“Duhet ta çliroj zonjën nga hija e saj”, mendoi. Trokiti sërish në derë. Një aromë zhurme i doli përpara, si një erë që barte letra të grisura dhe fjalë të djegura. Drejtuesja e Departamentit të Pasqyrave u shfaq me flokë të ngatërruara dhe me një shikim që përpiqej të ngjitej në të – si një skelet. Në atë çast, një pasqyrë e vogël mbi komodinën pranë derës lëshoi një rreze të çuditshme. Për disa çaste, në pasqyrë u panë të dyja: njëra e ngjeshur me thashetheme, tjetra me krijesën e vogël në krah – e mbështjellë nga qetësia që sapo kishte mësuar ta krijonte
Në prag të një pasditeje të zakonshme, para se drama të merrte frymë, ra zilja. Dera u hap...
Zonja që doli para derës nuk ishte thjesht një zonjë – ajo ishte arkitekte e thashethemeve, ndërtuese e korridoreve ku mendimet humbnin rrugën. Trupshkurtër, me flokë të shprishura, në pamje të parë me zë të mprehtë dhe të artikuluar. Klithmat e saj fillonin gjithmonë si një psherëtimë e brishtë, por përfundonin të mbuluara me kërcënime, ndërsa një e qeshur e hollë, pothuajse e padukshme, qëndronte pezull – si një fije mendimi që nuk gjente fillin.
Drejtuesja e Departamentit të Pasqyrave zotëronte artin e paketimit të çdo fjalie me një hijeshi të rreme, ndërsa në brendësi ndizte një zjarr intrigash që nuk shuhej kurrë. Kolegët e saj e njihnin mirë, ndërsa ata të lagjes kishin filluar ta mësonin se kush ishte.
Ajo rrethohej nga një bandë bibliotekarësh të padukshëm, koleksionistë të konformizmit, që arkivonin miratimet e ditës për t’i kataloguar sipas nivelit të bindjes, duke i lëshuar sërish në qarkullim për të mbajtur rrjetin e aprovimit gjithmonë gjallë. E dinte se përhapja e fjalëve do ta rrëzonte nga lartësia që të tjerët ia kishin mundësuar, prandaj në opinion përpiqej të dukej ndryshe.
Me disa nga kolegët, tashmë e kishte arritur atë që kërkonte. Instinkti e drejtoi drejt fqinjes, e cila gjithmonë sillej me një krijesë të vogël në krah – e njohur në lagje si zonja që duronte dridhjet e vogla.
Ajo arriti pranë saj. Pas filxhanit të kafesë dhe një ëmbëlsire të vogël, Drejtuesja e Departamentit të Pasqyrave nisi të lëshonte, me kujdes të padukshëm, grimca fjalësh që fluturonin në hapësirë. Në mendjen e saj, fqinja do të bëhej shpejt një kanal i paditur – një rrjedhë përmes së cilës do të kalonte helmi i fshehtë i intrigave.
Ajo nuk pushonte së foluri. Fjalët e saj përplaseshin me muret, për t’u kthyer në hijet e veta, dhe më pas për t’u shndërruar në krimba të vegjël që zvarriteshin mbi tavolinë. Herë pas here lëshonte kërcënime të mbuluara nën petkun e elegancës. Çdo frazë e saj ishte një gur i vendosur me kujdes, çdo buzëqeshje – një urë mbi një humnerë të fshehur.
Fqinja, pa e kuptuar, ecte mbi to, si një udhëtare e paudhëzuar në një qytet të çuditshëm fjalësh, ku çdo zë dhe çdo dridhje kishte peshë për t’u bërë pjesë e një simfonie të padukshme. Krijesa e vogël, e ndjeshme ndaj peshës së padukshme që rëndonte ajrin, filloi të ulërinte në mënyrë të çuditshme, thuajse e ndjente se dhoma ishte e mbushur me një ritual magjik dhe të fshehtë.
Fjalët humbnin peshën e zakonshme – shndërroheshin në armë që reflektoheshin në pasqyra, krijonin hije të çuditshme që mund të gërryenin gjithçka përreth, përderisa klithmat e krijesës së vogël nuk ndaleshin.
Në ato çaste, fqinja me krijesën në krah ndjeu një ankth të thellë. Para saj u shfaq një pasqyrë ku rridhte një lëng i çuditshëm. Aty ajo pa portretin e saj të trishtuar dhe të deformuar – nga intrigat dhe rrjedha e fjalëve.
Për një çast, e tmerruar, kuptoi se ishte bërë instrument i lojërave të pista. Krijesa e vogël ulërinte pa pushim. E pa ndërgjegjshme për gjendjen e saj, duke besuar se krijesës i kishte ndodhur diçka e tmerrshme, me vrap iu drejtua emergjencës, duke bartur jo vetëm krijesën e saj të dashur, por edhe barrën e pafund të fjalëve dhe iluzioneve që e rrethonin.
Në emergjencë, drama u kthye në një cirk të çuditshëm.
Mjekët kujdestarë nxituan me vrap – kardiologu, ortopedi, gjinekologu e të tjerë, secili me instrumentet e veta, duke ndjekur ulërimat e krijesës që tashmë kishte marrë një pamje të çuditshme, aq sa nuk kuptohej nëse kishte dhimbje apo recitonte një poezi të padukshme.
Një i moshuar që sapo kishte kaluar një arrest kardiak u ngrit nga shtrati për të parë çfarë po ndodhte. Spitali mori frymën e një teatri absurd, ku secili personazh fliste në gjuhën e vet.
Për një çast, krijesa në duart e fqinjës u qetësua. Pastaj filloi të dridhej. Frymëmarrja e saj ishte si tingulli i hollë i një violine që luante një notë të pafundme.
Fqinja, për një çast, u kthjellua dhe iu drejtua mjekëve me lutje për ndihmë. Një heshtje e rëndë mbuloi dhomën, ku edhe aparatura ndaloi zhurmën për një çast – si për t’u përkulur para absurditetit të situatës. Të gjithë, si në një skenë teatrale, filluan të lëviznin sërish.
Krijesa e vogël, e lodhur, vendosi kokën në krahun e zonjës. Një frymë e ngrohtë i mbështolli të dyja. Zonja kuptoi se drama nuk ishte vetëm për krijesën, por ishte një alarm i trupëzuar në një qenie të pafajshme – një thirrje që i tregonte se helmi i thashethemeve dhe britmave kishte gjetur strehë në gjakun e saj.
Krijesa e vogël u përgjum, e bashkë me të edhe zonja. Mjekët u shpërndanë secili, duke tundur kokën përpara këtij misteri që nuk mund të shpjegohej plotësisht.
Të nesërmen, kur dielli u ngjit si një monedhë e pluhurosur mbi lagje, zonja ndjeu një ndjeshmëri që nuk e kishte njohur kurrë më parë. Krijesa e vogël, ende e përgjumur, shtrihej në qilimin pranë këmbëve të saj, sikur ruante një sekret të vogël për kthjellimin që ajo kishte fituar.
“Duhet ta çliroj zonjën nga hija e saj”, mendoi.
Trokiti sërish në derë. Një aromë zhurme i doli përpara, si një erë që barte letra të grisura dhe fjalë të djegura. Drejtuesja e Departamentit të Pasqyrave u shfaq me flokë të ngatërruara dhe me një shikim që përpiqej të ngjitej në të – si një skelet.
Në atë çast, një pasqyrë e vogël mbi komodinën pranë derës lëshoi një rreze të çuditshme. Për disa çaste, në pasqyrë u panë të dyja: njëra e ngjeshur me thashetheme, tjetra me krijesën e vogël në krah – e mbështjellë nga qetësia që sapo kishte mësuar ta krijonte.
Dhe si në një lojë të heshtur, rrezja u kthye nga zonja me krijesën në krah. Ajo mori frymë thellë – për herë të parë pa ndier barrën e fjalëve që nuk i përkisnin. U kthye drejt shtëpisë së saj, duke e ditur se beteja e brendshme nuk kishte përfunduar, por kishte fituar një armë të re: heshtjen e brendshme, që mbante erën e qetësisë.
Drejtuesja e Departamentit të Pasqyrave mbylli derën, por mendja e saj nuk gjente qetësi.
Banjoja e ftohtë dhe guaska e shurdhët u shndërruan në arenën e re të obsesionit të saj. Në guaskë, një copë mbetje e shthurur qëndronte si një relikte e padurueshme e një fuqie të humbur, dhe mbi të – një mizë e vogël fluturonte me krenari.
“Ç’është ky kaos mbi fronin tim të pastër?”, pëshpëriti me vete.
Me dorë të shpejtë, ajo harxhoi të gjithë rezervuarin e ujit, duke lëshuar rrjedhën mbi guaskë. Copëzat e mbetjeve të shthurura u zhvendosën, por miza e vogël, e zgjuar, gjeti hapësirë dhe u fsheh në një qoshe të korridorit.
Në ato momente, Drejtuesja e Departamentit të Pasqyrave harroi çdo gjë – punën, kolegët, madje edhe profesionin e saj. “Nuk mund të më ikësh!” – ulëriti, duke ndjekur mizën me një furi si një luftëtare që sfidon ligjet e gravitetit dhe të logjikës.
Çdo hap, çdo këmbim ajri mes saj dhe mizës u bë një valë tensioni dhe absurditeti, ku realiteti dhe obsesioni ndërthureshin pa mundësi shpjegimi. Guaska, mbetjet, uji, hapësira – çdo element i vogël u kthye në simbol të kontrollit që ajo kërkonte të rigjente. Çdo objekt iu duk si një metaforë e pushtetit të humbur, dhe çdo hapësire ku miza mund të fshihej u be një armik i padukshëm.
Drejtuesja e Departamentit të Pasqyrave u zhyt në një cikël të pafund obsesioni.
Vetëm sfida me mizën e dalë nga mbetjet e shthurura ishte ekzistenca që kishte kuptim për të.
© KOHA Ditore
Lexo edhe:
https://www.koha.net/kulture/nje-mesim-nga-nje-mize
https://www.koha.net/shtojca-kulture/rrugica-ku-koha-pi-raki
https://www.koha.net/shtojca-kulture/fature-me-laps-jete-me-kujtese