Jetojmë në Kosovën, shtet i çliruar nga pushtimi njëshekullor serb, ëndërr kjo e realizuar falë përkushtimit të shumë brezave shqiptarë, shtetit shqiptar me ato pak mundësi që kishte, si dhe duke iu falënderuar Botës Perëndimore dhe aleancës së saj ushtarake-NATO-s, e sidomos SHBA-së
Ku ishin shqiptarët në shekullin XIX-XX?
Së pari, duhet vlerësuar dhe të rikujtojmë të mirat që i solli Liria, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi! Diskriminimi ndaj shqiptarëve filloi që në momentin e krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, pra që në fillim të shekullit XIX, kur Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Bullgaria, duke u thirrur në mbretëritë e tyre mesjetare, filluan të përpilojnë plane dhe projekte, të cilat përfshinin zgjerimet e tyre territoriale në kurriz të hapësirave të banuara me shqiptarë. Natyrisht, duhet pranuar se vetë shqiptarët, pak ose aspak nuk punuan si grup i organizuar, qoftë në institucionet perandorake osmane, ku ata, së paku deri në gjysmën e parë të shekullit XIX, ishin një faktor përcaktues ushtarak dhe politik, por duke mos pasur as institucione religjioze të lidhura vetëm me etninë shqiptare, nuk arritën gjatë gjithë shekullit XIX të përpilonin si tërësi, as edhe një alfabet të përbashkët. Pra, ndonëse të konsideruar si popull i veçantë, autonomia e të cilëve nuk vihej në pikëpyetje, pavarësisht përkatësisë së tyre religjioze; me fillimin e krijimit të shtetit-komb, ata do të përballeshin për herë të parë me mohimin e etnisë së tyre, duke u konsideruar të gjithë shqiptarët myslimanë si turq-osmalinj, të krishterët ortodoksë si serbë, bullgarë e grekë, e të tjera. Në rrethana të tilla, shikuar nga një distancë kohore pothuaj dyshekullore, faktet dëshmojnë se ajo elitë shqiptaro-osmane, vepronte, jo sipas një programi politik afatgjatë dhe të pranuar gjerësisht nga strukturat e ndryshme sociale, por ai aktivizohej vetëm në rrethana lufte, kur cenoheshin drejtpërdrejtë zonat e banuara me shqiptarë, pra kur ishte tepër vonë për të parandaluar copëtimin territorial dhe etnik të tyre. Me një fjalë, shqiptarët, ndonëse kishin vetëdije etnike, atyre u mungonte vetëdija institucionale kombëtare, pra u mungonte arsimimi në gjuhën amtare, rrjedhimisht edhe mundësia për të kultivuar memorien historike, ashtu edhe vetëdija shtetërore, ngase, elitat vendore, edhe kur sundonin në mënyrë autonome në zonat shqiptare, nuk kishin në planet e tyre afatgjate, shkëputjen nga Porta e Lartë. Pra, në shumicën e rasteve, te kjo elitë mbizotëronin interesat personale, familjare dhe klanore. Ndërsa, institucionet fetare në vendbanimet shqiptare, sidomos nga shekulli XIX, do t’u shërbenin interesave kombëtare serbe, greke dhe bullgare apo atyre osmane. Në shumë raste, sidomos nga shekulli i shtetit-komb, shqiptarët do të gjendeshin ndërmjet dy zgjedhjeve; etnisë dhe religjionit. Kështu, shqiptarët e krishterë-ortodoksë, si në Kosovë ashtu edhe në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut, janë serbizuar, bullgarizuar dhe në fund janë maqedonizuar. Shkaqet e asimilimit ishin të shumta, duke filluar që nga liturgjia kishtare dhe procesi arsimor që zhvillohej në gjuhët: serbe, bullgare e greke; pastaj keqpërdorimet që i bënin elitat vendore myslimane ndaj popullsisë së krishtere-ortodokse, gjë që ka mbetur në mbamendjen historike të arvanitasve të Greqisë, me thënien e tyre: “po, grekët janë të këqij, por më të këqij se ata, janë shqiptarët myslimanë.”
“...grekët janë të këqij, por më të këqij se ta janë shqiptarët myslimanë”
Pra, kjo ka të bëjë me periudhën historike të krijimit të shtetit grek, kur shqiptarët ishin pjesëmarrës në të dy taborët kundërshtarë: shqiptarët e krishterë-ortodoksë për flamurin e Greqisë, ndërsa shqiptarët myslimanë për flamurin perandorak osman. Pra, ndërmjet zgjedhjes për të jetuar si shqiptarë, por nën sundimin osman dhe të bashkëvendësve të tyre, shqiptarëve myslimanë, arvanitasit zgjodhën flamurin e huaj, duke i dhënë përparësi besimit fetar dhe bashkimin nën një shtet të krishterë-ortodoks, pavarësisht se ata nuk ishin të një gjuhe dhe mentaliteti të njëjtë, gjithnjë duke arsyetuar se “grekët janë të këqij por më të këqij se ta janë shqiptarët myslimanë”. Rrjedhimisht, ashtu siç pohojnë edhe disa studiues, nuk është larg të vërtetës as thënia, se Lufta Greke e Pavarësisë, mund të konsiderohet edhe si luftë qytetare shqiptare!!! Po kështu kanë vepruar edhe shqiptarët myslimanë, të cilët ndërmjet dhunës shtetërore serbe dhe humbjes së identitetit të tyre kombëtar, u detyruan të zgjedhin shpërnguljen në një shtet, me të cilin i lidhte mbi të gjitha religjioni, pra Turqinë. Ky presion i vazhduar i brendshëm serb mbi shqiptarët, në anën tjetër, nxiti dhe forcoi te elita e re shqiptare e pas luftës (1945-1999) nacionalizmin laik, të zhveshur nga ndikimet religjioze dhe i cili madhëronte shtetin kombëtar, vlerësonte anët më pozitive shqiptare, kultivonte dhe mbështeste solidaritetin etnik. Dhe shteti shqiptar, në periudhën historike (1948-1985), përkundër të gjitha kritikave që sot bëhen ndaj tij, ishte një faktor ushtarak dhe politik, i cili merrej seriozisht, si nga Jugosllavia ashtu edhe nga Greqia. Sidomos etapa (1966-1980), duhet konsideruar si dekada e artë shqiptare. Në këtë periudhë historike, nacionalizmi serb në Jugosllavinë e Titos, pësoi një goditje të rëndë; republikat, me Kushtetutën e vitit 1974, zgjeruan edhe më shumë të drejtat e tyre politike, kurse shqiptarët, jo vetëm që në Konsultën Gjuhësore të mbajtur në Prishtinë (më 1967), vendosën për një gjuhë standarde dhe të përbashkët me Shqipërinë (1972), por ata hapën Universitetin, Akademinë e Shkencave, si dhe fituan një autonomi të zgjeruar politike, ekonomike dhe kulturore. Ndërsa shteti shqiptar, në rrethanat e pavolitshme në të cilat gjendej, arriti që si shteti i parë të dalë nga Pakti i Varshavës (1961), por në pamundësi që të aderonte në Paktin e NATO-s, u lidh me RP të Kinës, e cila për më shumë se dy dekada, kontribuoi në fuqizimin ekonomik dhe ushtarak të Shqipërisë. Ishte periudha historike, kur shqiptarët (së paku ata jashtë kufijve politikë të Shqipërisë), mund të ishin sadopak krenar me kombin dhe shtetin e tyre. Dhe mu kjo rezistencë antiruse dhe anti-Paktit të Varshavës, përpos shumë faktorëve të tjerë, bëri që SHBA-ja, e më pak shtetet evropiane, të integrojnë Shqipërinë në NATO dhe të çlirojnë Kosovën nga pushtimi serb.
Ku jemi sot, pas 24 vjetëve jete në liri (1999-2023)?
Të dehur nga nektari i lirisë, pseudo-patriotët, luftëtarët e rrejshëm dhe kameleonët, u lëshuan të shijojnë frytet e pushtetit: para, vetura, banesa, shtëpia, udhëtime. Thjesht një jetë luksi, që buronte nga mendësie mesjetare, në kuptimin unë të kam “çliruar” dhe unë i meritoj të gjitha!!! Rrjedhimisht, njeriu që deri dje (1999-2007), nuk kishte një “kacidhe” në xhep, as shprehi pune e as përvojë organizimi e udhëheqjeje, me ardhjen e miqve dhe shokëve në pushtet, u transformua në zyrtarin me kravatë, në profesorin universitar dhe në “firmash” që i “fitonte” tenderët shtetërorë milionësh. Pra, në vend se të rindërtohej shtëpia e rrënuar e quajtur Kosovë, në kuptimin e bërjes së një elite cilësore, me shikim të fokusuar nga ardhmëria e këtij vendi, e më pak nga përfitimet personale, familjare dhe klanore, ndodhi e kundërta! Pikërisht, ajo të cilën armiqtë e shqiptarëve, në rend të parë serbët, gati për dy shekuj, përsërisin pa pushim: “shqiptarët janë kusarë,....hajdutërinë e kanë në zemër,.....elita e tyre është e korruptuar,..... ata për pushtet e para bëjnë çdo gjë...” Mjerisht u jetësuan të gjitha paragjykimet dhe propagandat antishqiptare dhe u vërtetua edhe një herë thënia “peshku kalbet nga koka...”. Pasoi fenomeni i stërkeqjes së të gjitha institucioneve shtetërore, si atyre kulturore, arsimore, administrative, gjyqësore, ashtu edhe rrënimi i potencialeve të deriatëhershme ekonomike. Gjithashtu u imponuan vlerat e tilla morale, si: klientelizmi, nënshtrimi, lakmia, hajdutëria, etj.....Fitimtarët dhe ëndrrimtarët shpejt ndryshuan, disa u bënë me diploma e grada shkencore, njëkohësisht, po të njëjtit, u shndërruan edhe në politikanë e “biznesmenë”. Për këtë shtresë, misioni kishte përfunduar, Kosova ishte shpallur e pavarur, koha, sipas botëkuptimeve të tyre, ishte për të korrur frytet e “sakrificës së tyre”. Kjo mënyrë e të menduarit është në kundërshtim me thelbin e luftës për liri! Athua, idealistët e djeshëm, që rrezikonin jetët e tyre për lirinë e Kosovës, këtë e paskan bërë, duke llogaritur në poste shtetërore, me shumë pushtet e pasuri, pavarësisht se a janë të përgatitur profesionalisht dhe me vizion për ardhmërinë e Kosovës, tashmë në rrethana paqësore!! Ne, shqiptarët, sikur harrojmë, se jemi të rrethuar me armiq, të cilët, pos që janë zgjeruar në kurriz të hapësirave të banuara me shumicë nga shqiptarët, këta të fundit, i konsiderojnë edhe si trup të huaj në Ballkan, të cilët, nëse nuk mund t’i zhbëjnë, së paku, do të bëjnë çmos, që dy shtetet shqiptare të mos funksionojnë si shoqëri të suksesshme. Pra, nuk është larg mendsh, se në rrethana të ndryshuara ndërkombëtare (Kosova me shtetësi të kontestuar si dhe me “largimin” e SHBA-së nga Ballkani), dhe të mbetur në mëshirën e Bashkësisë Evropiane, shtetet armiqësore, në rend të parë, Serbia, të përpiqen për defaktorizimin e shqiptarëve!! Prandaj, dy shtetet shqiptare, e sidomos Kosova, kanë nevojë për udhëheqës, sa më të pastër, që inspirojnë dhe nxisin, në mënyrë që potenciali intelektual dhe krijues të lirohet, dhe të vihet në shërbim të forcimit ekonomik dhe harmonisë sociale të shtetit të Kosovës. Rrjedhimisht, ndoshta, është momenti i fundit për fuqizimin e një shtresë të re, që madhëron punën, mundin, si dhe në përzgjedhje vendos parimin e meritokracisë. Pra, njëherë e mirë, të largohemi nga përtacia orientale e shekullit XVIII-XX (të cilën Turqia e zgjidhi me reformat e Ataturkut), dukuri për të cilën shkruante më 1936 edhe shkrimtari ynë i madh, Petro Marko: “Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi!!“
-
Spastrim etnik në Kosovë “versus” krim i gjenocidit
-
Bashkësia Evropiane dhe “politika e saj parimore”
-
Një shtet që nuk i donte qytetarët e vet – shqiptarët në Jugosllavi
-
Fillimi i shekullit XX: Festa e shqiptarëve në Kishën Katolike në Shkup
-
Shtetësia e kontestuar e Kosovës: Historia si kuaziargument i palës serbe