Kulturë

“Sëmundje dhe Perëndi” me njeriun midis dashurisë dhe urrejtjes

Kritika ka kohë që e ka vlerësuar, e romani i radhës i Gëzim Aliut është vetëm dëshmi e radhës. Ai shkruan për njeriun. Kësaj radhe për vetminë e tij të përjetshme, mes dashurisë dhe urrejtjes, besimit e mosbesimit. Dhe nuk ndalet me kaq. “Roman i absurdit dhe revoltës, i thyerjes shpirtërore dhe i përplasjes individuale e universale”, e ka cilësuar Agron Gashi. Studiuesja e letërsisë, Meliza Krasniqi, e ka vlerësuar romanin si provokues i cili eksploron udhëtimin e trazuar jetësor dhe mendor të kryepersonazhit

Mosbesimi, dyshimi, dashuria, xhelozia, vuajtja, vdekja e shumëçka tjetër ngjizen në “Sëmundje dhe Perëndí”. Aty është njeriu, në “vetminë e tij të përjetshme”. Siç vjen edhe prej titullit të romanit më të ri të Gëzim Aliut, ka diçka profetike dhe më të thellë në të. Është ndërthurje këndvështrimesh në aspekte religjioze, filozofike, psikologjike e sociale. Nëpër të shpaloset figura e njeriut të sotëm mes dashurisë dhe urrejtjes, besimit e mosbesimit. Në promovimin e romanit, u vlerësua se ai fton lexuesit të reflektojnë mbi çështjet themelore të jetës.

Është romani i katërt i Aliut dhe në përurimin e tij, të premten mbrëma në librarinë “Dukagjini”, është vlerësuar për qëmtimin e stilin e tij në veprën që për kryefjalë ka gjendjen shpirtërore të shkaktuar prej dyshimit për ekzistencën e dilemën për të besuar a jo në Zot. Në anën tjetër, janë dyshimi, dashuria e xhelozia, dhembja e vuajtja dhe vdekja e jeta. E ditur është se i kushtohet njeriut.

Agron Y. Gashi, profesor universitar dhe shkrimtar, ka vlerësuar se “Sëmundje dhe Perëndi” është roman i absurdit dhe revoltës, i thyerjes shpirtërore dhe i përplasjes individuale e universale.

“Tipizimi që në fillim si roman i revoltës, i absurdit, deri diku e çon autorin në sprova filozofike, ekzistenciale, socialiste, duke e futur një pjesë të romanit edhe në tipin e romanit eseistik. Sidomos në pjesën e dytë. Një hapje kjo e formës ndaj retorikes, konkretisht shkrimit argumentues, dhe përgjithësisht retorikes së fiksionit”, ka thënë Gashi, recensent i kësaj vepre. Sipas tij, qysh prej titullit merren disa konotacione për sëmundjen psikologjike. Se sëmundja perceptohet si mësim dhe perëndia si besim. Gashi ka theksuar se është pikërisht sëmundja nga dashuria, pësimi dhe besimi që e bën bashkë romanin e fundit me ata paraprakë.

“Estetika e shkrimit të Gzimit është një përplasje mes shëmtisë dhe së bukurës, filozofisë dhe të filozofuarës, gjë që e ndeshim sidomos në ‘Klubin e të shëmtuarve’ dhe ‘Katedralja pa kryq’. Kjo vërehet edhe nga zgjedhjet dhe emërtimet e personazheve, siç është Ibrahimi apo Abrahami, personazhi biblik që shquhet si themelues i feve abrahamike”, ka thënë Gashi, recensent i librit, bashkë me Avni Alijajn.

Image
Autori i romanit, Gëzim Aliu, nuk ka folur fort për librin. Mirëpo, ata që e njohin nga afër kanë thënë se në të përfshihen disa elemente autobiografike

Autori Gëzim Aliu në roman trajton tema kulturore, intelektuale dhe letrare. Siç përshkruhet është i ndarë në dy pjesë me nënkapituj. I pari përfshin shtatë të tillë dhe i dyti dymbëdhjetë kapituj. Dy pjesëve u paraprijnë paragrafë religjiozë: i pari me vargjet e Biblës nga “Ligji i përtërirë”, ndërsa pjesës së dytë i paraprijnë vargjet e sures “Al-An’am” nga Kurani. Në pjesën e parë përfillet besimi si ritual, më pas thyhet dhe rrëzohet miti i profetëve, përmbysen religjionet dhe krijohen dilema për Zotin.

Studiuesja e letërsisë, Meliza Krasniqi, e ka vlerësuar romanin si provokues i cili eksploron udhëtimin e trazuar jetësor dhe mendor të kryepersonazhit. Sipas saj, ai “vë në pikëpyetje besimin e tij në të gjitha dimensionet dhe nis një rrugë të vetëzbulimit”.

“Titulli kap në mënyrë adekuate temën e dyshimit, besimit dhe një titull alternativ tjetër që unë do të thosha është ‘Dashuri dhe mosbesim’, sepse ai do të përmblidhte gjithashtu konfliktet qendrore që formojnë narrativën”, ka thënë Krasniqi.

Para të pranishmëve të shumtë që kanë mbushur njërën prej hapësirave të librarisë “Dukagjini”, Krasniqi ka shpalosur një pjesë të rrëfimit në roman. “Nëse storien e rrëfejmë kronologjinë, themi se romani nis diku me vdekjen e nënës së kryepersonazhit, diku në mbarim të klasës së tetë, gjë që shkakton një traumë të brendshme, sepse i rritur në një familje myslimane të devotshme, Ibrahimi do të braktisë xhaminë dhe do të nisë një revoltë të fshehur ndaj Zotit. Kjo humbje e dyfishtë e përball atë me emocione kontradiktore ndaj besimit, kujtesës për nënën dhe mungesën e ngushëllimit. Ky është mosbesimi i parë”, ka shpjeguar Krasniqi, bashkëpunëtore shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Derisa ka zbuluar më tej përmbajtjen e romanit, ajo ka thënë se personazhi kryesor, Ibrahimi, ishte tradhtuar nga e dashura e tij, Diana që e kishte shtyrë më tej drejt humnerës së mosbesimit.

“Rastësisht protagonisti e takon Sarën në Prizren, një vajzë të krishterë e cila bëhet figurë kryesore në jetën e tij. Marrëdhënia e tyre bëhet katalizator për një transformim të thellë. Këtë tranzicion të shkurtër e lexojmë si kërkim të stabilitetit dhe ndjenjës së re të përkatësisë, por personazhi ndjek trajektoren e ndërtimit primar”, ka thënë Krasniqi.

Autori i romanit, Gëzim Aliu, nuk ka folur fort për librin. Mirëpo, ata që e njohin nga afër kanë thënë se në të përfshihen disa elemente autobiografike. Sipas Aliut, jeta e autorit nganjëherë pa vetëdije zë vend brenda cilësdo vepër që shkruan.

“Autorët e sinqertë e pohojnë se ka elemente autobiografike. Këto janë interesime të mia të hershme pra çështja e besimit, mosbesimit, ekzistencës e mosekzistencës së Zotit, çështja e religjioneve edhe si kulturë edhe si trashëgimi e mënyrë jetese, por edhe si ideologjike. Ato krejt janë përfshirë në roman dhe në fund të fundit, Gzim Aliu aty mund të shndërrohet edhe në personazh që takohet me kryepersonazh”, ka thënë Aliu.

Më tej ka shtuar se në romanin “Sëmundje dhe Perëndi” ka trajtuar temat që i kanë interesuar çdoherë. Sipas tij, mungojnë lexuesit.

“Nuk ka shumë lexues. Besoj se rrjedha e historisë që kam shtjelluar aty do t’i përfshijë lexuesit. Besoj se ka për lexuesit e rëndomtë e për ata mbi mesataren që kërkojnë më shumë”, ka vlerësuar shkrimtari, studiuesi i letërsisë, eseisti, doktor në letërsi dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. U lind më 1977. Deri më tani, ka të botuar “Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë” studim i botuar në vitin 2007, romanin “Në klubin e të shëmtuarve” i botuar më 2009, fitues i Çmimit Vjetor Kombëtar, romanin “Gosti në natën e parë të vjeshtës” me të cilin ka marrë çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi në vitin 2018 dhe monografinë “Proza shqipe e viteve 1920-1944” në vitin 2020.

Për librat e tij artistikë e shkencorë janë shkruar dhjetëra recensione, kritika, dhe punime. Kishte qenë në treg në edicionin e sivjetmë të Panairit të Librit. Vepra e tij është vlerësuar lart nga kritikët dhe lexuesit. Pjesë të krijimtarisë së tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, kurse librat e tij janë shpërblyer disa herë me çmime letrare kombëtare.

Në ngjarjen ku është promovuar romani, është bërë e ditur se ai me titull “Katedralja pa kryq” do të përkthehet në një gjuhë të huaj, por se nuk janë dhënë detaje të tjera.