Serbia humbi dominimin politik në Jugosllavinë e dytë, ndërsa ruajti një rol simbolik dhe ideologjik qendror në ndërtimin e mitologjisë së re shtetërore. Sipas Holm Sundhaussenit, Jugosllavia e dytë u ngrit mbi rrënojat e së parës, por me një arkitekturë të re politike dhe ideologjike. Në periudhën pas vitit 1968 nis shthurja e mitit jugosllav. Protestat studentore në Beograd, shpërthimi i nacionalizmit kroat dhe rritja e pakënaqësisë në Kosovë dëshmuan se doktrina ideologjike e “vëllazërim-bashkimit” po humbte fuqinë mobilizuese. Pas Kushtetutës së vitit 1974, që u dha autonomi të gjerë krahinave, Serbia ndjeu shpërbërjen e kontrollit të saj politik, gjë që krijoi një traumë identitare brenda elitave të saj. Ndërkaq fjalimin e Slobodan Millosheviqit në Gazimestan (1989) ai e sheh si pikënisjen simbolike të një lufte që do ta shkatërronte vetë Serbinë. Për autorin, “koha e Kosovës” përfaqëson momentin kur historia mitike zëvendëson historinë reale
Kapitulli “Serbia në Jugosllavinë e dytë (1945-1980)” i librit “Geschichte Serbiens: 19.–21. Jahrhundert”( Historia e Serbisë: Shekulli XIX–XXI”). (Böhlau Verlag, Wien 2007, të historianit gjerman Holm Sundhaussen, përfaqëson një nga analizat më të ndritura të tij për periudhën e Jugosllavisë socialiste si paradoks historik: një shtet që, duke synuar ta zhdukë nacionalizmin, u mbajt gjallë përmes strukturave të federalizmit. Këtë periudhë ai e përkufizon si “ringjallja e Serbisë nga hiri”, por me theks në paradoksin se Serbia humbi dominimin politik në Jugosllavinë e dytë, ndërsa ruajti një rol simbolik dhe ideologjik qendror në ndërtimin e mitologjisë së re shtetërore. Sipas autorit, Jugosllavia e dytë u ngrit mbi rrënojat e së parës, por me një arkitekturë të re politike dhe ideologjike. Në vend të modelit centralist me dominim serb, shteti i ri u ndërtua mbi parimin e federalizmit socialist dhe një strukturë të barabartë me gjashtë republika dhe dy krahina autonome (Kosova dhe Vojvodina). Në fakt, ky model synonte të zëvendësonte jugosllavizmin etnik të dështuar me një jugosllavizëm shtetëror dhe qytetar, të mbështetur në ideologjinë e vëllazërim-bashkimit. Miti i “Luftës Nacionalçlirimtare”, revolucioni socialist dhe figura e Titos si “heroi i heronjve” u bënë themelet simbolike të këtij projekti. Për Sundhaussenin, kjo përbënte një formë të re të sakralizimit të shtetit, ku historia e partizanëve zëvendësoi narrativën e vjetër të Vidovdanit
Përplasja Tito-Stalin dhe “suksesi jugosllav”
Në pjesën e pas Luftës së Dytë Botërore, autori e trajton në mënyrë mjeshtërore përplasjen Tito–Stalin të cilën e cilëson si momentin themelor të autonomisë politike dhe ideologjike të Jugosllavisë. Deri më 1948, Partia Komuniste Jugosllave kishte qenë një strukturë tipike staliniste, por pas përjashtimit nga Kominformi, ajo u detyrua të zhvillojë një model të veçantë të socializmit – vetëqeverisjen. Sundhaussen këtë ndarje e sheh si një kthesë strategjike dhe ekzistenciale: për të mbijetuar, Jugosllavia duhej të krijonte një identitet të vetin politik, i cili kombinonte elemente të socializmit me vetëqeverisjen punëtore dhe neutralitetin ndërkombëtar. Ai thekson se Tito, pas prishjes me Stalinin, nuk dëshironte ta kthente Jugosllavinë në vasale të Perëndimit; përkundrazi, ai synoi të krijonte hapësirë të veten politike ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit përmes politikës së mosrreshtimit (lëvizja e Painkuadruarve) (fq. 354).
Ndërkaq, periudha e viteve 1950–1970 cilësohet si një histori suksesi e pjesëmarrjes shoqërore dhe modernizimit ekonomik, ku industrializimi dhe urbanizimi shënuan transformime të thella. Megjithatë, ai thekson se “suksesi jugosllav” kishte kufij strukturorë: decentralizimi ekonomik dhe federalizmi politik krijuan pabarazi rajonale të mëdha, veçanërisht ndërmjet republikave veriore dhe jugore.
Për Serbinë, kjo periudhë solli një paradoks të dyfishtë: zhvillim ekonomik i kufizuar dhe ndjenjë politike të humbjes së statusit qendror. Në nivel kulturor, Sundhaussen thekson tensionin mes kozmopolitizmit të Beogradit dhe nacionalizmit latent provincial, që filloi të riaktualizohej në vitet ‘70.
Në pjesën përmbyllëse, autori e quan periudhën pas vitit 1968 fillimin e shthurjes së mitit jugosllav. Protestat studentore në Beograd, shpërthimi i nacionalizmit kroat dhe rritja e pakënaqësisë në Kosovë dëshmuan se doktrina ideologjike e “vëllazërim-bashkimit” po humbte fuqinë mobilizuese.
Pas Kushtetutës së vitit 1974, që u dha autonomi të gjerë krahinave, Serbia ndjeu shpërbërjen e kontrollit të saj politik, gjë që krijoi një traumë identitare brenda elitave të saj. Sundhaussen e përshkruan këtë si paralizë federale: një sistem që kërkonte barazi absolute, por në praktikë krijonte rivalitet të vazhdueshëm midis republikave. Me vdekjen e Titos në vitin 1980, miti i unitetit jugosllav mori fund, ndërsa Serbia hyri në një fazë të re të pasigurisë politike dhe kërkimit të identitetit kombëtar, që do të shpërthente në dekadën e ardhshme. Analiza e kësaj periudhe zë një vend të rëndësishëm në veprën e autorit dhe tregon qartë se inteligjencia nacionaliste serbe veproi si “iniciatore nga tavolina”, ndërsa Slobodan Millosheviqi u shfaq si ekzekutori praktik i shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë.
“Kosova-Zeit” si metaforë historike
Kapitulli “Vetëshkatërrimi i Serbisë (1980–2000)” është ndër më të rëndësishmit e veprës së Holm Sundhaussenit, sepse përbën kulmin e analizës së dekadës fatale që çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe në “vetëshkatërrimin e Serbisë”, siç e titullon ai në mënyrë metaforike. Përmes një stili të matur, por kritik e të depërtueshëm, autori ndërton një tablo historike që përfshin krizën e sistemit jugosllav, ngritjen e nacionalizmit serb, mitologjinë e “rikthimit të Kosovës” dhe përfundimisht humbjen totale të orientimit politik e moral të Serbisë pas vitit 1999.
Sundhaussen nuk e sheh shpërbërjen e Jugosllavisë si një ngjarje të papritur, por si kulminacion të një procesi të gjatë të autodestruksionit shtetëror dhe moral. Ai e lidh periudhën e viteve ‘90 me “rindezjen e mitit të Kosovës” dhe me transformimin e nacionalizmit serb në një ideologji mobilizuese, e cila shfrytëzoi traumat historike për të justifikuar agresionin kundër të tjerëve. Në këtë kuptim, Sundhaussen e sheh fjalimin e Slobodan Millosheviqit në Gazimestan (1989) si pikënisjen simbolike të një lufte që do ta shkatërronte vetë Serbinë. Për autorin, “koha e Kosovës” përfaqëson momentin kur historia mitike zëvendëson historinë reale. Në vend të reflektimit kritik, elitat politike dhe intelektuale serbe zgjodhën “përjetësimin e viktimizmit” dhe përdorimin e kujtesës së betejës së vitit 1389 si mjet legjitimues për dhunën bashkëkohore. Sundhaussen vëren se ky instrumentalizim i kujtesës kolektive krijoi një kulturë politike ku “historia nuk shërben për të kuptuar, por për të arsyetuar armiqësinë”. Sipas Sundhaussen, politika e Milosheviqit shënon përpjekjen për të rivendosur hegjemoninë serbe brenda një federate që tashmë kishte humbur kuptimin e saj. Në këtë kuptim, luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe më pas në Kosovë paraqiten si “akte të një politike të vazhdueshme të homogjenizimit etnik”, të cilat u ushqyen nga media, Kisha Ortodokse Serbe dhe aparati shtetëror. Sundhaussen thekson se dhuna ndaj civilëve, spastrimi etnik dhe mohimi i përgjegjësisë nuk ishin efekte anësore, por komponentë thelbësorë të këtij projekti. Në thelb, Sundhaussen u jep lexuesve një mësim të rëndësishëm: popujt që e trajtojnë të kaluarën si armë, e kthejnë të ardhmen në peng.
Në nënkapitullin “Çështja serbe (pjesa III)”, Sundhaussen rikthehet te koncepti qendror që përshkon tërë veprën e tij – çështja serbe – duke e përkufizuar në këtë fazë si krizë identiteti dhe legjitimiteti politik.
Sipas tij, pas vdekjes së Titos, Serbia u përball me një vakum politik dhe simbolik, i cili u mbush me nostalgjinë për rolin e saj të dikurshëm si “zemra e Jugosllavisë”. Në mungesë të një vizioni modern të shtetndërtimit, kjo nostalgji u shndërrua në revizionizëm historik, duke ringjallur narrativat mitike mbi Kosovën, dinastinë e Nemanjiqëve dhe “misionin historik të popullit serb”. Sundhaussen argumenton se pikërisht ky rikthim në mitologjinë politike shënoi fillimin e autodestruksionit të Serbisë, pasi e zëvendësoi reflektimin kritik me vetëviktimizim dhe retorikë shpenguese. Autori shënon se “çështja serbe” e viteve ‘80 nuk ishte më çështje territoriale, por çështje e përkufizimit të vetvetes në një sistem që po shuhej — dilemë midis jugosllavizmit të dështuar dhe nacionalizmit të ringjallur.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë