Në tribunën e Fakultetit Filozofik me rastin e 65-vjetorit të themelimit të tij dua të nisem nga ideja e njohur e filozofit të shquar W. von Humboldt se “gjuha është emanacion i shpirtit”, ide që me variacione përkatëse u rimor nga gjuhëtarët amerikanë E. Sapir e B. L. Whorf, në mënyrë tjetër u shqua nga L. von Wittgenstein si “kufijt e botës sime janë kufijt e gjuhës sime”
Zvetnimi dhe lufta për gjuhën
Në kujtim të kësaj fryme e me shqetësimet e ligjshme për gjuhën tonë, le të kthehemi pak te zhvillimet e kësaj kohe lidhur me shqipen. Më pak se një dekadë para themelimit të Fakultetit Filozofik në Prishtinë, në “Rezolutën e intelektualëve shqiptarë të Kosovës për gjuhën” të nëntorit të vitit 1952 shprehej shqetësimi për “njifarë zvetnimi[n] i[e] gjuhës shqipe në vijim të përdorjes së disa trajtave dhe shprehjeve që nuk pajtohen me frymën dhe natyrën e kësaj gjuhe”. Me këtë ata e parashtronin qëndrimin dhe nevojën për ndërmarrje të ngutshme në këtë rrafsh dhe njëherësh kërkonin të botohej një e përkohshme që do të merrej me çështje të gjuhës. Përballeshin me shkrimin e gegnishtes me varietete të ndryshme e për këtë kërkonin të përdorej një gegnishte e përgjithshme e mbështetur në vendimet e viteve ‘20, por duke kaluar në një fazë të re, sepse, pos variacioneve të elbasanishtes e të shkodranishtes, tani në lojën e përdorimeve hynte kosovarishtja, prandaj kërkohej një përdorim gjithëgegnisht, përtej traditave të ndara. Në të njëjtën kohë nuk mund të mos shprehej shqetësimi për zvetnimin e gjuhës për pasojë të zhvillimit të pabarabartë në përdorimet me serbokroatishten, e cila zhvillohej në hap me zhvillimet ekonomike e të tjera, ndërsa shqipja nuk e ndiqte dot atë hap.
Nga ajo kohë kanë ndodhur shumë gjëra. Reagimi në fjalë nisej nga gjendja në vend, por mund të ishte dhe jehonë në raport me zhvillimet rrënjësore në këtë drejtim në Tiranë. Të tilla reagime kishte pasur dhe më 1957-8, ashtu si më 1964, kur u botua “Ortografija” e fundit për gegnishten letrare. Pati së paku tri reagime të organizuara në fushën e standardizimit, që në zhvillimet e përgjithshme mbetën anash vetëm pak vite më vonë.
MST: Shqipja drejt niveleve të larta të gjuhës intelektuale
Në vazhdën e kërkesave të asaj “Konsulte të intelektualëve” më 1953 në Prishtinë u themelua Instituti Albanologjik, i cili më 1955 u mbyll me dekret shtetëror. Më 1958 u hap Shkolla e Naltë Pedagogjike po në Prishtinë, ku mbaheshin mësime për gjuhën shqipe në një nivel më të lartë se në shkollat e mesme. Më 1960 u themeluan Fakulteti Filozofik/ Filozofski fakultet dhe më 1961 Fakulteti Juridik-Ekonomik/ Pravno-ekonomski fakultet si degë të Universitetit të Beogradit dhe me mësimdhënie në gjuhën serbokroate. Por kishte një degë të gjuhës dhe të letërsisë shqipe, ku mësimi mbahej vetëm shqip. Aty nisi botimi i “Gjurmime albanologjike/ Albanološka istraživanja”, revistë shkencore që vazhdon të botohet dhe sot e degëzuar në tri seri. Pas kthesës së vitit 1966, kur shqipja mori hapësirë më të gjerë përdorimi dhe mësimdhënia në këtë gjuhë zhvillohej në të gjitha departamentet, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filozofik, i cili në vete kishte dhe degët e kimisë, të fizikës, të matematikës, të serbokroatishtes, pas 1961 të anglishtes, të rusishtes dhe të historisë, të pedagogjisë, por deri vonë jo të filozofisë, u bë njëherësh bartës i shumë veprimtarive brenda atij fakulteti e më gjerë (Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Matematike u pavarësua më 1974, ndërsa Fakulteti Filologjik më 1989, pra kemi të bëjmë me një traditë të përbashkët të shënuar me këtë emër). Më 1967 u rithemelua Instituti Albanologjik dhe më 1969 atje kaloi botimi i “Gjurmime albanologjike”. Në prill të vitit 1968, në sallën e kuqe të atij Fakulteti (nuk e kuptoj pse nuk është në funksion sot) u mbajt Konsulta Gjuhësore që sot vlerësohet si historike për zhvillimet në këtë lëmë, në të cilën u vendos që shqipja letrare të jetë e njëjtë me atë që përdorej në Republikën e Shqipërisë: derisa të merrej një vendim përfundimtar do të ndiqej “Projekti i Drejtshkrimit” i vitit 1967, që ishte në diskutim publik. Me këtë iu hap rruga vendimit që do të merrej në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972. Me kohë pati zgjerime të tjera dhe më 1970 u themelua Universiteti i Prishtinës. Në këtë fakultet botohej revista “Buletin i punimeve shkencore të FF” dhe tashmë edhe në gjuhën shqipe. Ndërkohë, me rritjen e veprimtarive që çuan drejt themelimit të departamentit të filozofisë-sociologjisë, botohej dhe revista “Studia humanistica” me mundësi botimi në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbokroate. Rritja e këtillë bëri të mundur jo vetëm përdorimin e gjuhës shqipe në mësimdhënie të të gjitha niveleve, por edhe sprovimet e saj në fushat teorike të vjetra e moderne, përfshirë dhe filozofinë përtej marksizmit të detyrueshëm. Në ato kohë u intensifikuan botimet reviale, vijoi botimi i “Jetës së ré” të themeluar më 1949, botimi i revistës me spektër të gjerë “Përparimi” nga vitit 1955, i revistave nëpër fakultete të ndryshme, i “Vjetarëve” të Muzeut dhe të Arkivit, u fuqizua gazeta “Rilindja”, e me të të përkohshmet “Zëri”, “Bota e re”, “Dituria”, “Fjala”, “Gjuha shqipe”, ndërkohë nisi dhe botimi i revistës me tematikë sociologjike dhe të dijeve humanistike “Thema”, në të cilat përdorimi i gjuhës shqipe synonte nivelet më të larta në botën intelektuale. Kishte pasur dhe zhvillime me rëndësi në fushën e radiofonisë dhe televizive. Krizën në gjuhë, për të cilën flitej qartë dhe me dhimbje në vitet ‘50, po e kalonim përmes zhvillimeve të rëndësishme në fushën e përdorimit në rritje të gjuhës shqipe, duke kaluar nëpër sfida të shumta. Më 1974 u poq ideja se tashmë duhej të kalohej në një shkallë tjetër komunikimi pikërisht në mbështetje të rritjes në përdorimet dhe studimin e kultivimin e shqipes, në shkallën e komunikimeve ndërkombëtare, kështu që u themelua Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (që punimet i zhvilloi në po atë sallë ku u mbajt Konsulta e përmendur), që u tregua shumë i suksesshëm dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm edhe pas më shumë se gjysmë shekulli. Le të themi, po ashtu, se në atë Seminar u hartua dhe teksti i parë për mësimin e shqipes nga të huajt sipas vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit. Më vonë u ndoq nga të tjerë më të gjerë. Mund të themi se në tërë këto veprimtari vazhdimisht ka pasur “krizë në gjuhë”, në kuptimin e parë – atë të zotërimit të shqipes standarde pa pasur në vend përvoja të të folurit mbi të cilat bazohej ajo, por edhe në kuptimin e gjendjes prej së cilës do të lindin zhvillime të reja. Bëheshin përpjekje të jashtëzakonshme që kjo krizë të kalohej në rritje, e kjo do të thoshte në radhë të parë me përdorimin sa më të gjerë.
Kriza e viteve ‘90
Vitet e rënda 1990 sollën krizën e re të madhe në të gjitha aspektet, pra edhe të gjuhës shqipe në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. Kontaktet me Shqipërinë mund të ishin vetëm klandestine, ndërsa shkollat, botimet, universiteti mund të ishin vetëm jolegale e jashtë institucioneve dhe me përpjekje të pazakonshme të nismave private, por duke ruajtur strukturën organizuese. Paralelisht me zhvillimet kaotike në Shqipëri, kjo gjendje erdhi të thellonte krizën në gjuhë, deri në nivelin e ndalimit të përdorimit, apo mundësinë e përdorimit vetëm privat e klandestin. Zhvillimet teknologjike në botë që po depërtonin ngadalë hapnin një dritare. Edhe pas luftës së vitit 1999, në fqinjësi me shtetin e Kosovës tashmë të çliruar ndodhi dhe një luftë për gjuhën. Përcaktimet “luftë në gjuhë” dhe “luftë për gjuhë”, tashmë i kisha parë te sociologu britanik Glyn Williams në kritikën e tij për teoritë sociolinguistike nga aspekti i teorive të pastra sociologjike të fillimit të viteve ‘90 dhe ato m’u dukën më shumë se të përshtatshme, të domosdoshme derisa po shkruaja librin me atë titull më 1997, e që doli më 1998.

Gjendja e re në shekullin XXI
Pas çlirimit, viti 2000 solli gjendjen e re, në të cilën përdorimi i shqipes vihej sërish në sprova të shumëfishta: në raport me situatën globalizuese, me anglishten në shumë situata në funksion të gjuhës së parë, dhe sidomos të gjuhës së pushtetit mbikëqyrës plus ndërkombëtar, e me shpërthimin e të gjitha barrierave në raportet e përdorimeve të shtresave të ndryshme të shoqërisë sonë ndaj gjuhës standarde, që shihej si tashmë e arritur. Tërë kësaj i shtoheshin horizontet e reja me zhvillimet teknologjike të internetit dhe të komunikimeve në vijë, e bashkë me të të telefonisë së revolucionalizuar tërësisht. Hapësirat e përdorimit të të gjitha shqipeve të mundshme u bënë aksesibël për të gjithë, por me kohë ndodhi diçka që nga perspektiva që, së paku në vlerësimin tim, përmban një dimension dëmtues: të joshur nga mundësitë e pafund që ofron teknologjia moderne, sikur papritur hoqëm dorë nga mjetet tradicionale të informimit të shtypur dhe brenda një dekade Kosova mbeti pa gazeta (me përjashtim të ndonjë të përkohshmeje) dhe shtyp. Për më tepër, vrapimi me turr pas globalizimit solli dhe eklipsimin të përdorimit të shqipes në fusha të ndryshme të botës intelektuale: mezi kanë mbijetuar revistat e specializuara të Institutit Albanologjik të Prishtinës të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, pak raste të botimeve të fakulteteve dhe të “Jeta e ré” me përdorim më të gjerë. Krahas kësaj, komunikimi i shpejtë me satelit dhe internet solli përparësi e zhvillime që nuk ishin jetuar më parë, por edhe njëlloj kënaqjeje me njohjet e shpejta sipërfaqësie.
Në diskutimet në suazat universitare më ra të dëgjoja se kishte kërkesa që në disa fusha ku paska pak lexues shqip punimet doktorale të bëheshin vetëm në gjuhën angleze me arsyetimin se atje do të kishte hapësirë për paraqitjen e arritjeve. Do të themi se momenti i parë dhe themelor i krizës në gjuhë është momenti i mospërdorimit. Ku do të ketë mundësi të flitet për ato materie në gjuhën shqipe, e cila, për të mbijetuar, do të ka nevojë për nivelet e shprehjes në ato fusha, nëse nuk ndodh në Kosovë, në Shqipëri? Logjika e tillë ka nisur të përhapet dhe në fushat të tjera, sepse, dorën në zemër, me përmasat që kemi, nuk jemi pa vështirësi në këtë aspekt. Por a kemi mekanizma të mbrojtjes? Përdorimi megjithë vështirësitë është mekanizmi i parë.
Nëpër faza të tilla kanë kaluar dhe të tjerë para nesh. Vendet skandinave parimisht me përmasa të numrit të folësve të krahasueshme me tonat, por me shkallë shumë të lartë zhvillimi, dhe me nevoja për eksport të dijeve të prodhuara nga ato, kishin nisur kthesën radikale drejt përdorimit mbisundues të anglishtes në fusha të universitarizmit të lartë, por me kohë i ndjenë rreziqet për gjuhët e tyre dhe filluan të kërkonin që, së paku në dijet shoqërore, të kthehej përdorimi i gjuhëve të tyre në të gjitha rrafshet e përgatitjes universitare, dhe duke shtuar botimet në gjuhët e vendit. Kërkesat tek ne për absolutizimin e përdorimeve të anglishtes në fusha të caktuara, pa krijuar hapësirë përkatëse për përdorimin e shqipes, do të çonin drejt rrezikimit serioz të gjuhës sonë, sidomos në proceset që po ndodhin aktualisht. Kërkesa legjitime dhe e domosdoshme për modernizim dhe integrim global duhet të shtrohet bashkë me veçantitë që kemi: paralelisht të rritet niveli i përdorimeve dhe i realizimeve në gjuhën shqipe dhe po ashtu niveli i përdorimeve dhe i botimeve në gjuhën angleze. Zhvillimet në këto drejtime në të ardhmen nuk mund t’i dimë, por historia është aty që të na mësojë diçka. Miku im amerikan, ballkanologu i madh Victor Friedman nuk pushon së përsërituri: anglishtja e sotme është si osmanishtja e Perandorisë së dikurshme. Do të shtonim, si latinishtja e Mesjetës. Ky është konteksti në të cilin duhet të qëndrojnë gjuhët me numër të vogël folësish, nëse duam t’i shpëtojnë procesit të përshpejtuar të obsolencës (gjendjes së arkaizimit të gjuhës drejt shkallës së rrezikimit).
Zhvillimet kanë qenë shumë më të gjera. Ku ndodhet shqipja sot në raport me një vështrim për krizën, a ka krizë të shqipes, ku mund të shihen manifestimet e saj në horizontet aktuale? Nëse krizë të gjuhës ka, a do të thotë kjo se ka njëherësh krizë kulture, krizë morali? Nëse krizë të gjuhës ka, le të hedhim paraprakisht një sy te çështjet si ç’është gjuha shqipe sot? Por për këtë një herë tjetër.
Sa i përket vetë gjuhës, raportit ndaj krizës eventuale të shqipes, mund të vërehen së paku dy blloqe interesimesh: gjuhëtarët dhe gjuhëtarët sociolinguistë, në njërën anë, anojnë nga shpjegimet e variacionit gjuhësor si bazë të shprehjes e të komunikimit në realitetin shoqëror për të arritur te një gjykim lidhur me ndjenjën e asaj që quajmë “krizë”. Në anën tjetër janë edukatorët, politikanët dhe gazetarët e publicistët që më shpesh i dramatizojnë vështirësitë që dalin lidhur me nxënien e një varieteti të të folurit që ka qenë normuar, e që identifikohet me vetë gjuhën, pa ua vënë veshin pyetjeve lidhur me domethënien e përplasjeve të përdorimit dhe as lidhur me zgjidhjen e tyre. Të parët kanë zakonisht dyshime për krizën dhe theksojnë në mënyrë demokratike karakterin egalitar të raportit midis folësve dhe sistemit të tyre gjuhësor. Të dytët ankohen për vështirësitë e zotërimit dhe gangullzojnë dështimet e mësimdhënies duke tubuar gjykime të vlerësisë, e duke iu referuar një situate në të kaluarën të hamendësuar si ideale.
Diskutimet për “krizën” në gjuhë nuk janë diçka që ndeshet rrallë. Pa qenë krejtësisht sistematike, ato reflektojnë fazën e zhvillimeve të panjohura më parë në historinë e një gjuhe. Jemi dëshmitarë të zhvillimeve në rritje të proceseve të standardizimit dhe të stabilizimit të përdorimeve në këtë nivel. Shqipja po jeton fazën e zhvillimeve të papërjetuara më herët në historinë e saj, duke kaluar nga funksionimet në bashkësi relativisht të përkufizuara të folësve, me varietetet përkatëse të shkruara, përmes lulëzimit si asnjëherë më parë të përdorimeve të shkruara e në ndeshje të drejtpërdrejtë me shumë gjuhë të tjera, me mundësi e horizonte zhvillimi në hapësirat që ofron revolucioni teknologjik në fushën e komunikimeve. Proceset shpesh kaotike të integrimeve në horizontin global, proceset e papërfunduara apo në dinamizëm të përshpejtuar të përfundimit në rrafshin shtetëror, bashkë me ambivalencat e ideologjitë kontradiktore lidhur me to, në ndjekje të synimeve për një njësi shtetërore, janë bërë po ashtu shtrat i përshtatshëm për rritjen e ideologjive me dy kahe, kontradiktore brenda bashkësisë së folësve të shqipes dhe përgjithësisht brenda bashkësisë sociokulturore me realitete të ndryshme sociopolitike. Po shfaqen ‟rreziqe” dhe kriza të papërjetuara më herët. Si do vështruar ‟kriza në gjuhë”? Përtej implikimeve të shumanshme të nocionit të krizës, nga lëkundjet rreth vlerave të sprovuara e deri te horizonti i lindjes së të resë vazhduese dhe të ndryshme nga e mëparmja, ka dy aspekte të sprovuara të vështrimit të saj në fushën e gjuhës: vështrimi linguistik, që lidhet me çështje të normave, dhe vështrimi sociolinguistik, sociokulturor, antropologjik. Të dy horizontet shpërfaqen të përkapura midis tyre, janë komplementare.
Në rastin e gjuhës me histori të madhe standardizimi e lulëzimi kulturor, të frëngjishtes, qysh në vitet ‘30 të sh. XX gjuhëtari i shquar Ch. Bally e kishte shtruar çështjen e “krizës në gjuhë”, duke iu drejtuar në radhë të parë mësimdhënies, në horizontin e manifestimeve të veçanta të frëngjishtes së Zvicrës, e cila ndodhej nën ndikimin e dy momenteve me rëndësi: të trysnisë së gjermanishtes të folur gjerësisht në shtetin helvetian dhe të tutelës së frëngjishtes nga qendra e saj parisiane. Natyrisht, Bally [Bají], nxënës i drejtpërdrejtë i F. de Saussure-it, në parimet ngapak ndryshe nga mësuesi, ishte gjuhëtar me interesa të veçanta për aspektet pragmatike të gjuhës, për të folurit (parole) dhe çështjet e stilit. Në tërë këtë rruzull silleshin dhe idetë e tij lidhur me krizën, që duan parë në kuadrin e gjerë të “bon usage” të frëngjishtes, term që rrënjët i ka te konceptet e C. F. de Vaugelas-it [Vozhëlà] i shekullit XVII të ndjekur deri në identifikim me emrin e tij si pseudonim nga Faik Konica.
Idenë e Ch. Bally-së nuk e kujtova rastësisht e as për shkak të frëngjishtes. Mbetet të diskutohen gjendjet e shqipes si në raport me gjuhët trysninë e të cilave e jeton ajo në pjesë të caktuara të bashkësisë së folësve të shqipes, po dhe në raportet midis qendrës dhe periferive të ndryshme të pjesëve brenda kësaj bashkësie të folësve. Në rastin e shqipes nuk ka pasur një qendër aq të fuqishme si Parisi, që do të eklipsonte në çdo aspekt pjesët e tjera të bashkësisë së folësve të shqipes. Në kohën tonë po përvijohen qendra të bashkësisë së folësve me raporte të ndryshme sa i përket hierarkisë ndaj qendrave si Tirana, Prishtina, ndaj tyre dhe të atyre ndër vete. Bie në sy në radhë të parë një tendosje që herëpashere shpërthen në sipërfaqe lidhur me primatin dhe pikërisht atje ndodhin fenomene të kërkesës për zotërimin e varietetit përkatës dhe të vetëm atij, për pasojë segregimin e atyre që nuk e përmbushin këtë kriter. Njëherësh po flasim për procesin e “brain gain”. “Kthimi i trurit” na sjell fenomene për të cilat duhet patjetër të kemi qëndrime të tjera, të tolerancës, të mirëkuptimit e të përfshirjes me të gjitha veçantitë, edhe në raport me realitetet me shprehitë e të folurit.
“Kriza” në gjuhë dhe pak më gjerë
A ka krizë në gjuhë? Kjo ndërlidhet me çështjen e normës. Shqyrtimi i normave i shtrohet vështrimit linguistik. Por në rastin e krizës së gjuhëve kemi të bëjmë me qasje sociokulturore e antropologjike.
Gjendja e sotme e bashkësisë së folësve të shqipes me dinamizmin e saj statusor e prandaj të kontakteve me status barazie/ose jo ndryshon shumë nga gjendja e kohës kur u morën vendimet për shqipen standarde. Pas vitit 1990 erdhi një fazë e zhvillimeve më tepër kaotike në të dy anët e kufirit: në Shqipëri rënia e sistemit kontrollues njëpartiak nuk u zëvendësua me ndonjë sistem tjetër të përshtatshëm, në raportet e anomisë shoqërore çështja e gjuhës u bë krejtësisht irelevante, ndërsa në ish-Jugosllavi shqipja u përjashtua tërësisht nga jeta publike zyrtare, institucionet e edukimit e të dijes, të kulturës mund të vepronin vetëm si klandestine. Shpërtheu vala e shpërnguljeve të pakontrolluara drejt vendeve të perëndimit nga të dy anët e kufirit, që s’po vihet kurrsesi në rrjedha normale. U rrit hovshëm diaspora e paorganizuar në vendet e Europës Perëndimore e në SHBA. Pas vitit 2000 në Kosovë u rikthyen mekanizmat që e bënin të mundur funksionimin e shqipes si gjuhë zyrtare në tërë hapësirën në Kosovë, ndërsa në RM bëhej një luftë e vërtetë për gjuhën. Në hapësirat e tjera kishte më pak mundësi. Në këtë periudhë komunikimi midis pjesëve të ndryshme të bashkësisë, falë mjeteve të teknologjisë së internetit e komunikimit televiziv satelitor, u rrit. Hapësirat e përdorimit të shqipes në jetën publike në nivelet e jetës kulturore u rritën ndjeshëm dhe dolën nga kontrolli i pushteteve të huaja. Njëkohësisht ndryshoi raporti i shqipes me gjuhët me status ndërkombëtar. Në Kosovë anglishtja u bë gjuha me status superior zyrtar. Edhe në Shqipëri anglishtja e kishte marrë tashmë statusin e gjuhës së parë ndërkombëtare. Institucione vendore të arsimit, të shkencës e të kulturës me burime të reduktuara materiale po bëheshin gjithnjë e më të varura nga institucionet e ndihmave financiare e të tjera ndërkombëtare. Përhapja e teknologjisë së re ngadalë i eklipsoi format tradicionale të komunikimit të shtypur: u krijua disproporcion i ri, në Shqipëri mbijetoi një numër gazetash, ndërsa në Kosovë u shuan të gjitha, ndërkohë që shtresa të gjera folësish ende po përpiqeshin të nxinin mënyrën e re të komunikimit. Komunikimi digjital mbisundoi tërësisht, e me këtë përdorimi i shqipes në funksione të rëndësishme komunikative-kulturore u zbrit në rrafshin kryesisht të komunikimit të shpejtë, më parë sipërfaqësor. Diaspora e gjithandejshme përfitoi prej mundësive të reja të komunikimit, ndërsa niveli i përdorimit të shqipes në funksione të rëndësishme të jetës kulturore e shkencore ra ndjeshëm. U zbehën institucionet e mëhershme të mbështetjes shtetërore e shoqërore të veprimtarive kulturore e shkencore, por u rritën mundësitë e botimeve, tashmë jashtë çdo kontrolli. Praktikisht u shuan ata pak mekanizma të kujdesit publik apo të kritikës eventuale gjuhësore. Në Shqipëri, megjithatë, mbijetoi një logjikë e kontrollit gjuhësor në institucionet shtetërore, ndërsa në Kosovë këto hapësira mbetën pa mbulesë (nuk ka, ta zëmë, asnjë bërthamë për mësimin e gojtarisë, të të folurit publik në Kosovë). U rrit ndjeshëm rrjeti i komunikimeve televizive, por nuk pati investime serioze në fushën e jetës – teatrale, p.sh. Ndërkaq, hapësira e komunikimit midis folësve të shqipes të rajoneve është rritur më shumë se kurrë ndonjëherë. Standardi i sanksionuar në vitet ‘70 sikur po kërkon rritje në pajtim me dimensionet që ka sot bashkësia kështu dinamike e folësve të shqipes. Trysnia e vernakularëve dhe e varieteteve të ndryshme përdorimore mbi standardin, mbi bazë rajonale, të shtresave, të brezave, sa vjen e po rritet.
Në rrafshin institucional gjendja ende kaotike në raport me përshtatjet ndaj rendit drejt të cilit aspirojmë sikur nuk ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për rritjen e përdorimit të shqipes standarde. Në disa rrafshe të veprimtarisë, në fushën e shkencës e të dijes, megjithë përdorimin më të madh të mundshëm ndonjëherë të shqipes standarde, sidomos në përkthime nga gjuhë të tjera, prodhimi gjenuin në gjuhën shqipe ka rënë ndjeshëm. Paradoksalisht, sot edhe në fushat e albanologjisë përdorimi i shqipes ka rënë ndjeshëm: është margjinalizuar periodiku shkencor, është margjinalizuar përdorimi i shqipes. Përshtatja ngapak kaotike ndaj rregullave të organizimit shkencor universitar perëndimor me mbisundim të dukshëm të mekanizmave ende jo mirë të zotëruara të institucioneve private e me neglizhencë a kontroll të papranueshëm të mekanizmave politikë të institucioneve të jetës universitare e shkencore publike, sikur po e asfikson përdorimin e shqipes në këto nivele, sidomos në botimet e periodikut shkencor. Pa mbështetje institucionale, pa mundësi për integrim në rrjetet e periodikut ndërkombëtar të kontrolluar nga UNESCO-ja, ku Kosova nuk është ende, periodiku i tillë sikur po reduktohet dhe ngadalë ka rrezik të zhduket. Epo, “ku të selitet shqipja standarde e këtyre niveleve?”
Me probleme të ngjashme janë përballur dhe shoqëri të tjera të dimensioneve afërsisht si tonat, por me shkallë të lartë zhvillimi, si vendet skandinave. Atje janë gjetur modalitete për integrim në nivelin e të lartë ndërkombëtar ku sundon anglishtja, por njëherësh janë siguruar dhe mekanizma institucionalë për funksionimin dhe zhvillimin e gjuhës së vet. Shtetet kanë gjetur mundësi të mbështetjes financiare dhe kanë krijuar hapësira me status përkatës shoqëror për përdorimin e gjuhës standarde. Ky aspekt i krizës gjuhësore te ne kërkon të adresohet urgjentisht.
Problemi tjetër i krizës gjuhësore del nga disbalancet që po krijohen nga integrimet kaotike në rrjedhat globale përmes migrimeve. Nga statistikat që nuk janë shumë të sakta del se gjysma e bashkësisë së folësve të shqipes sot jeton e shpërndarë në diasporën e re. Gjuha shqipe, jo më varieteti standard, po çfarëdolloj i përdorimit të saj, ka zbritur në nivele të gjuhës së shtëpisë, ndërsa te brezi i dytë po mbisundon kategoria e njohur në sociolinguistikë e gjysmëfolësve. Kështu, bashkësia e folësve të shqipes, me rreth 7 milionë folës, sa llogaritej, tani ka zbritur ndjeshëm. Diasporëzimi i përshpejtuar dhe mungesa e mbështetjeve efikase nga ama po krijon frikë për reduktimin drastik të përdoruesve të shqipes si gjuhë e parë e jetës dhe e punës, si parakusht për qëndresë e për zhvillim normal. Shqipëria dhe Kosova, hapësirat më të mëdha të bashkësisë së folësve të shqipes, po shndërrohen në hapësira ku mbisundojnë folës të moshuar, ekonomikisht gjithnjë e më të varur. Kjo krizë në gjuhë as menaxhohet as zgjidhet nga gjuhëtarët, janë mekanizma të tjerë shoqërorë, politikë e shtetërorë që duhet t’i dalin përpara. Në afat të gjatë kjo mund të jetë kriza më e madhe e mundshme, që çon drejt rrezikimit të gjuhës.

Romani për të pazëshmen ‘ë’
Shkrimtarja e re shqiptare, që sivjet, me romanin e saj të parë, hyri në rrethin më të ngushtë për çmimin e romanit më të mirë në Gjermani, Jehona Kicaj, e lindur në Kosovë më 1991, e shkolluar në Gjermani, në romanin e saj ‘ë’ gjen rastin të shprehë ndjesinë e saj e të brezit lidhur me këto çështje. Le ta dëgjojmë pak:
“Kur shkruaj shqip bëj gabime. As sot nuk e di përmendësh alfabetin shqip dhe më vjen turp për këtë. Nuk kam ndjekur shkollë shqipe dhe kam vetëm pak libra shqip. Prej tyre shihet se nuk janë lexuar. Mësova të shkruaj kryesisht nga portale chat. Në fund të viteve 2000 ato ma dhanë mundësinë të mbaja kontakte me kushërinjtë e mi jashtë pushimeve verore. Meqenëse e besoja se shkrimi dhe shqiptimi shqip ishin pothuajse identikë me mënyrën se si flisja, shkruaja ‘kalcom’ në vend të ‘kallxom’ dhe ‘naschta’ në vend të ‘ndoshta’. Kur bëja gabime të tilla kushërinjtë më korrigjonin duke e përsëritur fjalën në chat dhe unë përpiqesha ta mësoja përmendësh drejtshkrimin e saktë pastaj. Derisa ata argëtoheshin me gabimet që bëja në një kohë, drejtshkrimi i saktë më ngulitej relativisht shpejt.
Pavarësisht nga të gjitha, unë flas një shqipe që njerëzit i bën të thonë: nuk mund ta dallosh që jeton jashtë vendit. E thonë këtë sikur të ishte një mrekulli e vogël. Por, nëse flasin me mua pak më gjatë, më në fund shfaqen momente acarimi. Ata qeshin. Jo sepse unë e shqiptoj fjalën gabimisht, po sepse ajo nuk përdoret më. ‘Ti po flet si gjyshi im’, thonë ata me një zë të krekosur, ose më korrigjojnë duke zgjedhur një fjalë më moderne që unë nuk e di, ose nuk kam njohuri të mjaftueshme për ta përdorur. Unë flas një gjuhë që është ruajtur në Gjermani; një shqipe të ngrirë që e mbaj ngrohtë në gojë’ (theksimi r. i., f. 77).
Xhaxhai i rrëfyeses në këtë roman në stilin inocent (ndonjëherë gati me perspektivë të fëmijës), i cili, kur takoheshin në shtëpinë e tij të afërmit e rinj të viseve të ndryshme në Gjermani, u thoshte prerë: “Në këtë shtëpi flitet shqip”, para se të vdiste e kishte lënë një letër të zarf të mbyllur me porosinë që ta lexonte hoxha te varri i tij në ceremoninë mortore:
“Erdha në këtë vend si punëtor mysafir (Gastarbeiter), pa e ditur se do ta kaloja gjithë jetën këtu. Gjithmonë larg shtëpisë. Jam pajtuar me këtë: tash ditët e mia janë të numëruara. Por më dhemb kur shoh që fëmijët dhe nipërit tanë po e harrojnë gjithnjë e më shumë kulturën dhe gjuhën tonë. Ndoshta gabohem, por mendoj se do t’i humbasim brezat e ardhshëm ndër të huajt. Kjo ishte gjithë çka desha të ndaja me ju”.
Në një vend tjetër autorja/ rrëfyesja fliste për gjendjen Sprachlosigkeit (gjendje pa gjuhë). Në fakt edhe gjermanishtja e saj e përsosur si e folëseve që dublojnë zërin në filmat e animuar, dyshonte se i përshtatej gojës së saj.
Përfundimet nga kjo le t’i nxjerrë secili vetë. Por po flet dikush në një moshë tashmë të pjekur dhe që në roman përshkruan gjendjen nëpër të cilën ka kaluar derisa ka arritur te zanorja e pazëshme ë, te heshtja jo vetëm e saj.
Në tribunat e këtij Fakulteti kanë ndritur mendjet e gjithë atyre që ju sot po nderoni. Ai e ka pasur dhe e ka tagrin, dijen dhe tërë hapësirën për të kërkuar dhe gjetur përgjigje, ashtu siç ka ditur dhe guxuar në tërë këtë histori turbulente.
Ligjëratë e mbajtur në Konferencën me rastin e 65-vjetorit të themelimit të Fakultetit Filozofik të Prishtinës më 29 tetor 2025
Botohet me leje të autorit.