndoshta do të ishte një botë e uniformuar me një stil, dhe kjo do të nënkuptonte varfërim të gjithmbarshëm, varfërimi të gjuhës, varfërim të intelektit dhe të aftësive për të menduar, e për rrjedhojë, edhe për ta mbrojtur lirinë njerëzore nga rreziqet që i kanosen asaj, sidomos nga fuqia e pushtetit.
Në një botë artificiale, jam i bindur se besimi te krijimtaria letrare do të venitej krejtësisht, stilet e veçoritë krijuese do të humbin kuptimin, dhe shijet gradualisht do të bëheshin të njëjta. Kjo epokë, në zinxhirin e ngjarjeve njerëzore, do të krijonte një kohë gri, pa ngjyra të shumëllojshme, një epokë pa stile e pa fenomene letrare. S’do të kishim më epoka letrare e stile, si të Homerit, Dantes, Servantesit, Kafkës, Kunderës a Kadaresë.
Për fund, unë dua të besoj se qeniet njerëzore, shkrimtarët e të dashuruarit pas të bukurës së letërsisë, kudo nëpër botë, s’do ta braktisin kënaqësinë e krijimit, për ta zëvendësuar atë me një lloj krijimi artificial, e as lexuesit s’do të zëvendësojnë kënaqësinë e leximit të veprave të krijuesve të vërtetë, me krijime artificiale. Në botë posthumane, ku arti i rrëfimeve personale e krijimeve nga fantazia njerëzore, do të zëvendësohej me rrëfime artificiale, do të do të ishte për njeriun humbje e pariparueshme, humbje e pasurisë më të madhe përmes së cilës e ka njohur vetveten dhe tjetrin, ka shprehur ëndrrat dhe pakënaqësitë e tij. Kjo do të ishte vetëvrasje shpirtërore.
Po i përfundoj këto mendime, duke kujtuar nobelistin e sivjetshëm të letërsisë, Laszlo Krasznahorka, i cili ka thënë se, “s’janë pajisjet të rrezikshme për letërsinë. Njerëzit mund të jenë të rrezikshëm për letërsinë. Njerëzit, për shembull, që s’lexojnë.”