Romani “Sëmundje dhe Perëndi” i Gëzim Aliut, i shëtit lexuesit nëpër një pyll të thellë mosbesimi, dyshimi dhe xhelozie. Evolucioni i protagonistit nga vënia në pikëpyetje e edukimit të tij fetar në përqafimin e besimit të ri, ndiqet nga zbritja e tij në xhelozi dhe gati në vetëshkatërrim, dhe nxjerr në pah njeriun kompleks të luhatur midis dashurisë dhe urrejtjes, besimit dhe mosbesimit
Gëzim Aliu është shkrimtar, studiues i letërsisë dhe eseist. Për veprat e tij është shpërblyer me çmime letrare, e romani i tij “Gosti në natën e parë të vjeshtës” është edhe fitues i shpërblimit “Rexhai Surroi” për letërsi më 2018. Pra, bëhet fjalë për një autor të etabluar, i cili ka arritur të ketë lexuesin e vet. Dhe botimi i një romani të ri, me të drejtë, ngjall gjithmonë pritshmëri të natyrshme. Për më tepër, edhe vetë romani përmbyllet nga datëshkrimi 2018-2023, informacion kohor që shërben të tregojë se libri është dëshmi e një pune të gjatë dhe të menduar hollë.
Romani “Sëmundje dhe Perëndi” është botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”. Ilustrimi i ballinës është intrigues, me një pamje të reve të dendura që mbulojnë diellin në perëndim, me tone e ngjyra të errëta sipër një kodre të zhveshur duke përçuar një atmosferë gati apokaliptike.
Strukturalisht romani është i ndarë në dy pjesë, në 188 faqe, ku pjesa e parë përmban 7 kapituj, ndërkaq e dyta 12. Dy pjesëve u paraprin nga një epigraf: E para nis me vargje biblike nga Ligji i përtërirë, ku thuhet se dorës së perëndisë asgjë nuk i shpëton dhe se perëndia vret e ngjall. Ndërsa pjesa e dytë hapet me një ajet kuranor të sures El-En Am (një tjetër mbase “çelës” leximi) ku thuhet se Allahu ia hap zemrën atij që dëshiron ta udhëzojë e ia mbyll atij që dëshiron ta lërë në humbje. Tregues paratekstualë këta që mund të ndihmojnë në interpretimin e veprës.
“Sëmundje dhe Perëndi” është roman provokues që eksploron udhëtimin jetësor dhe mendor të trazuar të kryepersonazhit A. Ibrahimi, i cili në pjesën e parë shndërrohet edhe në narrator, e i cili vë në pikëpyetje besimin e tij në të gjitha dimensionet dhe nis një rrugë të vetë-zbulimit. Titulli kap në mënyrë adekuate temën e dyshimit e të besimit, dhe një titull alternativ, “Dashuri dhe mosbesim”, do të përmblidhte po ashtu konfliktet qendrore që formojnë narrativën. Këto pak radhë më poshtë do të gërmojnë fazat e ndryshme të jetës së protagonistit në roman, për të nxjerrë në pah marrëdhëniet e tij komplekse, luftën e tij të brendshme me veten dhe me të tjerë, dhe kërkimin për shpëtim.
Gjithashtu, struktura narrative e brendshme është e ndarë në dysh, me një ndërthurje dinamike këndvështrimesh hetero e homodiegjetike dhe zhvendosje kohore të prapakthimit të herëpashershme të mëdha, së bashku me përfshirjen e dialogëve filozofikë, religjiozë, psikologjikë e socialë që qëndrojnë në funksion të një kuptimi më të thellë jo vetëm të mentalitetit shqiptar, por edhe kuptimit më të gjerë të jetës.
Edhe
“Sëmundje dhe Perëndi” me njeriun midis dashurisë dhe urrejtjes
Nëse storien do ta lexonim në kronologji, pa përfillur analepsat autoriale, themi se romani nis diku me vdekjen e nënës së kryepersonazhit, në mbarim të klasës së tetë, gjë që shkakton një traumë të brendshme, sepse i rritur në një familje myslimane të devotshme, ai do të braktisë xhaminë dhe do ta ndiejë një revoltë një herë të fshehur, pastaj të hapur ndaj Zotit. Kjo humbje e dyfishtë e përball atë me emocione kontradiktore ndaj besimit, kujtesës për nënën dhe mungesës së ngushëllimit. Ky është mosbesimi i parë.
Pastaj, rruga e protagonistit kryqëzohet me Dianën, në Prishtinë, një vajzë me të cilën ai bie thellësisht në dashuri. Megjithatë, marrëdhënia e tyre merr një kthesë zemërthyese kur Diana e tradhton me profesorin (dhe jo vetëm) dhe zë vendin e tij si asistente në fakultet. Tërthorazi, prapë fati i humbjes së Ibrahimit është i dyfishtë. Rrjedhimisht, kjo tradhti e humbje e intensifikon mosbesimin e tij në rritje, duke e bërë atë të vërë në dyshim jo vetëm dashurinë, por edhe aspektet më të gjera të besnikërisë në përgjithësi.
Rastësisht, protagonisti A. Ibrahimi takon Sarën në Prizren, një vajzë të krishterë, e cila bëhet figurë kryesore në jetën e tij. Marrëdhënia e tyre bëhet katalizator për një transformim të thellë, ai konvertohet në katolik dhe martohet me të. Këtë tranzicion të shkurtër e lexojmë si kërkim të stabilitetit dhe ndjenjës së re të përkatësisë. Por, personazhi ravijëzohet dhe ndjek trajektoren e ndërtimit primar, ai nuk i bindet as fesë së re e as dashurisë së kurorëzuar me një djalë. Pavarësisht kapërcimit të disa hapave jetësorë drejt një qëndrueshmërie, çështjet e pazgjidhura të besimit të tij shfaqen në xhelozi ekstreme. I zhytur në mosbesim të dyfishtë, sërish, ai fillon të dyshojë edhe në atësinë e fëmijës së tij, gjë që e acaron marrëdhënien e tij me Sarën. Kështu, pesha e dyshimeve, xhelozisë dhe trazirave të brendshme e çojnë protagonistin në prag të një krize nervore. Ankthi mendor arrin kulmin kur gjendet me të birin në një kodër të zhveshur prapa shkollës ku punonte. Lexuesi i rëndomtë do të kujtojë se ai është para kryerjes së një akti të dhunshëm e tragjik ndaj djalit të vogël, por lexuesi i vëmendshëm do ta lidhë këtë skenë me rrëfimin biblik ku Abrahami urdhërohet nga Zoti të sakrifikojë djalin e tij Isakun dhe i sjell qengjin. Ndërlidhje kjo, ku jo vetëm emrat e personazheve, Ibrahim, Abraham, Gjon, Sara, por edhe narracioni shtyhet me fije të holla intertekstuale.
Ndërkaq, vizita e A. Ibrahimit te babai i tij plak, i cili ka duruar vuajtjet pas vdekjes së gruas së tij dhe është i gatshëm të shkojë tek ajo, mund të interpretohet si pikë kthese duke e shtyrë Ibrahimin të nisë të reflektojë mbi pasojat shkatërruese të dyshimeve, xhelozisë, mosbesimit dhe urrejtjes. Nëpërmjet kësaj vizite, që mund ta quajmë edhe si pajtim, ai e gjen rrugën drejt ikjes, por ndoshta edhe faljes a besimit të përtërirë...
Edhe
“Ikja si zgjidhje” letrare e Ibrahim Kadriut
Kjo triadë humbjesh e mosbesimesh të dyfishta rreth së cilës vërtitet një numër narracionesh e personazhesh, disa më të theksuara, e disa më pak, veprojnë të hapërdarë në kohë të ndryshme narrative. Përdorimi i zgjuar i analepsës ndërton një rrjetë të ndërlikuar kronologjie. Storia shpaloset përmes një strukture jolineare, duke ofruar pamje të së shkuarës së ndërthurur me të tashmen. Kjo qasje jokonvencionale i lejon lexuesit të thellohen në kujtimet e protagonistit, duke reflektuar mbi momentet kryesore dhe ndikimin e tyre të qëndrueshëm. Përzierja e kohëve rrit rezonancën emocionale dhe ndriçon shtresat komplekse të përvojës së Ibrahimit. Tipar tjetër dallues i romanit është përfshirja e perspektivës hyjnore, Zotit, që shërben edhe si autor edhe si narrator. Kjo zgjedhje e teknikës e ngre romanin përtej sferës njerëzore, që ofron një eksplorim të thellë të përvojave të protagonistit përmes thjerrëzave të një fuqie më të lartë. Gjithëdija e Zotit jep njohuri për motivimet e personazheve, dilemat e tyre morale dhe funksionimin e ndërlikuar të fatit dhe ekzistencës njerëzore.
“Sëmundje dhe Perëndi” i shëtit lexuesit nëpër një pyll të thellë mosbesimi, dyshimi dhe xhelozie. Evolucioni i protagonistit nga vënia në pikëpyetje e edukimit të tij fetar në përqafimin e besimit të ri, ndiqet nga zbritja e tij në xhelozi dhe gati në vetëshkatërrim, dhe nxjerr në pah njeriun kompleks të luhatur midis dashurisë dhe urrejtjes, besimit dhe mosbesimit. Romani i shkruar e i shtruar kësisoj fton lexuesit të përsiatin mbi çështjet themelore të jetës. Në fund të fundit, përmes dashurisë, xhelozisë, urrejtjes, faljes dhe përqafimit të besimit a mosbesimit, protagonisti duket se gjen njëfarë çlirimi e ngushëllimi dhe fillon të shërojë plagët e udhëtimit të tij të trazuar.