Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Një vlerësim që konfirmon një bindje kritike

Çmimi “Jakov Xoxa” për krijimtarinë e Gëzim Aliut, është në vazhdën e vlerësimit me çmime të një letërsie që nuk i nënshtrohet lehtësisht tregut apo pritshmërive të zakonshme

Çmimi “Jakov Xoxa” për krijimtarinë e Gëzim Aliut, është në vazhdën e vlerësimit me çmime të një letërsie që nuk i nënshtrohet lehtësisht tregut apo pritshmërive të zakonshme

Mërgim Bekteshi

Marrja e Çmimit Mbarëkombëtar “Jakov Xoxa” në Letra nga Gëzim Aliu jo vetëm më gëzon si mik dhe koleg, por edhe e konfirmon atë që kam thënë, shkruar e analizuar prej kohësh për krijimtarinë e tij. Vlerësimi me këtë Çmim i Gëzim Aliut, për mua nuk është befasi, është përforcim institucional i asaj që kam argumentuar në shkrimet e mia kritike: se kemi të bëjmë me një nga zërat më seriozë, më origjinalë dhe më kërkues të prozës bashkëkohore shqiptare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në analizat e mia të botuara në “EXLibris” dhe “ObserverKult”, jam përpjekur të dëshmoj se proza e Aliut nuk mund të lexohet sipërfaqësisht. Proza e tij kërkon angazhim të thellë interpretues e analitik, sepse nuk operon në nivelin e rrëfimit të drejtpërdrejtë, por ndërton një strukturë ku kuptimi prodhohet nëpërmjet tensioneve të brendshme të tekstit. Kjo është një nga arsyet pse e kam konsideruar Gëzim Aliun një autor që sfidon jo vetëm lexuesin e zakonshëm, por edhe vetë kritikën.

Në këtë kuptim, çmimi “Jakov Xoxa” për krijimtarinë e Gëzim Aliut, është në vazhdën e vlerësimit me çmime të një letërsie që nuk i nënshtrohet lehtësisht tregut apo pritshmërive të zakonshme. Kam theksuar shpesh se në romanet e Aliut kemi të bëjmë me një narracion të ngjeshur dhe simbolik, ku çdo element tekstual bart një peshë kuptimore që shkon përtej funksionit të tij të drejtpërdrejtë. Ky lloj shkrimi nuk synon të ofrojë rehati, por shqetësim intelektual.

Një nga boshtet kryesore të leximit tim kritik ka qenë raporti individ-shoqëri. Në veprën e Aliut, ky raport nuk paraqitet si një përplasje e jashtme, por si një proces i brendshëm që formëson vetëdijen e personazhit. Kam argumentuar se individi në këto romane nuk është as heroik në mënyrë romantike dhe as viktimë e thjeshtë e rrethanave; individi është një qenie në tension të vazhdueshëm, i përfshirë në një dialog të pandërprerë me botën që e rrethon.

Po ashtu, më ka interesuar dimensioni filozofik i kësaj proze. Kam vërejtur se dilemat që shtrohen, midis besimit dhe dyshimit, lirisë dhe normës, identitetit dhe tjetërsimit, nuk janë të vendosura si teza të gatshme, por dalin si përvoja të jetuara nga personazhet. Në këtë mënyrë, teksti i Aliut fton për mendim, për reflektim, për përfshirje dhe pjesëmarrje të lexuesit.

Si kritik, e ndiej të nevojshme të them se kjo formë e të shkruarit mbart edhe një lloj rreziku për ngrehjen e një distance me publikun më të gjerë. Narracioni i dendur dhe nënkuptimet e simbolika, mund të krijojnë një lloj mbylljeje, duke e bërë tekstin më pak të qasshëm. Por, kjo nuk është dobësi, përkundrazi, është zgjedhje artistike e estetike e vetëdijshme e autorit, është refuzim për t’u thjeshtuar në funksion të konsumit masiv. Por, duhet theksuar se rrëfimi në prozën e Aliut, përtej nënkuptimeve dhe simbolikave, është gjithnjë tërheqës për lexim dhe pikë kryesore në këtë mes është gjuha e bukur me të cilën ai e thur tekstin.

Prandaj, Çmimi “Jakov Xoxa” dhënë Gëzim Aliut, ka domethënie të veçantë për mua si lexues dhe sidomos si kritik: është dëshmi se edhe një letërsi që kërkon, që vë në pikëpyetje dhe që nuk i bën lëshime lehtësisë, mund të gjejë njohje dhe vlerësim. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për autorin, por edhe për klimën letrare në përgjithësi, sepse krijon hapësirë për forma më të guximshme dhe më eksperimentale të shkrimit.

Duke e rilexuar sot veprën e Gëzim Aliut në dritën e këtij çmimi, ndiej se analizat e mia gjejnë një konfirmim të ri, por edhe një sfidë për të vazhduar më tej. Sepse një autor i tillë nuk mund të mbyllet në një interpretim të vetëm; ai kërkon rilexime të vazhdueshme, qasje të reja dhe një dialog kritik të hapur.

Në fund, është aspekti njerëzor i këtij vlerësimi. Si mik dhe dashamir i letërsisë shqipe dhe asaj të huaj, e përjetoj këtë çmim si një gëzim të përbashkët dhe si një dëshmi se përkushtimi ndaj letërsisë cilësore nuk është i kotë. Si kritik, natyrisht që e shoh këtë Çmim si ftesë për të menduar më seriozisht për atë që kërkojmë nga letërsia, por edhe për mënyrën se si e vlerësojmë atë.