Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Fillimi i shekullit XX: Festa e shqiptarëve në Kishën Katolike në Shkup

Shkupi në fillim të shekullit XX

Shkupi në fillim të shekullit XX

“Shkupi është i populluar kryesisht nga arnautët, siç turqit i quajnë shqiptarët. Morali i tyre në vete paraqet kod të veçantë. Vilajeti i Kosovës, kryeqyteti i të cilit është Shkupi, është përshkruar si një zgjatim i Shqipërisë, Serbisë dhe Bullgarisë. Kufizimet provinciale të Turqisë pa dyshim janë të dizajnuara me synimin e përfshirjes nën të njëjtën administratë të sa më shumë elementeve të armiqësuara mes vete. Lart rrugës, te Kisha e Re Katolike Romake (ndërtuar me dashamirësi nga austriakët), një turmë shqiptarësh të veshur bukur ishin mbledhur një mëngjes për festën e ‘Corpus Christi’”, janë imazhet e Shkupit dhe shqiptarëve katolikë në fillim të shekullit XX të paraqitura nga John L C Booth dhe Moore Frederick. Titulli dhe nëntitujt janë të redaksisë

John L C Booth

Moore Frederick

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rivalitetet austro-ruse në Vilajetin e Kosovës

Në Köprülü (Veles), në gjysmë të rrugës, një grup shqiptarësh hipën në furrat e mbushura plot në fund të trenit, duke u futur me rrëmujë—nga njëzet vetë—mes britmave të së qeshurës. Në një vend tjetër, një rojë nderi i hapi rrugë një krijese të vogël me shpinë të përkulur dhe fytyrë të mrrolur. I stolisur me një kapelë të ushtrisë ruse, xhaketë të bardhë dhe kopse të arta, ai iu përgjigj përshëndetjes dhe u drejtua me kujdes drejt vagonit të rezervuar për të. Ishte një konsull në tërë shkëlqimin e vet! Gjëja më e keqe tek ai ishin një palë çizme kasapi të rreme, të lëmuara, të bëra nga mbështjellëse këpucësh mbi këpucë të këqija. Pas tij ngrihej një gavaz gjigant shqiptar, i veshur me fustanellën e bardhë të vendit të tij, i pajisur me thika dhe pistoleta për të mbrojtur “Nëpunësin Civil të Arushës”. Në një stuhi dhe një shi të fortë e të lavdishëm, ne ishim në Shkup rreth orës dy pasdite. Pasaportat tona u morën menjëherë nga policia.

Nga dhoma jonë e gjumit në “Hotel Turati”, pamë një varrezë të gjerë të braktisur, pa mur rrethues dhe e përshkuar nga shtigje këmbësorësh, ku qentë e uritur ulërinin me trishtim gjatë gjithë natës. Në sallën e ngrënies ishin oficerët austriakë të xhandarmërisë turke. Koloneli i tyre ishte një burrë me hundë dhe sy skifteri – një disiplinues i rreptë. Njëri prej tyre, i cili kishte jetuar në një konvikt në Bloomsbury, diskutonte për kuajt hungarezë në një anglishte të mirë dhe gradualisht u tërhoq për të folur për çështjen që na kishte sjellë atje.

Zyrtarisht ata burra austriakë nuk ishin të pëlqyer. Vendi i tyre po i shtrinte tentakulat mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë Perëndimore, gati për t’u kapur dhe mbajtur fort kur të vijë momenti, kështu që (Austria) po ia bënte vetes gati një divan të butë për t’u shtrirë. Turqit nuk e pëlqejnë, për arsye të dukshme; shqiptarëve nuk u pëlqen, pasi nuk kanë dëshirë të kapen; bullgarët dhe serbët, shumë të pranishëm në atë cep, kanë ide të tjera për copëtimin e një Maqedonie të lirë, dhe nuk u pëlqen fare (prezenca e ndërkombëtarëve këtu). Me gjithë fuqitë e saj shpenzuese, propaganda austriake është dukshëm e papëlqyeshme; dhe oficerët, të cilët nuk ishin vënë aty thjesht për të stërvitur xhandarë, ndanin urrejtjen që ngjallte prezenca e tyre dhe kishin gjasa mjaft të mira të qëlloheshin nga ndonjë prej palëve kundërshtare.

Shkupi në fillim të shekullit XX

Kisha Katolike e Shkupit

Lart rrugës, te Kisha e re Katolike Romake (e ndërtuar me dashamirësi nga austriakët), një turmë shqiptarësh të veshur me rroba festive u mblodhën një mëngjes për festën e “Corpus Christi”. Pas meshës në kishë, një kortezh rrotullohej rreth oborrit të kishës duke kënduar dhe duke u gjunjëzuar pranë një faltoreje në çdo kënd. Përpara ecte një grup vajzash të vogla dhe të bukura, disa në të bardha – disa me dimi (shallvare) turke të kuqërremtë ose jeshile dhe breza me ngjyra të shkëlqyera. Ato hodhën lule para priftit dhe qeshnin me rrezet e diellit. Gratë – shumë serioze – përkulnin kokat e tyre të mbuluara me të bardha mbi librat e tyre apo e mbanin nga një qiri larg rrobave të tyre të së dielës. Fundet e tyre të zeza ishin mjaftueshëm të shkurtra për të treguar shallvare me kuadrate ose me pika, nyjat e bardha dhe këpucët e mëdha. Në ballë të kësaj beteje, koloneli syshqiponjë dhe oficerët e tij mbanin qirinj për të mirën e vendit të tyre me një trimëri të dukshme. Mbi urën e Vardarit qarkullonin pa pushim kuaj të vegjël me qerre me qen, duke hyrë në treg. Këmbëkryq midis dy thasëve me qymyr ishte ulur një bullgar i moshuar, duke u lëkundur nën lëvizjen e kalit të tij të vogël.

Rreth perëndimit të diellit, ne po ngjiteshim në kodër për të vëzhguar pa ngjallur tepër kureshtjen e banorëve kur një tingull i largët, si zërat e thellë të shumë deleve, i shoqëruar nga një rrahje e ritmuar, u përhap në heshtjen e ajrit të parfumuar. Pas një shtëpie doli një grup burrash që frynin në instrumente të mëdha prej tunxhi, të ndjekur nga rinia dhe bukuria e një regjimenti Redifësh të Anadollit. Në fund të kodrës melodia luftarake pushoi për shkak të mushkërive të atyre që e prodhonin, dhe kolona marshoi nëpër kodër duke kaluar pranë nesh. Disa nga rreshterët me sa duket kishin kaluar një trajnim në ushtrinë gjermane dhe parakalonin me gishtat e këmbëve të drejtuar përpara, në hapin ceremonial gjerman. Jashtë kazermave, batalioni u ndal dhe u rreshtua në vijë, pas së cilës kompanitë u inspektuan duke u raportuar se gjithçka ishte “në rregull”. Me këtë siguri ngushëlluese, shpërtheu një ulërimë e shkurtër, por e tmerrshme nga banda muzikore, që thuhej se përfaqësonte një pjesë të marshit të Hamidit. Kjo u shua shpejt dhe i gjithë regjimenti ngriti zërin e tij të ashpër me një britmë "Padishah çok yaşa", që do të thotë “Rroftë sulltani për shumë vjet”.

Në Perandorinë Osmane çdo garnizon parakalon në perëndim të diellit duke e shfaqur këtë ceremoni.

Shqiptarët dhe pakicat e tjera në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës

Shkupi është një vend i ashpër me frymën e maleve mbi të. Është vetëm një udhëtim tetorësh nga Selaniku… Ai është i populluar kryesisht nga arnautët – siç turqit i quajnë shqiptarët – dhe sllavët, të dy popuj me karakter, edhe pse morali i tyre ndjek një kod mjaft të veçantë. Vilajeti i Kosovës, kryeqyteti i të cilit është Shkupi, është përshkruar si një zgjatim i Shqipërisë, Serbisë dhe Bullgarisë. Kufizimet provinciale të Turqisë pa dyshim ishin hartuar me synimin për të përfshirë nën të njëjtën administratë sa më shumë elemente armiqësore. Dallimet midis serbëve dhe bullgarëve të Maqedonisë tërësisht u përkasin çështjeve arsimore. Të dyja racat e kanë harruar prej kohësh armiqësinë e perandorëve të tyre të lashtë dhe pas pesë shekujsh vuajtjeje të ngjashme nën një monark të përbashkët, në thelb serbët dhe bullgarët e kanë vetëm një dëshirë. Ata janë asimiluar deri diku gjatë këtyre shekujve dhe në disa rajone është e vështirë të bëhet dallimi midis tyre. Gjuha e tyre, këtu ku ndërthuren dy racat, mund të flitet si një gjuhë e vetme. Megjithatë edhe pse serbët dhe bullgarët kanë ide të ngjashme, zakone identike, besimet e tyre janë të dyfishta. Fshatarët bullgarë dhe serbë vishen njësoj dhe nga veshjet dallohen vetëm partizanët dhe propagandistët. Ata që ndjekin gjimnazin bullgar veshin një prerje evropiane të rrobave, ndërsa xhaketa ushtarake dëshmon ndjekësit e shkollës rivale.

Serbët i hapën shkollat ​​e tyre përtej territorit që u përkiste me të drejtë, duke hapur gjimnaze në Selanik dhe Manastir për të konkurruar me grekët dhe bullgarët në konvertimin e popullsisë. Por në jug të “Serbisë së Vjetër”, mbështetja ndaj kauzës së tyre vinte vetëm si rezultat i blerjes “së agjentëve të ndryshëm”, dhe askund në jug të Shkupit fushata serbe nuk shqetësoi seriozisht dy propagandat e mëdha.

Shkupi në fillim të shekullit XX

Atmosferë festive

Kisha Katolike Romake në Shkup, një tipar i propagandës austriake, në një ditë të pluhurosur vere ishte zbukuruar plot me kurora lulesh mali dhe shumë flamuj. Një flamur i madh mysliman valëvitej nga njëra anë e kambanores së krishterë dhe një emblemë po aq e madhe e Monarkisë së Dyfishtë nga ana tjetër; dhe vargje flamujsh të vegjël, me radhë turq dhe austro-hungarezë, shtriheshin nga kulla deri te muret e larta prej dheu që rrethonin oborrin e kishës. Mbi derë, ku vetëm katolikët që hynin mund ta shihnin, varej një portret i madh i Franc Jozefit, i stolisur me shumë medalje, ndërsa asgjë nuk ishte e dukshme për sulltan Abdyl Hamidin. Ishte festa e “Corpus Christi“ dhe unë e anglezi, të tërhequr nga shqiptarët që mblidheshin në atë vend nga të gjitha drejtimet, vendosëm të shkonim për të parë festën. Kisha e errësuar shkëlqente nga qirinj të shumtë rreth Krishtit të kryqëzuar, ndërsa katërmbëdhjetë “stacione të Kryqit”, të vendosura si kishëza të vogla rreth oborrit të kishës, përmbanin fotografi në madhësi reale që tregonin vuajtjet e Shpëtimtarit deri te Kryqëzimi. Gjatë meshës brenda kishës, gratë shqiptare, të mbuluara si motrat e tyre myslimane zunë njërën anë të kishës dhe burrat nga ana tjetër. Në vendin e nderit uleshin reformaxhinjtë austriakë në tërë shkëlqimin e tyre ndërsa uniforma brilante e Kontit de Salis, kreut të kontingjentit të xhandarmërisë, theksohej dhe lavdërohej nga palltoja salonikase që mbulonte personin e nderuar të Valisë kristian, i ulur pranë. Ky përfaqësues i dëshpëruar i Sulltanit po luante një lojë të ngjashme me atë të xhandarëve të veshur gazmorë. Ai u përzgjodh nga Porta e Lartë disa vjet më parë si bashkëqeverisës me valiun turk për shkak të paaftësisë së përgjithshme dhe indiferencës ndaj obligimeve të marra. Detyrat e tij ishin gjoja për të reformuar krahinën, por ai ishte i paaftë t’i përmbushte ato, përndryshe nuk do të kishte marrë emërimin. Këtë ditë ai po shfaqte simpatinë e krishterë të zotërisë së tij sulltanik, ashtu si austriakët shfaqnin zellin e tyre fetar para shqiptarëve katolikë. Në përfundim të shërbimit të brendshëm në ditën e “Corpus Christi”, priftërinjtë dhe njerëzit u larguan nga kisha duke kënduar, secili duke mbajtur një qiri të ndezur…. Dy djem shqiptarë krenarë tundnin llambat e temjanit, dhe katër të tjerë mbanin një shtresë mëndafshi mbi kokat e priftërinjve. Të parët pas priftërinjve dolën konti Salis dhe Valiu i krishterë, dhe më pas pasuan konsulli dhe oficerët e tjerë austriakë dhe populli…  Prania e dy korrespondentëve jodashamirës të gazetave, ​​të cilët qëndronin pranë gjatë këtij ceremoniali, dukej se e bezdiste palën zyrtare dhe për ca kohë më pas “dy korrespondentët anglezë” (një nga të cilët isha edhe unë) u përbuzën ashpër nga oficerët austriakë.