Sipas Holm Sundhaussenit, kulmi i ideologjisë irredentiste, e arriti qëllimin e vet pas vitit 1918 me krijimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, por njëkohësisht varrosi projektin liberal të shtetit kombëtar serb. Ky kapitull përmbyll “shekullin e gjatë XIX serb” me një vlerësim kritik: fitorja kombëtare e vitit 1918 nuk solli emancipimin demokratik, por nacionalizëm triumfues dhe një shtet të mbingarkuar me mitologji historike – një trashëgimi që do të përcaktonte fatin e Serbisë dhe të Ballkanit në shekullin XX
Nga “Lufta e derrave” te luftërat ballkanike
Në librin “Geschichte Serbiens: 19.–21. Jahrhundert”( Historia e Serbisë: Shekulli XIX–XXI”). (Böhlau Verlag, Wien 2007, Holm Sundhaussen analizon edhe të ashtuquajturën “Lufta e derrave” (1906–1911) si një moment kthese në procesin e pavarësimit ekonomik të Serbisë. Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Austro-Hungarinë, e cila vendosi embargo ndaj produkteve bujqësore serbe, qeveria në Beograd u detyrua të diversifikojë tregtinë dhe të krijojë lidhje të reja ekonomike me Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane. Në mënyrë paradoksale, ky izolim forcoi ekonominë vendase dhe rriti ndjenjën e autonomisë kombëtare. Më pas, aneksimi i Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria më 1908 shkaktoi një valë nacionalizmi dhe përgatitje ushtarake, që kulmuan me luftërat ballkanike (1912–1913). Këto, sipas autorit, përbënin momentin e parë të triumfit irredentist serb, por njëkohësisht edhe parathënien e katastrofës që do të shpërthente me Luftën e Parë Botërore. Në këtë kontekst, Sundhaussen e vendos atentatin e Sarajevës (1914) në një kornizë më të gjerë ideologjike, e interpreton jo si akt individual terrorist, por si rezultat i klimës së militarizimit politik dhe mistikës kombëtare, që kishte depërtuar thellë në shoqërinë serbe pas 1912. Serbia, në analizën e tij, u bë viktimë dhe katalizator njëkohësisht: nga njëra anë ishte shënjestër e perandorisë habsburgase, por nga ana tjetër kishte kontribuuar në ndezjen e konfliktit përmes rrjeteve nacionaliste si “Crna Ruka” (Dora e Zezë). Autori e përshkruan këtë periudhë si kulmin e ideologjisë irredentiste, e cila arriti qëllimin e vet pas 1918 me krijimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, por njëkohësisht varrosi projektin liberal të shtetit kombëtar serb. Ky kapitull përmbyll “shekullin e gjatë XIX serb” me një vlerësim kritik: fitorja kombëtare e vitit 1918 nuk solli emancipimin demokratik, por nacionalizëm triumfues dhe një shtet të mbingarkuar me mitologji historike – një trashëgimi që, sipas Sundhaussenit, do të përcaktonte fatin e Serbisë dhe të Ballkanit në shekullin XX.
Tri “fise” me identitete të veçanta historike dhe fetare
Në qendër të kapitullit “Shekulli i shkurtër XX: Krizat dhe katastrofat shtetërore e kombëtare” qëndron analiza e periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, të cilën Sundhaussen e interpreton si një fazë të krizave të përsëritura shtetërore dhe kombëtare në historinë moderne të Serbisë. Ai e përdor nocionin e “shekullit të shkurtër XX”, të frymëzuar nga koncepti i Eric Hobsbawmit, për të shpjeguar përplasjen midis idealit jugosllav dhe realitetit politik, ekonomik e shoqëror të Serbisë. Në fakt, autori e përshkruan Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (1918) si produkt të një kompromisi politik dhe diplomatik, më tepër se si rezultat i një vullneti të përbashkët kombëtar. Sipas Sundhaussen, projekti jugosllav ishte që në fillim një kompromis artificial, pasi nuk ekzistonte një komb i vetëm jugosllav, por tri “fise” (serbë, kroatë, sllovenë) që ruanin identitete të veçanta historike dhe fetare. Në thelb, Sundhaussen konstaton se Serbia e vogël u shndërrua në një Jugosllavi të madhe, por pa e ndryshuar strukturën e saj shtetërore e kulturore – duke bartur me vete modelin centralist dhe autoritar të para luftës. Në këtë kuadër, autori trajton konfliktin identitar ndërmjet ideologjisë së jugosllavizmit dhe hegjemonisë serbe brenda shtetit të ri. Ai pyet me tone kritike: “A ishte kjo një bashkim jugosllav apo një Serbi e zgjeruar?”
Proceset e formimit kombëtar, sipas tij, nuk ishin të sinkronizuara: Serbët e kishin përmbyllur ciklin e tyre nacional që nga shekulli XIX, ndërsa kroatët dhe sllovenët ende ndodheshin në fazën e nacionalizmit kulturor, jo politik. Kjo asimetri krijoi një diferencë historike të pjekurisë kombëtare, që u shndërrua në burim tensioni politik të vazhdueshëm. Jugosllavizmi mbeti një mit i elitave intelektuale dhe nuk arriti të bëhej ide unifikuese shoqërore
Në nënkapitullin “28 qershor 1921: Unitarizmi kombëtar dhe centralizmi shtetëror”, Sundhaussen vëren se Kushtetuta e Vidovdanit, e miratuar më 28 qershor 1921, përfaqësonte fitoren politike të elitave serbe në imponimin e një modeli shtetëror të centralizuar dhe unitar. Data e miratimit nuk ishte e rastësishme: ajo përkonte me Ditën e Vidovdanit (Beteja e Kosovës), duke krijuar një lidhje të qëllimshme mitike ndërmjet shtetësisë jugosllave dhe simbolikës sakrale serbe. Ky bashkim i simbolikës religjioze me centralizmin politik solli pasoja të thella për kohezionin e shtetit, duke thelluar ndarjet midis kulturës politike serbe dhe kulturës politike të habsburgasve sllavë. .
“Serbizimi i shtetit jugosllav”
Për Sundhaussenin, ky ishte momenti i “serbizimit të shtetit jugosllav” – një kornizë që do të përcaktonte përplasjet e ardhshme ndërnacionale. Në kuadër të këtij kapitulli, konstaton se nacionalizmi serb nuk u fashit brenda kornizave të Jugosllavisë – përkundrazi, ai u ringjall si reagim ndaj krizës së shtetit. Serbia e parë jugosllave, shkruan ai, u shndërrua në “bastion të serbizmit”, duke u mbështetur në armatë, në kishë dhe në burokraci, ndërkohë që në planin ndërkombëtar u lëkund nga aleanca me Francën drejt ndikimit gjerman, çka përgatiti terrenin për përplasjet e Luftës së Dytë Botërore. Në tërësi, ky kapitull përfaqëson një analizë të thellë të dështimit të Jugosllavisë së parë si projekt politik dhe kulturor. Sundhaussen nuk e interpreton këtë dështim si një fat historik të pashmangshëm, por si rezultat të strukturave autoritare të trashëguara nga shteti serb dhe mungesës së barazisë reale ndërmjet kombeve përbërëse të Mbretërisë. Ai e përmbyll analizën me një konstatim të fortë: “Jugosllavia u shkatërrua jo për shkak të pakicave, por për shkak të keqpërdorimit të shumicës.” Në këtë kuptim, Sundhaussen e vendos Serbinë ndërmjet hegjemonisë dhe krizës, ndërsa Jugosllavinë e paraqet si një eksperiment të dështuar të bashkëjetesës moderne në Ballkanin e shekullit XX, ku nacionalizmi shtetëror triumfoi mbi parimet e pluralizmit dhe barazisë politike. Në vazhdim të këtij kapitulli, Sundhaussen ofron një përshkrim të thelluar dhe kritik të situatës në Serbi gjatë periudhës së okupimit gjerman, duke nxjerrë në pah se Serbia gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk ishte vetëm viktimë e pushtimit, por edhe fushëbetejë e përçarjeve të veta historike, që do të ripërsëriteshin në shekullin pasues. Ai ndalet veçanërisht te ngjarjet e marsit 1941, kur pas hyrjes së Jugosllavisë në Traktatin Trepalësh, shpërtheu grushti i shtetit në Beograd dhe protestat masive me parullën “Më mirë vdekje se skllavëri”, të cilat pasqyronin ndjenjën e fortë të rezistencës popullore ndaj aleancës me Fuqitë e Boshtit dhe refuzimin e nënshtrimit politik të Serbisë ndaj pushtuesve. Në këtë kontekst, Sundhaussen përshkruan në mënyrë të ekuilibruar karakterin e regjimit kolaboracionist të gjeneralit Milan Nediq, i cili kishte autoritet të kufizuar, por funksiononte si instrument administrativ dhe policor i okupatorëve gjermanë. Ai e përshkruan këtë regjim si një eksperiment politik të dështuar, i cili synonte të krijonte stabilitet përmes bashkimit të nacionalistëve, konservatorëve dhe elementëve pro-gjermanë kundër komunistëve, por në realitet prodhoi ndarje të mëtejshme politike dhe morale në shoqërinë serbe dhe kompromentoi legjitimitetin e shtetit serb në periudhën e pasluftës.
“Serbia është e lirë nga hebrenjtë”
Në fakt, Sundhaussen nënvizon se ndonëse regjimi i Nediqit pretendonte të mbronte interesat e “kombit serb”, në praktikë ai bashkëpunonte ngushtë me Gestapon dhe SS-në, duke u bërë pjesë e sistemit represiv. Gratë dhe fëmijët hebrenj u internuan në kampin e Sajmište pranë Beogradit dhe u vranë në pranverën e vitit 1942 me automjete gazi. Pas kësaj, SS-Oberführer Emanuel Schäfer raportoi në Berlin se “Serbia është e lirë nga hebrenjtë”, ndërsa zyrtari Turner deklaroi se “Serbia u shndërrua në një nga vendet e para të Evropës ‘judenfrei’ – pa popullsi hebreje. Përveç kësaj, Sundhaussen përshkruan edhe politikën e shfarosjes sistematike të serbëve në shtetin ustash të Ante Paveliqit. Ai konstaton se mbi dy milionë serbë jetonin në territorin e këtij shteti, ku periudhën e regjimit ustash (1941–1945) në Kroaci u bë një fushatë terrori, deportimi dhe vrasjesh, duke shkatërruar fshatra të tëra dhe duke ngritur kampet famëkeqe të Jasenovacit dhe Stara Gradishës. Autori e lidh këtë dhunë me ideologjinë e “pastërtisë racore” dhe trashëgiminë e nacionalizmit kroat të shekullit XIX, të përforcuar nga mbështetja italiane dhe gjermane. Po ashtu, në këtë kapitull analizohen dy format paralele të rezistencës serbe: atë nacionaliste (çetnikët e Draža Mihailoviqit) dhe atë komuniste (partizanët e Josip Broz Titos). Këto dy forma të rezistencës paralele, Sundhaussen i sheh më shumë si luftë civile sesa luftë çlirimtare, dhe se të dyja palët ushtruan terror ndaj civilëve dhe rivalëve politikë. Ndërkohë, politika e ndëshkimit kolektiv të gjermanëve (100 serbë për çdo ushtar gjerman të vrarë) çoi në masakra të përgjakshme si ajo e Kragujevacit dhe Kralevës, duke thelluar urrejtjen dhe shkatërrimin shoqëror. Në pjesën përfundimtare të këtij kapitulli, Sundhaussen përshkruan fitoren e partizanëve dhe humbjen e çetnikëve, jo si triumf ideologjik, por si rezultat i aftësisë organizative dhe mbështetjes ndërkombëtare.